Në 88-vjetorin e lindjes së Ismail Kadares, romancierit që rroku historinë e shqiptarëve me një frymë të fuqishme shekspiriane

0
367

Nga Halil Teodori!

Sot, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare ka ditëlindjen e tij të 88-të. Kadare u lind në Gjirokastër, më 28 janar 1936 dhe është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, vepra e të cilit ka qenë dhe mbetet një ushqim shpirtëror dhe frymëzim. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, dhe ky nuk është një vlerësim vetëm për të dhë veprimtarinë e tij si shkrimtar, por edhe për kulturën dhe pasurinë shpirtërore të shqiptarëve. Megjithëse ai është në disa vite radhazi si kandidat për Çmimin Nobel, pa mundur të lureohet, ai është patjetër i lexuar dhe i vlerësuar, ka qenë dhe është një panteonin e vlerave të fokusit dhe vëmendjes ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Çmimin Man Booker International, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, në vitin 2019 Çmimin Park Kyong-ni ndërsa në vitin 2020 çmimet Neustadt dhe Prozart. Më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Për të kuptuar më qartë se kush është Ismail Kadare, në nuk duhet të ndalemi vetëm te vepra e tij voluminoze dhe gjuhët në të cilat ai u botua, por edhe te çfarë mendojnë dhe si e përkufizjnë personalitete botërore të kulturës dhe artit, dhe jo vetëm. “Kadare është një shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë, të historisë pasionit, folklorit të politikes dhe të katastrofave. Ai është një shkrimtar universal me një traditë narracioni që e ka origjinën që nga Homeri”. Shkruan John Carey, kryetari i jurisë së çmimit “The man Booker International Prize “ Ndërsa Alain Plantey, President i Akademisë Franceze për shkrimtarin tonë ka thënë, “Në të gjithë botën, veprat e Kadaresë kanë një domethënie të fuqishme, therëse.” “Romancier që rrok Historinë me një frymë të fuqishme shekspiriane.”, theksoi për Kadarenë, Hachette, Paris, 1992. “Sado e ndryshme që të jetë Shqipëria nga Suedia apo Franca, ajo ka nxjerrë në dritë një gjeni. Kadareja njihet në të gjithë planetin; të kurorëzosh Kadarenë nuk do të thotë ta emanciposh atë; do të thotë të emancipoheni vetë ju.” Kjo është ajo çfarë ka shkruar Alain Bosquet në letrën drejtuar jurisë së Çmimit Nobel. Në Le Quotidien de Paris ai ka nënvizuar faktin se “Ismail Kadare është pa dyshim shkrimtari më i shumanshëm i kohës sonë.” Ndërsa në “The New Yorker”, theksohet fakti se “Kronikë në gur nuk është vetëm një kuriozitet, por një roman magjepsës, i sofistikuar dhe i realizuar në prozë poetike.” Dominique Fernandez ka vizualizuar kështu shkrimtarin tonë të madh: “Me njërën këmbë në Shqipërinë e moçme, gojore dhe legjendare, ende në rrëqethjen homerike, dhe me këmbën tjetër në modernitetin më të spikatur dhe më finok, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura.” Lista e vlerësimeve dhe citimeve të njerëzve të shquar për Kadarenë është e gjatë dhe mbushur me një shprehje glorifikuese për atë çfarë është dhe ka përcjellë ai përmes letërsisë së tij. “Kadareja ia del të jetë universal dhe i të gjitha kohërave, duke mbetur gjithaq shqiptar.” Shkruan, Nicole Zand Ndërsa prej Anjez Hyfner vjen citimi, sipas të cilit: “Në vështrim të parë vlerësimi ndërkombëtar i autorit mund të të çudisë, sepse Kadareja shkruan kryekëput vetëm për Shqipërinë. Por ato ngjarje ai i shndërron në letërsi botërore.” Michael Kleeberg, në “Die Welt”, në korrik 2002 shkruan: “Kadare është i rrahur në të gjitha dallgët e artit modern bashkëkohor. Vepra e tij, sa ç’është ushqim shpirtëror, po aq është edhe art sublim.” “Çdo vit, pothuaj gjatë një dhjetëvjeçari, Kadareja u ka dhënë lexuesve të vet nga një roman, që i befason dhe i shtang ata, i prek në shpirt, u ngjall ndjenja e mendime të thella… Ka ardhur koha që Kadareja ta marrë çmimin që meriton… Jepjani Kadaresë çmimin Nobel!”, shkruan Magazine litteraire, Paris. Duke përcjellë atë çfarë thonë të huajt, personalitete dhe media prestigjioze për Kadarenë, ne mund të kuptojmë dhe të bindemi se kemi fatin dhe privilegjin që jemi bashkëkombas, bashkëkohës dhe lexues të këtij titani të letërsisë botërore.