Raiffeisen Research parashikon se Leku do të vazhdojë të mbiçmohet lehtë në kursin e këmbimit me Euron edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
Analistët e bankës shprehen se perspektivat për Lekun mbetet jashtëzakonisht pozitive.
Tregu i këmbimeve valutore këtë vit, ndonëse në fazat e tij fillestare, po mbështet pritshmëritë për mbiçmim të mëtejshëm të monedhës vendase, në përputhje me parashikimet e mëparshme.
Për rrjedhojë, Raiffeisen Research parashikon që Euro të tregtohet pranë nivelit të 103.1 lekëve në fund të tremujorit të parë të vitit 2024, ndërsa mesatarja e periudhës parashikohet pranë nivelit 103.5 lekë, duke reflektuar ofertën e qëndrueshme në Euro nga sektori dinamik i turizmit.
Sipas Raiffeisen Research, pas një mbiçmimi me 9.1% gjatë vitit 2023, leku shqiptar ka shfaqur stabilitet në dy javët e para të 2024. Ndërsa është vënë re një zhvlerësim i lehtë nga nivelet që arriti në muajin dhjetor, faktorët themelorë sugjerojnë një vazhdimësi të tendencës mbiçmuese të monedhës vendase.
Raiffeisen Research vlerëson se forcimi i Lekut rrjedh nga një ndërthurje e faktorëve pozitivë makroekonomikë. Më i rëndësishmi, deficiti i llogarisë korente është transformuar në suficit për herë të parë në histori, duke tejkaluar 354 milionë euro në tremujorin e tretë 2023, krahasuar me një deficit prej 145 milionë euro një vit më parë. Kjo kthesë i atribuohet kryesisht rritjes së fortë të sektorit të turizmit, ku të ardhurat u rritën me 50% gjatë nëntë muajve të parë të 2023.
Rritja e turizmit shkon përtej sezonit tradicional veror dhe në 2023 u regjistruan mbi 10 milionë turistëve të huaj, ndërsa shifrat e prenotimeve janë të pozitive edhe për tremujorin e parë 2024.
Për më tepër, investimet e huaja direkte dhe remitancat mbeten në cikël rritës, duke regjistruar norma rritjeje vjetore dyshifrore, përkatësisht 10.7% dhe 14.2%. Këto prurje ofrojnë mbështetje të fortë për Lekun, duke plotësuar fluksin hyrës në Euro të udhëhequr nga turizmi.
Sipas një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar (cituar nga Raiffeisen Research), vlerësimi afatgjatë i kursit real të këmbimit të Shqipërisë është nxitur kryesisht nga faktorë themelorë, si rritja e produktivitetit në raport me partnerët tregtarë, përmirësimi i kushteve të tregtisë dhe rëndësia në rritje e eksporteve të shërbimeve, veçanërisht turizmit.
Kjo prirje mund t’i atribuohet faktorëve strukturorë si zgjerimi i industrisë së turizmit dhe flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte që po mbështesin zhvillimin e sektorit të ndërtimit, si dhe përmirësime në produktivitetin e punës në krahasim me partnerët tregtarë.
Të gjithë këta faktorë mund të shpjegojnë mbiçmimin e kursit real efektiv të këmbimit të Lekut ndaj Euros dhe shumicës së valutave të huaja./E.Shehu