Talat Xhaferi – kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Bujar Leskaj: Arritje e madhe për shqiptarët

0
184

Nga Bujar Leskaj

Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut një politikan shqiptar, z. Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i vendit.

Pavarësisht se do të ketë kompetenca të kufizuara në mandatin e tij prej 100 ditësh, kjo është një arritje shumë e madhe dhe historike për shqiptarët në shtetin fqinj.

Pa diskutim një meritë të jashtëzakonshme ka z. Ali Ahmeti, politikani vizionar, i cili ka bërë aq shumë për çështjen kombëtare shqiptare, për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Kjo arritje është historike si për shqiptarët aq dhe për maqedonët, sepse ashtu siç e cilësoi Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti: “Po kalohen paragjykimet tashmë dhe vendin do e çojmë së bashku drejt BE-së.”

Zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut do të përcaktojë jetën e brezave të ardhshëm, sepse pyetja që shtron z. Ali Ahmeti është: “A duam t’u lëmë një Maqedoni proevropaine apo proruse, paqe apo konflikt?”

Zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si edhe qëndrimi politik i mikut tonë, Ali Ahmeti, janë një si një leksion i jashtëzakonshëm vizioni, tolerance e përgjegjësie, një historik e politik për gjithë skenën politike shqiptare si edhe për brezat e ardhshëm.

Kush është Talat Xhaferri?

Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar.

Në 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore.

Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.

Ka pasur një karrierë të lartë ushtarake.

Pas pavarësisë se Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lartë dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.

Më 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së, ku mban pseudonimin- komandant Forina.

Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, ka qenë deputet, zëvendësministër i Mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i Mbrojtjes në shkurt të 2013.

Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2017 zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.