Armando Broja do të përjetojë disa ditë të ethshme derisa të mbyllet merkato e janarit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është i ndërgjegjshëm që Çelsi e ka nxjerrë në shitje dhe nëse do të vijë oferta e duhur për të, do t’i japë lamtumirën në janar. Por për momentin oferta zyrtare nuk ka, ndërsa klubet me radhë kanë filluar të tërhiqen nga interesimi.
Shkak nuk është cilësia dhe aftësitë e Brojës, por çmimi i lartë i kartonit që ka vendosur Çelsi për futbollistin. Sipas të përditshmes britanike “The Sun”, vlera prej 35 milionë paund që ka vendosur si minimum Çelsi për kartonin e lojtarit ose kushti i huazimit me detyrim blerje në fund të sezonit për këtë shifër, ka larguar shumë admirues të futbollistit.
Ullvërhempton është i fundit mes atyre që janë tërhequr. “Ujqerit” kishin piketuar Brojën si një përforcim që do i ndihmonte për të qëndruar në mesin e artë të tabelës, ku gjenden aktualisht. Por ata nuk janë gati të shpenzojnë një shifër të tillë për Brojën dhe nuk kanë ndër mend të bëjnë një ofertë gjatë janarit për të.
Emrat e tjerë të interesuar janë Fullhem dhe Aston Vila, por asnjë prej këtyre skuadrave nuk ka bërë një ofertë formale për të hapur negociatat me Çelsin. PANORAMASPORT.AL