Qeveria parashikon të vendosë një nivel minimal shfrytëzimi për hotelet në periudha të ndryshme, një referencë që duket se do ti shërbejë Tatimeve për të llogaritur sa duhet të paguajë çdo strukturë.
Në ndryshimet që i janë bërë ligjit të turizmit nënvizohet se pas nenit 64 do të shtohet një nen 64/1 ku pika 7 e tij lidhet direkt në kapacitetin e shfrytëzimit të hoteleve.
“Sipërmarrësi turistik ka detyrimin të deklarojë kapacitetin e shfrytëzimit të strukturës akomoduese, i cili, për qëllime tatimore, nuk mund të jetë më i vogël se niveli minimal i shfrytëzimit. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin dhe të ministrit përgjegjës për financat, përcakton periudhën e shfrytëzimit dhe nivelin minimal të kapacitetit të shfrytëzimit për strukturat akomoduese” thuhet në këtë pikë.
Kjo do të thotë se tashmë strukturat akomoduese nuk mund të deklarojnë shfrytëzim zero të kapacitetit të tyre por në periudha të ndryshme do të kenë nivele të ndryshme. Qeveria do të jetë ajo që do të përcaktojë periudhën që një strukturë akomoduese cilësohet e shfrytëzueshme dhe nivelin minimal të kapacitetit të shfrytëzimit.
Pra le të themi që një strukturë në Durrës që mund të deklarojë zero shfrytëzim për efekt tatimor në prill do të duhet të paguajë të paktën nivelin minimal që do përcaktojë qeveria për këtë muaj pavarësisht situatës së deklaruar.
Duket se përmes kësaj hallke qeveria po mundohet të evitojë nëndeklarimet që mund të bëhen nga bizneset diçka që është prekur në disa deklarata edhe nga kreu i qeverisë. Në tetor të vitit të shkuar Kryeministri tha se numri i turistëve të huaj në vendin tonë që në vitin 2023 preku nivele rekord nuk përkonte me të ardhurat që deklaronin hotelet.
Tjetër janë çmimet që deklarohen, tjetër janë çmimet që paguhen dhe tjetër është niveli i okupimit dhe tjetër është niveli që deklarohet. Unë personalisht kam pasur dy raste këtë verë, dy miq që më kanë kërkuar ndihmë pasi nuk gjeni dhomë të lirë në gjithë bregdetin.
Tani si e lidhim me këtë deklarimin që hotelet kanë qenë 70% e 60% e 50% të okupuar? Vitin e ardhshëm do të kenë referencë” do të shprehej Rama tetorin e shkuar.
Ndryshimet në ligjin për turizmin përcaktojë gjithashtu një sërë kushtesh për agroturizmet, vendosjen e çmimeve në vende të dukshme në dy gjuhë nga strukturat dhe stacionet e plazhit, lidhjen e kontratave të sigurimit për përgjegjësinë e palëve të treta si dhe një sërë elementesh të tjera të lidhura me sektorin. Monitor