Një intervistë e dështuar për interesin publik/Nga Artan Fuga

0
339

Dëshiron ta gjesh kush ta mori shaminë nga xhepi?: Gjej se kush e ka shaminë! Prita mbrëmë intervistën ku premtohej, se i intervistuari do të shpërthente! Bëra kujdes se mos më dëmtohej ndonjë orendi e dhomës nga plasja e ekranit të televizorit!

Çfarë dëgjova?! Në vend të fakteve ekskluzive që do t’u tregonin qytetarëve se çfarë ka ndodhur në majat ku bashkohet politika me paranë, ndoqa i zhgënjyer një intervistë ku i intervistuari ndërtoi promocionin e vet publik!

Bravo i qoftë, në fakt!

Mësova ideologji të përgjithshme të nivelit të vitit parë gjimnaz me Robespierin, revolucionin, demokracinë, që veç ndonjë shtetari të penduar që i paska zbuluar tani së fundmi të gjithë i thonë nëpër tavolina.

Mësova se si i intervistuari paska “agjentët” e vet nëpër të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë! Hajde bir hajde!

Mora vesh se si financat e vendit tim qenkan administruar shumë mirë, ai ka ulur borxhin, zvogëluar PPP, dhe ka bërë punë të hajrit.

Madje në një muhabet koti, në “retreat” të qeverisë, i intervistuari paska thënë se po u la droga të përhapet do të përfitojë krimi si në Bolivi! Hajde zbulim hajde! Uaaaaa si ja kanë pranuar!

Se ai ka dashur të lejë postin, por ka qenë posti që nuk e ka lënë atë! A thua se nuk e hidhte dot andej çantën me gjithë çelësa dhe të ikte në kokë të vet, pa pyetur për njeri!

Mora vesh se nuk është i fshehur i drejtësisë, por është me pushime dhe strehohet në  një vilë në pronësi të një bashkie, të një qyteti, të një vendi, të një kontinenti, por besoj se është në planetin tonë!

Se i intervistuar kërkon që si presidentët e mëdhenj, ta zemë si Shiraku, të respektohet dhe çështja e tij të çohet për gjykim në gjykatën e ndonjë vendi të huaj! Hajde bir bir!

Se ai është vetëm me një ndërgjegje morale të thyer, sepse në njëzet vjet që ka qeverisur, ka pasur pak besim të tepruar, paksa naiv, por ka qenë tmerr se në kongresin e një partie atë e paskan persekutuar se nuk e kanë lënë të diskutojë me qëllim që sukseset e mëdha në përballimin e tërmeteve, ku ai ka rolin drejtues, t’ja merrnin shokët e tjerë të birosë!

Dheeeeeeeeeeeeee, se për çështjen e incineratorëve ai paska sekretin si të zbulohet!

Paska formulën! Follow the money! Ndiq paranë!

A thua se këtë nuk e di çdo fëmijë kopshti që kur dikush i vjedh shaminë nga xhepi, shoku i thotë: Do ta gjesh kush ta morri shaminë e qyrreve? Ndiq shaminë! Kush ka shaminë, ai ta ka marrë!

Mos ishte shprehja në anglisht, çdo njeri do të thoshte se kjo shprehje është si ato trivialitetet: Do të mos jesh i uritur?, ha ndonjë gjë! Do të dehesh? Pi raki! Etj, etj.

Mora vesh se edhe se mund të të paguajë dikush bileta dhe dhoma hoteli, dhe pastaj t’ja paguash ti cash, se ashtu është një muhabet!

Përfundimisht ishte një intervistë e kthyer në një event promocional nga i intervistuari. Bravo i qoftë, sinqerisht! Kishte një teknikë të përkryer. I premtoi gazetarit t’a linte të lirë nga pyetjet djegëse duke i premtuar se po ta bënte këtë, do të tregonte një gjë të llahtarshme!

Dhe në fund kur gazetari e i tha: Hë tani, thuaje atë djegësen fare, atë shpërthyesen!

I intervistuari me zgjuarësi i tha: O xhurnalist shko investigo vetë! Unë po të jap metodën. Nëse do të gjesh kush e vodhi shaminë e qyrreve, gjej se kush e ka shaminë në xhep!

Çfarë dështimi!

Thënë të gjitha këto, unë nuk supozoj as se i intervistuari është i fajshëm, as i pafajshëm, as i dua të mirën, as i dua të keqen, në punë të vet, as se gënjeu, as se tha të vërteta, por ato që dëgjova ishin krejt non sens dhe pa asnjë vlerë për publikun.

Vura orenditë e dhomës në vend të vet, i kisha mbrojtur nga shpërthimi, dhe fjeta!

Veç u mboll frikë dhe tmerr publik!

Mendova se do ta pasuroja me një realitet të ri studimin për televizionin, por nuk ishte e thënë. Dështova edhe unë! Në fakt jo! Shkencat e komunikimit kanë hipotezën se modeli i medias së një vendi funksion gjithandej pak a shumë njësoj!

Shkenca t’i shëron iluzionet, edhe kur ti dëshiron që me iluzione të zëvendësosh realitetin!