Prishtinë/Tjetër sukses i Ahmet Prençit promovon romanet “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit” në “KultPlus Caffe Gallery”

0
586

Vjollca Duraku

Sot, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery është bërë promovimi i librave ‘Brenga e Prokurorit’ dhe ‘Anja’ të autorit Ahmet Prençi, promovim ky që autorin në fjalë e solli edhe më afër lexuesve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ahmet Prençi i cili aktualisht e ushtron detyrën e komisionerit të avokatit të popullit në Tiranë, dhe në përgjithësi me profesion vjen nga sektori i policisë dhe gjykatave, viteve të fundit ka sfiduar veten edhe në fushën e letërsisë, nga e cila lëmi duket se do të vazhdojë edhe më tutje.

Mes shumë të pranishmëve ngjarja u shpall e hapur nga moderuesi Liridon Mulaj i cili autorin e librave mbi të gjitha e quajti modest, ndërsa stilin e tij të shkrimit një letërsi dinjitoze e cila përkon me ngjarjet të cilat aktualisht ndodhin në Shqipëri.

“Aftësia e rrëfimit, mënyra se si ai i përcjell ndjenjat e personazheve kryesisht, ka habitur jo vetëm ish- kolegët e tij të cilët shpesh besojnë që në radhë të policëve nuk gjenden krijues. Por, Ahmeti ka demonstruar të kundërtën e kësaj. Shumë rrallë kam njohur njerëz që e duan letërsinë si Ahmeti, por si autor vet ai mbetet modest, gjë të cilën unë gjithmonë ia vë në dukje. Letërsia e tij është një letërsi dinjitoze, aktuale, realizëm duke ardhur deri te brenga e prokurorit i cili vjen në një kohë shumë delikate dhe sensitive së paku për ngjarjet që ndodhin në shqipëri”, ka thënë Prezantuesi Mulaj.

Ndërsa panelisti Abdullah Zeneli po ashtu e ka ritheksuar modestinë e autorit Prençi, i cili përmes hapave të sigurtë ka arritur të bëj audiencën për vete ngase libri “Anja” ka arritur të ketë pesë botime.

“Ahmeti është pikërisht një sinonim i një shkrimtari i cili ecën ngadalë, ecën sigurtë. Nuk është nga ata rrahagjokësit. Ka lexuesin e tij besnik dhe unë e di që Anja minimum i ka pesë botime. Ka një lexueshmëri të jashtëzaakonshme dhe libri në përgjithësi lexohet. Jam i lumtur që në Prishtinë po lulzojnë libraritë. Është një fenomen i jashtëzakonshëm”, ka thënë panelisti Zeneli.

Ai më tutje veprimtarinë e tij nga fusha e gjykatave dhe më pas përfshirjen e tij në letërsi e ka krahasuar me atë të nobelistit Kamilo Hose Sela, i cili përkundër profesioneve të tjera që ushtronte, në letërsi prekte një nivel të lartë shkrimi.

“Kamilo Hose Sela qe shpallë fitues i çmimit Nobel. Një fitues i Çimit Nobel i cili nuk e kishte quar ndër mend se do të ishte fitues i atij çmimi. Profesionet e tij ishin një mori profesionesh por si shkrimtar ka qenë par excellence. Kështu që edhe Ahmetin shikojeni si modest por edhe si shkrimtar i cili të përvetëson që me faqen e parë, që me fjalinë e parë, sepse di ta zbëthejë jetën në karaktere, në të shkruarit, në letërsi, në stil. Kam kënaqësinë që para jush ta përgëzoj për këta libra të rinj”, ka thënë më tutje Zeneli, për t’i lënë radhë shkrimtarit Ahmet Prençi, i cili me promovimin e librave po realizonte dhe zhvillonte pasionin e tij të hershëm të cilin e kishte filluar qysh me botime në gazetat e shkollës dhe të universitetit.

“Duke ardhur nga një karrierë e gjatë nga ‘punët e shtetit’ që kam bërë, unë jam një lexues i vazhdueshëm i letërsisë, unë nuk kam hyrë në këtë proces të veprimtarisë për garë apo për të arritur majat. Unë shkruaj për dëshirën time, sikur krijimtaria ime të lexohet vetëm nga miqtë e mi, unë jam shumë i lumtur që kam shkruar librat. Kështu që kur ka lexues më shumë se sa kaq sigurisht që është një kënaqësi e madhe. Unë po përjetoj kënaqësinë e rinisë së hershme ku unë ëndërroja që të botja libra. Dhe kjo është një përmbushje e vetes time, në këtë aspekt. Nuk kanë qenë shkrime sa për të humbur kohën. Unë me seriozitetin më të madh jam ulur kam bërë këto libra që kam bërë. Nuk presupozohet që është cilësi shumë e lartë, por unë kam bërë atë pjesën time sepse çdokush nga ne ka diçka për të treguar nga historitë e tij”, ka thënë Prençi.

Ai më tutje bëri të ditur se libri “Anja” i përkishte zhanrit romancë ndërsa “Brenga e Prokurorit” kishte të bënte me profesionin të cilin ai e ushtron, me të cilin e kishte shumë më të lehtë shkrimin.

“Libri “Anja” është një romacë dashurie, një histori njerëzore që trajtohet në të. Romani tjetër ka qenë shumë më i lehtë për mua pasi ishte një temë që kishte të bënte me karrierën time, me punën time që kam bërë dhe i vetmi problem ishte gjuha që përdoret sepse ndonjëherë ne teoricient e rëndojmë me gjuhën teknike, dhe kjo s’është e mirë për lexuesin dhe ata që lexojnë letërsi. Mirëpo, mendoj që pasi e konsultova në dorëshkrim me disa shkrimtarë me disa miq të mi me shumë eksperiencë, arrita ta ruaja këtë balancë dhe ka dal një tekst i këndshëm sipas opinioneve që kam marr deri tani”, ka thënë më tutje ai.

Sipas tij romanin “Brenga e Prokurorit” e shoqëron, një histori e shkuar e një prokurori që ishte në kulmin e karrierës së tij.

“Aty ka një përplasje psikologjike më shumë, dhe ky ka qenë mesazhi që jam përpjekur ta jap në libër që prokurori dhe punonjësit e drejtësisë nuk kanë marrë përsipër të kryejnë një detyrë dhe të paguhen për atë, por ai është një mision më tepër se sa një punë për të jetuar. Është një mision që duhet t’i përkushtohesh dhe mund të sakrifikosh dhe jetën. Për këtë je betuar dhe për këtë je aty në atë pozicion. Kështu që unë dhe si detyrim për ish kolegët e mi kam për detyrë që të nxjerr figurën e tyre me gjith problematikën që ka ajo detyrë dhe të mos e shohim si një objekt pa ndjenja, pa shpirt, pa zemër punonjësin që merret mekëto detyra. Jam përpjekur të tregoj në mënyrë artistike edhe sfidat që ka ky mision dhe rreziqet që ka kjo detyrë”, ka thënë më tutje Prençi duke bërë të ditur se për të botuar veprat e tij e shtynë  dhe e motivuan disa nga miqtë e tij.

“Nuk e përjashton dot autori dot veten nga ngarjet që ndodhin aty. As nga personazhet as nga përjetimet e tyre. Kështu që për çdo libër që shkruhet dhe kjo vlen edhe për autorët më të njohur në botë që kur e lexojmë na shkon në mendje ta imagjinojmë se si ka qenë autori, bëhemi kurioz se si ka qenë autori, si ka qenë jeta e tij, për të parë difektet e huqjet që kanë pasur. Kështu që autori nuk e përjashton veten nga shkrimi. Të paktën unë nga ngjarjet që përshkrova në roman”, tha autori.

Ndërsa shkrimtari Ibrahim Kadriu u shpreh entuziast për t’i lexuar veprat të cilat u promovuan sot, në mënyrë që më pas t’i jap edhe vërejtjet konstruktive që autori Prençi të jepte çdo herë e më shumë më të mirën nga vetja për lexuesin.

“Unë po besoj që Ahmet Prençi shkruan mirë. Në këtë rast unë  do të isha oportunist për Ahmetin pa e njohur si shkrimtar. Kështu që po i jap vetes të drejtë që së pari t’i lexoj dhe kur takohem më pas me Ahmetin t’ia them në sy kjo është kështu, unë mendoj kështu, pa hidhërime mes vete. Dhe zakonisht jam i gëzuar kur kam vërejtje konstruktive”, ka thënë ai.

Ndërsa autori Gani Mehmetaj e përgëzoi autorin duke thënë që këta libra do e bëjnë edhe më të pranishm në Prishtinë, nga ku e ftoi të merret edhe më tej me krijimtari letrare.

“Unë ju përgëzoj për romanin, besoj që do të lexohet në Kosovë sidomos në aspektin e romantikës mund të jetë “Anja” më i preferuari. Por, në aspektin e kriminalistikës (Brenga e Prokurorit) njerëzve ju interesojnë shumë këto ngjarje sepse shumë është folur për gjithë ato gjëra që kanë ndodhur në Shqipëri, ngaqë në Kosovë nuk flitet shumë për to. Unë besoj që do ta lexojnë”, ka thënë Mehmetaj, për t’i lënë radhë diplomatit Flamur Gashi i cili ndër të tjera i uroi autorit sukese dhe mbarësi në punën e tij si krijues.

“Gjeneralët marrin guximin për luftë po pse marrin guxim edhe në letërsi, është pak e çuditshme kjo punë. Me sa duket e paskan dibranët këtë guxim sepse shefi i parë i shërbimit sekret shqiptar është njëri ndër shkrimtarët më të njohur, Haki Stërmilli. Dhe njëri prej drejtuesve më të mirë që e kemi pasur këto 30 vite demokraci në policinë e shtetit, Ahmet Prençi, po merr guximin dhe po bëhet shkrimtar”,  ka thënë Gashi.

Ndërsa shkrimtari Shkëlzen Marevci i cili tashmë i kishte lexuar të dy librat e autorit Prençi tha se si autor ai ka arritur të realizojë një krijimtari letrare të shkëlqyeshme.

E përgëzoj autorin për këto dy libra që i ka sjellur për lexuesin që kanë një brumë një material jashtëzakonisht të mirë. Kam pasur fatin që ti lexoj që të dy librat. “Brengën e Prokurorit” si dorëshkrim. Po ta kisha lexuar “Brengën e Prokurorit” kisha menduar që Ahmeti është në fushën e tij dhe nuk di mirë të bëj letërsi, por meqë e kam lexuar edhe “Anjën” e kam kuptuar që Ahmeti di të bëj letërsinë shkëlqyeshëm”, ka thënë Marevci.

Krejt në fund të ngjarjes të pranishmit patën rastin të marrin librat me nënshkrime dhe dedikime specifike nga vetë autori Ahmet Prençi.

Ahmet Prençi që në të kaluarën kishte ushtruar profesionin e prokurorit në institucionet ligjzbatuese në Shqipëri dhe po ashtu ishte drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit të Shqipërisë për disa vite./KultPlus.com