Gazetaret Ola Xama dhe Klodiana Lala, të ftuara në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, kanë dhënë detaje lidhur me disa shtetas italianë të përfshirë në çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Sipas Lalës, shtetasit italianë e kanë orientuar SPAK-un së fundmi drejt Bashkisë së Tiranës.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Zonja Xama, ju keni marrë në intervistë për emisionin tuaj, Gabrielle Tarroni Longinotti dhe ai ka thënë se Erion Veliaj, bashkë me Giuseppe Ciafagglione dhe Milaid Lopa, kanë darkuar dhe konsumuar kafe. Ciafagglione është pronar me 20% në letra i inceneratorit të Tiranës. Pse darkon dhe qëndron Veliajn në shoqërinë e tij?
Ola Xama: Është intervistë që do të transmetohet të enjten. Ai thotë që takimi ka qenë te një lokal dhe më pas në një restorant, ka qenë lidhur me disa ndihma për tërmetin. Milaid Lopa ishte shoferi i Tarronit, del edhe si përfaqësues i Integrated Energy dhe Geogenix në Harare të Zimbabwe. Kur e pyeta se cila është lidhja e tij me Presecin, tha që janë presta nome, pra nëse duhet të shkojë dikush në burg, do të shkojnë ata.
Klodiana Lala: Nuk është vetëm te darka. Te hetimi për inceneratorin e Tiranës, kur është pyetur Ciafagglione, të gjithë shtetasit italianë flasin për zyrë dhe kontakt të vazhdueshëm me Bashkinë e Tiranës. Kush ishte personi i kontaktit? Janë pyetur dhe Ciafagglione thoshte, që kishte kontakt me Bashkinë. Pse duhet të shkonte një biznesmen Italian, që ishte vetëm administrator, të shkonte te Bashkia, kur nuk ishte autoritet kontraktor? Janë italianët që janë presta nome, por e kanë orientuar hetimin së fundmi, në drejtim të Bashkisë së Tiranës.
Ola Xama: Ata nuk kanë marrë asgjë përsipër.
Klodiana Lala: Bashkia e Tiranës ka qenë një stacion i përhershëm për cështjen e inceneratorit të Tiranës. Është një mënyrë që SPAK ka zgjedhur si strategji për të shkuar më lart, përmes sekuestrimit të telefonave dhe dokumentave.