Nga Ardi Stefa
Të premtojnë revolucionin dhe përmbysjen e regjimit ata që kanë miliona euro në banka duke bërë llogje 30 vjet!
Flasin në emër të popullit ata që e kanë rrjepur gjithë këto vite!
Flasin për demokracinë ata që e përdhunuan demokracinë gjithë këto vite!
Kërkojnë drejtësi dhe liri dhe hidhen mbi kangjella ata që vishen me kostume, atlete e kravata mijëra euro!
Flasin për konservatorizëm e vlera të shoqërisë ata që s’kanë vlera, familje dhe bëjnë gjyqe për qentë! Apo ata të tjerët që veç grave kanë edhe ca dashnore!
Premtojnë heqjen zvarrë të diktatorëve, ata që ngrenë kokën si jetimët e “lulëkuqeve mbi mure” të kapin me gojë thërrimet e radhës dhe pastaj ia shtrojnë së bashku me ata që do të përmbysin me karkaleca e krudo për të ndarë paratë!
Dhe heqin zvarrë nëpër Tiranë demokratët e vërtetë dhe idealistët për hallin e tyre!
Flasin e përgjërohen për të drejtat e shkelura në parlament, ata që s’kanë moral dhe veç përpiqen të rrisin pazaret e tyre për zgjedhjet e ardhshme!
Flasin për shpopullimin ata që janë bashkëpërgjegjës për këtë gjendje!
Flasin për pronat ata që i grabitën me ligjin 7501 dhe grabitjet e tjera ndër vite!
Flasin në emër të të përndjekurve politikë ata që i braktisën, madje i rrahën dhe dhunuan!
Flasin në emër të institucioneve ata që i dhunojnë ato ditë për ditë!
Flasin për punë të ndershme ata që s’kanë punuar ndershmërisht një ditë në jetën e tyre!
Flasin për Shqipërinë ata që e humbën shansin të na bëjnë shtet demokratik, ku të sundonte ligji, e vërteta, drejtësia, ndershmëria, transparenca e meritokracia!
Dhe flasin për heqje zvarrë diktatorësh në 20 shkurt duke harruar që në 20 shkurt 1991 ne kërkuam të rrëzonim regjimin dhe jo ta çimentonim atë!
Por në 20 shkurt 1991 ne u ngritëm të rrëzonim mite dhe jo të ngrinim mite të tjera të rreme e t’i mbanim gjallë pas 33 vjetësh, duke mbajtur peng Shqipërinë dhe Demokracinë!