Bardhi poshtë ballkonit të Berishës/ PD: S’ka bashkim me deputetë që ndjekin agjendën personale të “non gratës”

0
124

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Taulanda Jupi thotë se nuk mund të ketë bashkim me deputetë të cilët ndjekin agjendën personale të Sali Berishës, duke iu referuar lëvizjes së fundit të Gazment Bardhit, i cili pas protestës së Foltores para Kuvendit pasditen e së hënës, shkoi më pas poshtë ballkonit të banesës së ish kryeministrit.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Jupi u shpreh se bashkimi i Partisë Demokratike do të ndodhë, por bazuar në parime.

“Unë do të ripërsëris thirrjen që kam për çdo demokrat. Kohezioni i demokratëve dhe bashkimi i demokratëve do të ndodhë në kohë. Partia Demokratike do të bashkohet me cilindo qytetar shqiptar, që realisht është në opozitë me Edi Ramën.

Përsa i përket disa individëve që mbajnë emrin deputet, por nuk e kanë justifikuar me punën e tyre, por ndjekin agjenda personale dhe agjendën e një individi në hetim nga SPAK dhe i shpallur “non grata”, nuk besoj se do të ketë apo do të ofrohen bashkime të tilla. Ne kemi dy vite që bëjmë një betejë për të vërtetën.

Partia Demokratike duhet të bashkohet mbi parime. Unë do të jem kundra bashkimit të çdo individi që ka kontribuar në dëmtimin e Partisë Demokratike në këto 2 vite, që i ka shërbyer agjendës personale të Sali Berishës. Partia Demokratike ka vetëm një rrugë, duhet të zgjedhje rrugën e moralit politik”, theksoi ajo.