Nga Halil Teodori
Arti shqiptar ka përcjellë për në banesën e fundit, Liljana Cingun, valltaren e njohur të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, “Nderi i Kombit”, e cila u nda nga jeta më 5 shkurt 2024, në moshën 74-vjeçare. Iku duke lënë pas një emër të madh dhe një vepër të pashlyer të traditës sonë të shkëlqyer të valles popullore.
Ajo është shkëputur nga Ansambli që në vitin 1997, në moshën 47-vjeçare. Por kjo nuk e ndaloi atë të ishte e pranishme në skenën e koncerteve dhe tubimeve artistike, duke treguar me gjallëri dhe pasion, përkushtim dhe elegancë, se nuk donte të plakej, për më tepër të ndalonte së kërcyeri. Kontributi i saj si profesioniste pati një vlerësim në trajtimin e fëmijëve të vegjël që kane pasion vallen.
Aktiviteti artistik i Liljana (Lili) Cingunt është i shtrirë në kohë dhe i larmishëm në hartën e skenave ku ajo performoi, duke kërcyer vallen popullore shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Kudo ku Ansambli i Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, çdo vend të Evropës, Azisë, Amerikës e Kanadasë, Lili Cingu ishte emri, vlera dhe përfaqësimi i traditës shqiptare.
Ajo ishte një ndër përfaqësueset e Shqipërisë në Francë, në vitin 1970, event i rëndësishëm ndërkombëtar ku Ansambli Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore u vlerësua “Gjerdani te Arte”, dhe presidenti i Festivalit pikërisht Lili Cingut i vë në qafë trofeun.
Fillimet e saja të karrierës në skenën e Ansamblit, kanë qenë me të madhin, Besim Zekthi, emri i të cilit do mbetet gjithmonë, ndërsa në vazhdim me Bashkim Braho dhe Rexhep Çelikun. Këto partnerë me Lili Cingun kanë qenë emblemë e valleve shqiptare, e përfaqësimit të Shqipërisë në skenat e duartrokitjeve, me vallet madhështore.
Ishte vitin 1967, kur ajo pranohet si valltare profesioniste pranë Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, krahas valltareve të tjera. Në fillim interpreton si valltare e thjeshtë në grupin e valleve në vallet “Vallja e maleve”, “Vallja e tërkuzës”etj
Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, e cila për më se 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle, nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si, “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj. Me kërcim të lehtë e plotë bukuri interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme,, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj.
Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.
Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Këto cilësi i dhanë asaj mundësinë që të shpreh më mirë aftësinë në interpretimin e valleve lirike, por edhe atyre epike.
Ajo nuk është më, do ti mungojë skenës së valles shqiptare, por do të jetë e përjetshme me pasionin dhe punën e saj me përkushtim për të krijuar një repertor vallesh që janë kërcyer dhe do të kërcehen, duke kujtuar gjithmonë atë dhe kontributin e saj të çmuar në pasurimin e këtij thesari shpirtëror.