Ajo është padyshim një nga femrat më të fuqishme në Shtetet e Bashkuara dhe dikur personi më i besuar i Presidentit Donald Trump. Nikki Haley, ish-guvernatore e Karolinës së Jugut dhe ambasadore e Kombeve të Bashkuara, ka shpallur kandidaturën për t’u bërë presidente e SHBA-së në vitin 2024.
Ajo është kandidatja e dytë republikane, pasi edhe ish-presidenti Donald Trump tha në nëntor se do të garojë sërish. Por gjatë një pritjeje të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, shumë vjet më parë, Nikki Haley i ka habitur të gjithë kur ka pohuar se bashkëshorti i saj është me origjinë shqiptare.
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara tha se Uashingtoni po punon shumë që të gjitha vendet ta njohin Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe se bashkëshorti i saj është me origjinë shqiptare.
Duke theksuar faktin se bashkëshorti i saj është me origjinë shqiptare, përfaqësuesja e Trump tha se:
“Ne donim të merrnim pjesë në këtë aktivitet për disa arsye. Jam këtu me burrin tim, gjyshi i të cilit erdhi në Amerikë nga Shqipëria.
Ne po mundohemi që Kosova të njihet nga të gjitha vendet në Kombet e Bashkuara dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa t’ia dalim”, u shpreh Haley.