Me firmosjen e marrëveshjes së njohjes së përbashkët të pensioneve nga dy ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Italisë, ajo duhet të ratifikohet në parlamentet e dy vendeve dhe më pas hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrëveshja njëherë e mirë zgjidh një padrejtësi të qytetarëve që nuk përfitonin pension për shkak se i mungonin vitet minimale të kontributit në të dyja shtetet, Shqipëria e ka limitin 15 vite, ndërsa Italia 20 vite.
“Marrim shembullin ku një qytetari i mungonte një vit në Shqipëri apo në Itali për të përfituar pensionin minimal. Në rast se nuk do të ishte marrëveshja ky emigrant në moshë për pension nuk do ta merrte dot pensionin në asnjë nga shtetet. Në mesin e emigrantëve ka një keqkuptim sikur Italia do jetë përgjegjëse për të paguar pensionin Italian për këto 33 vite. Kjo nuk është e saktë, secili shtet do paguajë pjesën e vet, Shqipëria për ato 14 vite pension shqiptar, ndërsa Italia për ato 19 vite”-shprehet Beskida Aliaj, Drejtuese e INAS CISL Albania .
Marrëveshja i jep të drejtë emigrantëve shqiptarëve të përfitojnë edhe pension vjetërsie.
“Në rast se një qytetar qoftë italian apo shqiptar ka arritur të plotësojë 42 vite e 10 muaj për burrat apo 41 vite e 10 muaj për gratë me kontribute të rregullta, atëherë ai mund të dalë në pension në çfarëdolloj moshe, dhe jo në moshën zyrtare që e ka Italia 67 vjeç.”
Gjithashtu ligji italian njeh edhe të drejtën e pensionit të parakohshëm. Marrëveshja duke mundësuar bashkimin e viteve të kontributeve në të dy vendet i jep mundësinë emigrantëve të përfitojnë nga kjo lehtësi
“Më përpara quhej kuota 100, tashmë është bërë kuota 103, çfarë do të thotë? Vitet e moshës plus vitet e kontributit të arrijnë totalin 103. Pra, një qytetar që është 62 vjeç në rast se ka 41 vite pune me kontribute në Itali mund të dalë menjëherë në pension dhe nuk ka nevojë të presë moshën 67 vjeç.”
Përpara marrëveshjes, emigrantët shqiptarë duhej të hiqnin dorë nga rezidenca apo nënshtetësia italiane që tu njiheshin vitet e kontributit në Shqipëri, nëse ishin më pak se 20 vite. Gjithashtu sistemi italian i pensioneve nuk u njihte të drejtën e përfitimit në vitet 91 – 96. Kjo tashmë ka ndryshuar
“Kush kishte filluar punë në vitet 91 – 96, nuk përfitonte pensionin edhe nëse kthehej në Shqipëri. Kështu që ata ishin të përjashtuar nga sistemi Italian nëse nuk kishin arritur të bënin 20 vite punë. Tashmë, marrëveshja e firmosur i eliminon këto mungesa, deficitet, limite apo kushtëzime.”
Gjithashtu emigrantët shqiptarë që kanë punuar në të zezë në një nga dy vendet, marrëveshja i ndihmon nëse kanë ndërmend të blejnë vitet e kontributeve
“Në rast se qytetari nuk i ka vitet e mjaftueshme për të përfituar pension as në Shqipëri dhe as në Itali, atëherë mund t’i blejë këto vite me kontribut vullnetar, aq sa të jetë e nevojshme për të plotësuar këto 15 vitet e punës në Shqipëri. Duhet pasur shumë kujdes se cilat vite duhen blerë. Pra, nëse qytetari ka një vit të zbuluar, pra nuk ka paguar kontribute as në Shqipëri dhe as në Itali, atëherë atë vit mund ta blejë.