Selami Brahimi është personi që mbeti i plagosur këtë të enjte në lagjen “Xhabiej” në Shkodër.
Gjatë të shtënave me kallashnikov ai ndodhej brenda në automjet. Autori është arratisur, ndërsa ende nuk dihet nëse është atentat apo konflikt i çastit.
Autori arriti të arratisej nga vendi i ngjarjes, ndërsa janë ngritur pika kontrolli për krehjen e zonës.
Drejtori i policisë vendore të Shkodrës, Edmond Sulaj tha se po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe se po bëhet këqyrja e kamerave të sigurisë dhe po pyetën dëshmitarët dhe vetë i plagosuri.
“Në orën 17:50 këtu në lagjen “Xhabiej” është qëlluar me armë zjarri shtetasi Selami Brahimi i cili është plagosur lehtë dhe është duke marrë mjekim në spitalin e Shkodrës. Është formuar grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Janë duke u marrë kamerat e sigurisë si dhe po pyeten dëshmitarët okular që kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë do të intervistohet i dëmtuari. Sa i përket shkaqeve po punohet nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave. Jemi duke punuar intensivisht për ta zbardhur dhe sigurojmë qytetarët se policia vendore e Shkodrës ka të gjitha kapacitetet për të zbardhur ngjarje të tilla”, u shpreh drejtori Sulaj.
“Rreth orës 17:55, në lagjen “ 10 Korriku”, Shkodër, është qëlluar me armë zjarri makina e shtetasit S. B.,(e cila ka qenë e ndaluar). Si pasojë është plagosur jashtë rrezikut për jetën pronari i mjetit shtetasi S. B. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Po këqyren kamerat e po vijon kontrolli i zonës nga shërbimet e Policisë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, sipas policisë.