Faleminderit dhe mirënjohje për secilin që më votbesuat duke më zgjedhur kryetar i PD Krujë

0
227

Nga Sabah Sheta
Kryetari i degës se PD, Krujë
Dje (Premten) Kruja kishte një aktivitet të rëndësishëm politik, ishte konferenca e degës së PD ku veç anëtarëve të familjes tonë politike të qytetit nga gjithë territori i Bashkisë, ishin edhe Kryetari i PD Lulzim Basha dhe strukturat e tjera drejtuese.

Sot dua të shpreh një falenderim të përzemërt për cdo pjesmarrës në këtë ngjarje të rëndësishme politike që kishte të bënte me zgjedhjet e strukturave të reja drejtuese të degës së PD si; kryetari dhe kryesia, opozitës reale në Krujë ndaj pushtetit.

Votbesimi për kreun e PD Krujë nga demokratët e nderuar krutanë, bashkëudhëtarë të jetës dhe familjes sonë politike më obligon edhe më shumë për të dhënë më të mirën në vazhdim për të justifikuar këtë besim dhe iu garantoj se nuk do të iu zhgënjej.

Vëllezër demokratë, tani që këtë proçes brenda vetes e përmbyllëm, një sfidë jo e vogël na pret në ditët e muajt në vijim. Vitin tjetër do të jemi në një përballje elektorale dhe ne duhet të jemi bashkë për Krujën, për Shqipërinë drejt vlerave perëndimore dhe anëtare e BE. Një mirënjohje të veçantë dua të shpreh për demokratët krutanë që i kanë qëndruar besnik vlerave demokratike dhe parimeve të tyre në 33 vite, nuk janë dorëzuar, nuk janë larguar nga familja jonë pavarësisht mosvlerësimeve, apo ndonjë mërie që mund të kenë pasur.

Vëllezër demokratë! Bashkë kemi ndarë shumë, jemi përballur me të majtën në pushtet dhe në Krujë kemi korrur fitore mbresëlënëse. Kemi treguar që kur jemi bashkë s’ka kundërshtarë që na mposhtë.

Vëllezër, apeli im është që të jemi sa më të bashkuar dhe të fortë, të thërrasim në gjirin tonë djemtë dhe vajzat më të mira të Krujës që nuk i mungojnë, me qëllim që PD në vitin 2025 krah mbështetjes së partnerëve (SHBA-Britani e Madhe-BE), të jetë jo vetëm fituese por dhe forca politike që do të ndryshojë rrënjësisht mentalitetin e të bërit politikë dhe sjell një qeverisje me standarte europiane.

Koha është sot, nesër do të jetë vonë.