BallinaKultureProvinca dhe socializimi i letërsisë

Provinca dhe socializimi i letërsisë

Petrit Nika

Në natyrën e vet qenia njerëzore është sociale, prandaj njerëzimi arriti në këtë pikë të zhvillimit ku është sot, ku flitet tashmë për globalizëm. Globalizmin si term jemi mësuar ta lidhim me shkëmbimet e mallrave, lëvizjen e lirë të njerëzve, humbjen e rolit të kufijve në një botë të lirë ku gjithkush shkon kudo ku i përshtatet për të punuar, tregtuar apo jetuar. Pa i hyrë analizës se si po funksionon në rrafshin politik globalizmi sot, do ndalem të ndaj me ju disa pikëpamje, si deduksione mbi atë çka kam konstatuar nga vëzhgimet e mia në rrafshin kulturor. Pavarësisht vlerës së arit me stampën e “Cezarit”, para së gjithash, marrëdhëniet njerëzore stabile nuk duhet të harrojmë se ka të ngjarë të përcaktohen para së gjithash në nivele kulturore e shpirtërore. Çdo individ në këtë planet është bartës i një kulture individuale që lidhet me genin dhe formimin dhe krahas saj gjithashtu është bartës i kulturës së një grupimi, apo etniteti njerëzor. Globalistët e dinë këtë, por ata i motivojnë ithtarët e vet për paanshmëri dhe pranim, ide e bukur, por nisur nga mënyra se si po funksionon, unë e shoh si një utopi. Politikanët kozmopolit mbajtën për vite e dekada me radhë qëndrim përbuzës ndaj politikanëve parokialë, të cilët ishin më radikalë e reaksionarë, biznesmenë provincash, dallkaukë pa ndonjë shkëndijë kulture në mendje as në gojë, por duket se rolet tashmë janë drejt përmbysjes. Pa shkuar larg në ndonjë vend të botës për analogji, mjafton të kujtojmë se me kë përfaqësohej parlamenti shqiptar në vitet “30 dhe të bëjmë krahasimin me përfaqësimin pas vitit “1997 e këtej. Sado që nuk duam ta pranojmë, suksesi i letërsisë është i lidhur me lexuesin dhe lexuesi është qenie politike që e lidh suksesin e poetit me statusin social. Statusi social përcaktohet nga marrëdhëniet me sociumin dhe udhëheqëse e sociumit është vetëm politika.
Në rastet e letërsisë së angazhuar popullariteti i poetit, apo shkrimtarit kthehet në çështje shtetërore dhe autori e ka të sigurt vëmendjen: botimin, promovimin, panairet, çmimet, mediumet, bursat, detyra të rëndësishme si kostume që i përshtaten mirë “shtatit” të tij, përfshirjen në antologji të ndryshme, përfshirjen në libra shkollorë dhe studime universitare, madje edhe përkthimin në gjuhë të huaja. Domosdo ky model i legjitimuar i autorit të imponohet edhe nga publiku dhe, si çdo gjë e imponuar, të kthehet në bumerang, i cili dashur – padashur krijon atë raportin zinxhir të kultit të individit në marrëdhëniet e individualiteteve letrare, që nga kryeqendra drejt periferive më të skajshme. Këtë kult e shohim kudo sot, ndërsa për paradoks flasim për globalizëm kulturor. Televizionet, mediat, portalet, por dhe rrjetet sociale e mbështesin masivisht këtë kanibalizëm kulturor me hierarki të vendosura nbi kultin e individit. Sot nuk ka rëndësi ku jeton për të rrezikuar të biesh në hendekun e provincializmit dhe margjinalizimit. Decentralizimi është gjithashtu një utopi. Në natyrën e artit nuk është parapërcaktimi krahinor etnik apo gjinor. Të gjitha rrugët të çojnë në Romë! Por, rreziku i provincialzmit sot nuk vjen më dhe aq nga hapësira gjeografike, apo idetë e papjekura e konservatore, por kryesisht nga përshtatja, apo mospërshtatja me sociumin, pra me socializimin, apo margjinalizimin. E them me bindje të plotë këtë, pasi kam patur rastin të shoh akademikë që shkruajnë, jo thjeshtë qoka gazetash, por libra të tërë studimorë për libra pa pikë vlere idore as estetike. Pra vëmendja kthehet nga faktorë të tjerë ekzistencialë që e prostituojnë vetë qëllimin e jetës së tyre në letërsi. Nga ana tjetër, individi me kultin e plotësuar qëndron si Zeus në fronin e tij në Olimp, ndërsa hyjnitë e tjera, sipas rastit e mundësisë, krijojnë aradhën e dytë me shpresën se kur të vdesë ai do të ngjiten sekush syresh në atë fron, – në atë aradhë qëndrojnë shatoret përreth Olimpit me gjeneralë, kolonelë e deri tek adjutantët që çojnë haberet çadër më çadër, – botues, portale, mediume, institute, shoqata e fondacione që rreken t’i mbajnë në formë të mos lodhen nga pritja. Këtu është jeta kozmoplite e shkrimtarit në epokën tonë dixhitale. Pa harruar edhe shatoret e ndritshme që ngrenë të tërhequrit nga politika, gazetarë dhe aktorë me akses të madh publik, të cilët rrugën drejt Olimpit e nisin me xhepat plot dhe si të tillë janë mjaft të preferuar edhe nga botuesit. Po nuk e pe veten në një nga këto shatore, padyshim je i huaj, i përket provincës dhe do të jesh i margjinalizuar, jo vetëm sa të jesh gjallë, po edhe pas vdekjes. Historia kujton heroizmat e gjeneralëve, ushtarët janë thjesht statistika në memorien e saj. Realisht, në epokën tonë, letërsia në përgjithësi dhe poezia në veçanti e kanë tepër të rrezikuar mbijetesën. Faktorët që i riskojnë janë të shumtë, sa letrarë, aq më tepër ata jashtëletrarë. Faktorët letrarë kanë të bëjnë me pritshmërinë ndaj letërsisë në një epokë ku çdo zë autorial tashmë është më së shumti një “neo”, d.m.th., që gjallon pas kultit të një tjetri, ose disa të tjerëve, kurse faktorët jashtëletrarë kanë të bëjnë me vetë evoluimin e përshpejtuar të kërkesave të sociumeve në epokën tonë. Lexuesi në epokën tonë është si ai tipi që vrapon aq shpejt sa nuk ka kohë të të kthejë as përgjigje, nëse e pyet nga i bie kjo rruga që ke përpara, po qe se je në një kryqëzim, ku tabelat orientuese dikush i ka parë të përshtatshme për skrap. Jo më të ndalojë të lexojë shënimet e tua të zhubravitura në xhep. Në dalldinë e përpjekjes për scializim, letërsia jonë e sotme natyrisht ka vetëm një orientim: Tiranën. Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë! Edhe Shkupi, edhe Prishtina, edhe letërsia që shkruhet në emigracion, Tiranën e shohin si Olimpin e sigurtë, për të dalë nga margjinalizimi i provincave. Sa i përgjigjet Tirana e sotme me politikat kulturore të saj e me institucionet e shoqatat kulturore nevojës për socializim? Absolutisht nuk ka asnjë rol pozitiv, përkundrazi vakumi institucional ka rritur tensionin e shatoreve për të marrë atë rol, duke krijuar një sektarizëm të rrezikshëm. Lexuesi i thjeshtë nuk i di marrëdhëniet e autorëve dhe ndikimin që ka ky fenomen te socializimi. Ato i dinë vetëm instancat kulturore. Publicisti dhe përkthyesi amerikan Donald Allen, kur botoi në vitin 1960 antologjinë “The New American Poetry”, theksonte se në fillim si strategji për përmbledhjen e antologjisë ishte nisur duke i grupuar autorët sipas klaneve e vendeve ku jetonin, por përmes kësaj metode sipas tij nuk jepej përmasa unike e poezisë amerikane. Në fund të fundit, poezia e tyre nuk kishte patur si qëllim sektarizimin e poezisë amerikane, këtë e kishin bërë vetë autorët në luftën për socializim të letërsisë së tyre në një mjedis ku secili luftonte për ekzistencë në rrugën e thiktë drejt Olimpit. Tirana mund ta shpëtojë nderin e letërsisë së sotme shqipe duke i bashkuar copëzat, përndryshe do e humbasë përfundimisht edhe nderin e vet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular