Kapitalizimi i sektorit bankar u rrit më tej gjatë vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit 2023 arriti në 19.42%, nga 18.13% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.
Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në fund të vitit 2023 arriti në 187.2 miliardë lekë, në rënie me 8% krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.
Faktori me ndikimin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator të sektorit ka qenë rezultati I lartë financiar i vitit 2023.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2023 fitimi neto i sektorit bankar me standardet lokale arriti në 32.5 miliardë lekë, në rritje me pothuajse 50% krahasuar me vitin 2022.
Rritja e normave të interesit ka dhënë një efekt të lartë në rritjen e rezultatit neto nga interesat dhe në rezultatin financiar neto të sektorit bankar.
Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të vitit 2023 arriti në 963.6 miliardë lekë, në rritje të lehtë me 0.8% me bazë vjetore.
Rritja e kufizuar e aktiveve me rrezik i detyrohet një rritjeje më të ngadaltë të kredisë dhe sidomos efektit statistikor negative të kursit të këmbimit, për shkak të zhvlerësimit të valutave kryesore të huaja në raport me Lekun.
Raporti I mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar në Shqipëri ndodhet pranë niveleve më të larta historike. Rritja e këtij treguesi gjatë viteve të fundit ka ardhur paralelisht me rritjen e fortë të kërkesave minimale rregullatore nga Banka e Shqipërisë. Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen.
Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta kërkesa gjatë dekadës së fundit ka qenë edhe më e lartë. Me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë. Rregullorja për shtesat makroprudenciale të kapitalit u miratua që në mesin e vitit 2019 dhe ato do të aplikohen gradualisht deri në vitin 2024.
Shtesa konservuese e kapitalit që prej datës 1 janar 2024 do të rritet në 2.5%, nga 2% që ishte detyrimi për tu përmbushur gjatë vitit 2023.
Shtesat markoprudenciale të kapitalit i shtohen kërkesave rregullatore bazë të kapitalizimit të bankave, që përcaktohen në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”. Nga 12% që është kufiri minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 2.5% ky kufi ka arritur në 14.5%. Rritja e 1 janarit 2024 është rritja e fundit në ciklin e rritjes graduale pesëvjeçare të shtesës konservuese të kapitalit.
Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania. Aktualisht, BKT ka një kërkesë shtesë në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 1.5%, që bashkë me shtesën konservuese prej 2.5% e çon raportin total të mjaftueshmërisë së kapitalit në 16%, Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera (në total 15.5%), ndërsa OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera (në total 15%).
Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL). Këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit. Kjo e çon kërkesën minimale të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit nga niveli 16.5% deri në 17.5% për pesë bankat në fjalë.