Ish nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku, shkëlqeu me mungesën e saj në mbledhjen e përbashkët të bashkimit mes dy grupimeve të demokratëve në selinë qëndrore të partisë. Në listën që iu shpërnda mediave, përkrah emrit të saj shihej shënimi: “mungesë për arsye shëndetësore”.
Në fakt, justifikime të tilla Tabaku i ka përdorur shpesh, deri në pabesueshmëri, për të mos marrë pjesë në tubimet mes miqve të saj të “grupimit Bardhi”, me ato të idhtarëve të Berishës. Arsyeja reale me siguri nuk gjendet tek vuajtjet fizike, por tek ato politike të deputetes demokrate. Ajo i bëri fare mirë të qarta ato, në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite në Uashington, në të cilën pati rastin të postojë edhe një foto me dy nga diplomatët më të urryer për elektoratin berishist, Yuri Kim dhe Gabriel Escobar (foto poshte).
Aty, Tabaku theksoi se është kundër rrugës radikale që po ndjek opozita reale në parlament: “parlamenti duhet të jetë arenë debati, ku duhet të mbizotërojë forca e argumentit dhe jo forca e veprimit”. Ajo u shpreh edhe kundër sulmeve ndaj SPAK, pa qenë në gjendje të komentojë nëse ky i fundit ka zbardhur realisht ndonjë çështje nga fillimi në fund, apo nëse ai po përdoret politikisht nga qeveria. Ajo u mjaftua me slloganin:“Mua nuk më vjen mirë që dëgjoj që ka sulme ndaj SPAK-ut, ndaj institucioneve të drejtësisë. Në mënyrë absolute nuk e kemi betejën me SPAK-un”.
Po ti dëgjosh këto komente ato ngjajnë si dy pika uji me idetë që qarkullojnë përeth blogosferës së rilindjes.
Por ky është vetëm një iluzion i gabuar. Tabaku është një nga opozitaret më të strukturuara ndaj regjimit kleptokratik të Ramës. Ajo ka denoncuar me fakte edhe argumenta shumë afera investimesh strategjike, koncesionesh dhe PPP-sh të qeverisë. Ajo i ka prirë të vetmit sukses real që ka pasur opozita që pas zgjedhjeve të vitit 2021, komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët.
Atëherë pyetja që shtrohet është: si ka mundësi që një deputete e çertifikuar si opozitare, përdor në publik gjuhën që Edi Ramës i ushtron në vesh si një melodi prej kundërshtarëve të vet?
Ky paradoks mund të shpjegohet, sa me arsye personale, po aq dhe me gjendjen absurde ku gjendet PD-ja. Individualisht, Jorida Tabaku ka rënë në çarkun e një politike burokratike, që ia imponon pozicioni i të qenit shefe e komisionit parlamentar për integrimin. Duke shpenzuar energji me diplomatë, preokupimi më i madh i të cilëve është të mbushin axhendën e tyre vanitoze në Tiranë, duke harxhuar më shumë kohë në avion, për të arritur në samite ndërkombëtare që s’prodhojnë asgjë, ajo është renditur në qerthullin e atyre që mendojnë se fuqinë në politikë ta jep një elitë e përzgjedhur dhe jo marëdhëina me militantët apo votuesit.
Kësaj bestydnie ajo i ka prshtatur lookun, fjalorin, qëndrimet. Por përtej kësaj përzgjedhje vetiake, ashtu si shumë demokaratë, ajo është në thelb viktimë e ekzistencës absurde që po përjeton PD-ja.
Ndonëse në profil ngjan më shumë e Bashën, duket se ajo i ka prerë njëherë e mirë urat me të, që pasi u shpreh kundër rikthimit të tij dhe e konsideroi si një personazh që i përket së shkauarës. Ajo e kupton kaq gjë, se nuk mund ti vërë flakën gjithë trashëgimisë së saj duke u renditur përkrah opozitarëve fallco, që “de facto” punojnë për Ramën.
Por, nga ana tjetër, ajo nuk e kapërdin dot valën e sulmeve ad hominem, që nuk i kursyen për një kohë të gjatë në rrjetet sociale berishistët. Ajo nuk është e gatshme të ngrihet mbi kërcënimin e ngrënies së barit, për të bërë kauzë të përbashkët me një “non grata”. As në makthet më mizore të imagjinatës së saj, nuk ngre kokë kundërvënia ndaj SPAK, përsa kohë atë e mbështesin amerikanët.
Eshtë pikërisht ky dyzim për të mos zgjedhur, midis opozitës fallco të Bashës dhe asaj « anti amerikane » të Berishës, që mund ta bëjë Tabakun një viktimë kolaterale të situatës kaotike ku ndodhet PD. Kjo e ka bërë gjuhën e saj të drunjtë, mesazhet e saj të zbehta dhe asksionin pothuasje të papërfillshëm. Ngurimi buzëhollë për të mos kapërcyer në asnjërin nga brigjet, mund të bëjë që edhe atë ashtu si shumë demokratë të tjerë që nuk dolën të votojnë në 14 maj, ti marrë lumi. Ata figurojnë me mungesë “për arsye shëndetësore”, në betejën që duhet të ndërtojë opozita.
Po a e kanë luksin ta humbësin këtë kategori, të çoroditur, të pabusull, të friksuar po aq sa edhe të neveritur, ata që kërkojnë të përballen me regjimin e Ramës?
Natyrisht që jo. Largimi i asaj fashe që simbolizon Jorida Tabaku, nuk është vetëm fundi i aktivizmit dhe karierës së tyre si opozitarë. Ajo është mbi të gjitha një mangësi në spektrin e betejës me PS-në. Aty duhet të ketë vend edhe për ata që janë po aq të barazlarguar nga Basha, sa edhe nga Berisha, pasi bashkimi real i opozitës nuk mund të arrihet qoftë dhe pa ata që marrin raport tek mjeku, para luftës./ Lapsi.al