Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken do të zhvillojë një vizitë më 15 shkurt në Tiranë. Blinken pritet të mbërrijë në Shqipëri rreth orës 11:00 dhe pritet të qëndrojë deri në 20:00.
Ish-ambasadorja Yuri Kim në një konferencë të zhvilluar me gazetarët së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien ka theksuar se Blinken vjen në Tiranë në kuadër të 100 viteve të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Vizita vjen si fillimi i 100 viteve të dyta të marrëdhënieve me Shqipërinë e SHBA-së, vjen në një kohë kur duam të shkojmë dhe të falënderojmë kryeministrin Rama dhe Shqipërinë që ka qenë bashkëpunëtorja jonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2000. Gjithashtu duam të theksojmë, bashkëpunimin e madh e madh që ka pasur Shqipëria me ne për afganët, dhe shqiptarët kanë vazhduar traditën e tyre historike për të strehuar të huajt”, ka thënë Kim.
Fokusi i kësaj vizite pritet të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor
Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, dhe gjithashtu me kryeministrin Edi Rama. Po ashtu do të zhvillojë edhe një takim me të rinjtë tek Piramida.
“Gjithashtu do të takojmë Presidentin Begaj dhe më pas do të ketë një takim me kryeministrin, kjo nuk është domosdoshmërisht në kronologji, por do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin. Ai do të ketë një takim të bukur me njerëz që kanë kaluar nëpër programe të ndryshme shkëmbimi tek Piramida e Tiranës, një investim shqiptaro-amerikan”, është shprehur më tej Kim.