Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, ka reaguar në lidhje me situatën në veri të Kosovës dhe vizitën në Shqipëri të Sekretarit amerikan, Antony Blinken.
Në reagimin e tyre, KASH shprehet se vizita e Sekretarit Blinken në Shqipëri nënvizon angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të qëndruar pranë Shqipërisë dhe gjithë rajonit.
Po ashtu, të ndalur në situatën tensionuese në veri të Kosovës, KASH thekson se nevojitet një fokus më i madh në zgjidhjen e situatës, ndërsa kanë theksuar nevojën e vendosjes së autoritetit shtetëror në mbarë vendin.
KASH ndër të tjera ka vlerësuar partneritetin e fortë strategjik me SHBA-në dhe vlerëson përpjekjet e tyre për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar shtetin e së drejtës.
Reagimi i plotë:
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet vizitën e Sekretarit Blinken në Shqipëri dhe beson se ajo nënvizon angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të qëndruar pranë Shqipërisë dhe gjithë rajonit, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e tyre.
Ne besojmë se angazhime të tilla diplomatike përforcojnë lidhjet e forta të miqësisë dhe bashkëpunimit, si vende partnere strategjike, anëtarë të NATO-s dhe kontribues për paqen dhe stabilitetin.
Vizita e Sekretarit Blinken në Shqipëri përfaqëson gjithashtu një moment kyç solidariteti dhe angazhimi nga Shtetet e Bashkuara në adresimin e çështjeve urgjente që prekin jo vetëm Republikën e Shqipërisë, por edhe të gjithë shqiptarët në rajon.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë apelon se nevojitet një fokus më i madh në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës duke vendosur autoritet shtetëror në mbarë vendin, si dhe duke mbeshtetur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
KASH vlerëson partneritetin e fortë strategjik me SHBA-në dhe vlerëson përpjekjet e tyre për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe për të forcuar një shoqëri demokratike.