Fenomeni i bullzimit në rrjetet sociale, e veçanërisht në TikTok, është kthyer në një shqetësim të shtuar në vendin tonë, pasi në muajt e fundit ka pasur edhe viktima. Gra në shumicën e rasteve që bien pre e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, e teksa përballen me mentalitetin e ndrydhur i japin fund edhe jetës. Rasti i parë i bërë mediatik ishte ai i Bedrie Lokës në Durrës, nëna e katër fëmijëve i dha fund jetës, pas një ngarkese të rënduar psikologjike, që pikën e nisjes e pati në Tik Tok, dhe përfundimin e pati te dhuna në familje.
Bedrie Loka, i dha fund jetës në fillim të muajit Janar, duke pirë fostoksinë, e duke lënë pas hije dyshimi të ditëve të saj të tmerrit, nga dhuna e bashkëshortit të saj. Xhemal Loka, bashkëshorti i të ndjerës u arrestua disa ditë pas ngjarjes pas dëshmive të fëmijëve për dhunën që kishte ushtruar ndaj nënës së tyre. Sipas familjarëve, zënkat ishin shtuar pas një llogarie fake që i ishte hapur të ndjerës në rrjetet sociale, ku ndaj saj përdorej një gjuhë denigruese. Familja e bashkëshortit deklaroi se profili i ishte hapur Bedries nga kushëria e saj, ndërsa kishte raportime se diçka e tillë i ishte bërë nga koleget, në një fabrikë ku ajo punonte në zonën e Fllakës. Por koleget, apo kushërira, vetë Bedria e kishte denoncuar rastin në Policinë e Durrësit, që nuk e ka zbardhur as sot e kësaj dite hapjen e profilit. Kjo ishte ngjarja e parë që risillte në vëmendje pafuqinë e policisë dhe prokurorisë për të gjurmuar rrjetet sociale që hapen, duke keqpërdorur të dhënat personale, apo fotot e personave të pafajshëm.
Me të njëjtën mënyrë si Bedrie Loka, do ti jepte fund jetës në fillim të muajit Shkurt edhe 18-vjeçarja Bruna Myzeqari në një fshat të Lushnjes. Pas rastit Policia vuri nën hetim të fejuarin e saj, pasi sipas dëshmive ata kishin pasur konflikte me njëri-tjetrin që kishin shtyrë të renë drejt dhënies fund të jetës duke konsumuar fostoksinë. Por gjatë dëshmive që dhanë familjarët e djalit të vënë në hetim, Entilo Drajçi, vajza ka qenë e rënduar psikologjikisht për shkak të bullizimit që i bëhej nga shoqet në shkollë. Sipas dëshmive të tyre, ndaj saj qarkullonin disa thashetheme dhe në rrjetet sociale, se përveç të fejuarit të saj kishte lidhje dhe me një person tjetër. Këto pretendime mbetet të paverifikuara, por sipas familjarëve të djalit një gjë e tillë është e vërtetueshme dhe nga familja e viktimës. Prindërit e saj kanë mbajtur raport të mirë me familjen e djalit, duke bërë fajtore për vdekjen e Brunës pikërisht shoqet e shkollës, që kishin hedhur fjalë për moralin e saj.
Pa u shuar ende lajmi i vetëvrasjes së 18 vjeçares, një tjetër vdekje, këtë herë në zonën e Kamzës në Tiranë, do të trondiste mbarë opinionin publik. Sibela Abedini,27-vjeç, nënë e një fëmije të mitur i dha fund jetës, duke u hedhur nga lartësia e pallatit ku ajo banonte në zonën e Kamzës në Tiranë. Shkak për vdekjen e saj ishte një foto që ishte shpërndarë në rrjetet sociale nga 39-vjeçari Altin Çoku, një personazh i njohur i TikTok. Në këtë rast kartat për policinë ishin edhe më të hapura, pasi Çoku e kishte treguar rastin përmes një video live në TikTok, ku tregonte se fotoja nga hoteli që i ishte shpërndarë, i kishte sjellë probleme dhe me gruan e tij. Madje ai tregonte me detaje dhe mënyrën se si i ishte shpërndarë fotoja, pasi një shok ia kishte marrë nga telefoni. Të njëjtin qëndrim ai mbajti edhe gjatë ditës së sotme në Gjykatë, ku tha se nga TikToku hante bukë, dhe se policia e kishte arrestuar në mënyrë të padrejtë. Çoku përveç se një personazh, që shumicën e ditës e kalonte live në TikTok, ishte dhe një emër i njohur për drejtësinë, pasi kishte tentuar që të digjte kushëririn e tij të mitur, si dhe kishte kanosur një mjek psikiatër. Por hapësira që i ishte dhënë në rrjetet sociale, duket se ka shërbyer për të nxjerrë më tej në pah krimet e tij. Ai sot gjendet pas hekurave, por fotot dhe videot e tij vijojnë të shfaqen në rrjetet sociale, që shpesh kalojnë pa filtra dhe te të miturit apo adoleshentët.
Rrjetet sociale i dhanë zë edhe Fatbardha Palit, gruas shqiptare që i dha fund jetës në Greqi, pas dyshimeve se bashkëshorti i saj e tradhtonte. Këtë herë dhuna dhe bullizmi ishin përjetuar në jetën reale, atë përtej rrjeteve sociale, ku Fatbardha postonte e lumtur foto dhe video me bashkëshortin e saj. Por rrjetet sociale shërbyen për të bërë publike letrën e saj të lamtumirës, që në kushte dëshpërimi transmetonte mllef dhe urrejtje, jo vetëm për bashkëshortin e saj, por edhe te disa të afërme të familjes, që sipas saj ishin bërë shkak për tradhtinë. Fjalët e një gruaje, pak orë para se të vetëvarej ishin të rënda, ajo qe e ashpër edhe me veten e saj, duke treguar transformimin që kishte pësuar teksa përballej me tradhtinë. Postimi u fshi pas disa orësh, por dhimbja që linte dëshpërimi i Fatbardhës mbetën, edhe te djali i saj, që u detyrua të bënte dalje mediatike për të përgënjeshtruar nënën e ndjerë.
Viktimë e bullizmit në rrjetet sociale ra pak ditë më parë edhe këngëtarja Xhensila Myrtezaj, e cila është duke kaluar një moment të vështirë në martesën e saj, me aktorin Bes Kallaku. Clevio, një prej atyre personazheve tipike të Tik Tokut, do të postonte një video pak ditë më parë, ku thoshte se Xhensila ka nisur një lidhje të re me Eldi Dizdarin, i cili ndodhet në Dubai. Vetë këngëtarja u detyrua që të bënte një story, ku përgënjeshtronte lajmin, por tagu “xhensila eldi dizdari” vijon që të jetë një prej më të klikuarve në TikTok.
Shumë personazhe të tjerë të njohur e të panjohur kanë rënë pre e rrjeteve sociale, e veçanërisht TikTokut, që ka prodhuar disa personazhe nga hiçi. Ka shtete që e kanë ndaluar përdorimin e tij, por a është gati Shqipëria që të shtojë kontrollet për komunitetin online?
Në një intervistë për Top Story mbrëmjen e djeshme, Zëvendës ministri i Brendshëm, Besford Lamallari tha se qeveria është duke marrë masa të forta për rrjetet sociale, kryesisht TikTok. Sipas ministrit, veprat penale të sulmeve kibernetike janë rritur, një faktor ky i rëndësishëm që solli reagim.
“Ministria e Brendshme disponon të dhëna të raportuara nga struktura e krimit kibernetik dhe kemi parë rritje shqetësuese të veprave penale nga viti në vit. Nga 2022 në 2023, kemi 40.4 % rritje të veprave penale, duke përfshirë edhe veprat që kërcënojnë mirëqenien e të miturve. Në takimin e fundit me ministritë dhe shoqëritë civile u raportua se kishin 350 telefonata në ditë për bullizëm, apo internet të pasigurt”, tha Lamallari.
Ministri shpjegoi se ministria ka biseduar më përgjegjësit e rrjeteve sociale dhe i kanë informuar mbi shqetësimin real që kryesisht të miturit po kalojnë. Lamallari bën të ditur se do të ketë edhe takime me ta.
“Nga këto të dhëna, është ulëritëse që kemi një jetë të humbur dhe ne si shoqëri, Ministra e Brendshme, çdo institucion dhe media po reagojnë, sepse nuk duhet të presim viktimin e radhës, duke përfshirë masat me karakter legjislativ apo bashkëpunim me organizata. Ky alarm është ngritur nga këto statistika, kemi pasur kontakte me këto organizma si Meta TikTok për të ndarë me ta shqetësimet që ne kemi dhe masat që duhen marrë. I kemi lajmëruar dhe kanë reaguar, shumë shpejt do të kemi dhe takime për të diskutuar për masat”, tha ai.
Megjithatë deri në marrjen e masave për kontrollin e rrjeteve sociale, që mbetet i vështirë, apeli duhet t’iu drejtohet padyshim më së pari prindërve, që të mbajnë nën monitorim fëmijët e tyre, dhe së dyti të gjithë shoqërisë që të kuptojë se bullizmi është një fenomen që mund të prekë këdo, dhe nëse sot Bedria, Bruna, Sibela, Fatbardha, nuk jetojnë më, është edhe për fajin tonë.
Rasti më i fundit u bullizmit online ishte ai i një 50-vjeçareje në Dibër e cila u detyrua që të kontaktonte me Fiks Fare për shkak se policia lokale nuk i kishte marrë denoncimin. Në ndryshim nga gratë e tjera, ajo e gjeti forcën për të denoncuar, dhe madje për të dhënë indicie se kush ishin personat që ia kishin hapur profilin, dhe ku e etiketonin si pr*stitutë. Vënia në lëvizje e policisë pas bërjes së rastit mediatik, të paktën në Dibër e shmangu një viktimë./Zëri