Nga Halil Teodori
Haziz Ndreu është një nga personalitetet e këngës popullore shqiptar. Vlera dhe vepra e tij janë një monument në traditën dibrane të muzikës. Në mesin e rapsodëve emblematikë të kombit, emri i Hazis Ndreut renditet në radhët e të parëve me Tom Nikollën, Dervish Shaqën, Frrok Haxhinë, Sali Manin, Feride Kurtin, Fatime Sokolin, Dava Gjergjin, Drane Gegën, Arif Vladin, etj., etj., të cilët promovuan me talentin e tyre një prej thesareve të kulturës dhe pasurisë sonë shpirtërore.
Këngët e rapsodit dibran, Haziz Ndreu janë unike për fuqinë interpretuese, për gjallërinë dhe virtuozitetin, me të cilin ai i jetësoi. Për dallim nga rapsodët e tjerë që kanë krijuar e kënduar dhjetëra e qindra këngë, albumi i këngëve të tij duket modest, por origjininaliteti i këngës së tij është tej mase i veçantë. Ai spikat qoftë me zërin burrëror, të lindur apo të trashëguar, qoftë me përzgjedhjen e këngëve, meqë ai ka kënduar vetëm këngë historike dhe këngë trimërie, qoftë me melodinë dhe kompozimin e shquar artistik, qoftë me mënyrën arkaike të të kënduarit, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve. Dhe është pikërisht kjo karakteristikë që e dallon atë nga të tjerë që i lidhi kënga popullore, visari ynë kombëtar i rabsodisë.
Hazis Ndreu kishte origjinë prej një familje me tradita të rezistencës kombëtare, por edhe me traditë në këndimin e këngëve të trimërisë, të ruajtjes dhe trashëgimit të traditave të thesarit tonë të pasurisë shpirtërore. Në sajë të angazhimit dhe talentit që kishte ofruar në këndimin e këngëve dhe interpretimin e shkëlqyer me çifteli, Hazis Ndreu është shpallur “Artist i merituar”. Në moshë të re u angazhua si këngëtar popullor në Shtëpinë e Kulturës, në Peshkopi. Ka qenë i afirmuar si këngëtar popullor në nivel kombëtar. Ka marrë pjesë në Festivalin e këngës, muzikës dhe valles në Tiranë më 25-27 nëntor të vitit 1959, ku vlerësohet me çmimin e lartë “Rapsod popullor”. Pas kësaj, merr pjesë rregullisht në të gjitha festivalet folklorike të Gjirokastrës dhe në Festivalin e këngës popullore të Beratit, në vitin 1995. Ishte ky tubim i rëndësishëm folklorik, i cili e pasuroi repertorin e tij dhe e vendosi këtë talent të traditës dibrane në një pozicion të favorizuar. Për të do të nisnin të flisnin, ta vlerësonin dhe të shkruhej, për vlerat e tij origjinale dhe karakteristikat dalluese që ai manifestonte.
Për të shkruhej se: Këngët e rapsodit dibran, Hazis Ndreu janë të veçanta në shumë segmente krijuese dhe interpretuese. Për dallim nga rapsodët e tjerë që kanë krijuar e kënduar dhjetëra e qindra këngë, albumi i këngëve të tij duket modest, por origjininaliteti i këngës së ofruar prej tij është tej mase i veçantë, qoftë për vokalin burrëror, të lindur apo të trashëguar, qoftë me përzgjedhjen e këngëve. Meqë ai ka interpretuar vetëm këngë historike dhe këngë trimërie, qoftë me melodinë dhe kompozimin e shquar artistik, qoftë me mënyrën arkaike të të kënduarit, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve.
Hazis Ndreu në repertorin e tij nuk ka shumë këngë, por të gjitha këngët e tij janë antologjike e thesarit tonë të këngës rapsodike. Ai ka ditur ta çojë artin e bukur të këngës sonë popullore të gjitha këngët e tij janë këngë të krenarisë kombëtare, këngë që kurrë nuk harrohen, kurrë nuk vjetërohen. Sapo ta dëgjosh këngën e Hajredin Pashës, pavarësisht se kush e këndon dhe pavarësisht sa mundohet ta këndojë mirë e më mirë, nuk ka si të mos kujtohet origjinali, të cilit askush deri sot nuk i është afruar.
Në këtë këngë ai ka bërë bashkë zërat kushtrimtarë si uraganë të ndezur flakë të Lumës e Dibrës, zërin mobilizues të masave të revoltuara shqiptare kundër mbretit të Turqisë, ka intonuar zërin më të fuqishëm të mundshëm të kushtrimit të furisë kryengritëse, të ndeshjeve për jetë a vdekje, zërin e ngadhënjimit çlirimtar, në anën tjetër ka segmentuar edhe zërin e qyqes, të pashait, i cili vajton fatin e zi, vajton atin e ushtarët, derisa përmes zërit të malësorëve dibranë i bëhet me dije pashait se Dibra nuk është “Selanëjk” e as “Përlep”, por është një termopile e Shqipërisë, e cila u la në gjak vjet për vjet, por kurrë nuk u mposht dhe kurrë nuk u shua.
“Heroizmi me të cilin e përthekon strukturën e këngës, Hazis Ndreu, pastaj forca mobilizuese me të cilën e mban gjallë nga fjala në fjalë, nga rreshti në rresht, nga strofa në strofë, krijojnë tërësinë emblemë të këngës, e cila jeton përgjithmonë, meqë edhe është krijuar për të qenë një këngë e tillë, një këngë e përjetshme që ka vulosur në kujtesën e kombit vetëm njërën prej 400 betejave të Shqipërisë kundër Perandorisë më të madhe të botës, kundër Perandorisë osmane.
Ritmi dhe gradacioni artistik i kësaj kënge të sjell në kujtesë hapërimin e kalorësve që shkojnë drejt vdjekjes, sjellin në kujtesë kushtrimin e mobilizimin popullor, për të mos lejuar ushtrinë pushtuese t’i shkel trojet, sa e sa herë të lara me gjakun e trimave dhe trimëreshave.
Këngëtari popullor, po me të njëjtën mënyrë këndimi qësendis edhe pashanë turk, i cili pendohet për ndërmarrjen luftarake, duke përjetuar thellë humbjen drastike e tragjike në fushë të betejës, atje ku kishte hapur varre për ushtarët e tij, atje ku ushtria e tij ishte bërë mish për korba dhe kishte mbetur nëpër llogore, në Grykë të Radikës, atje ku i kishte mbetur tërë ordia. Rapsodi nuk i qesëndis as i lëndon ushtarët e mjerë, që i kishin bërë mish për top. Ai, dhembjen për ta e shpreh përmes gojës së pashait, i cili vajton fatin e vet të zi, por edhe humbjen e qindëra ushtarëve.”
Kjo këngë epike-heroike, përveç forcës mobilizuese, ka edhe një melododi mahnitëse që të rrëmben si një forcë magnetike, duke të mbërthyer në botën e heroikes dhe tragjikes, duke të sjellë në kujtesë dhembjen bashkë me krenarinë.
Hazis Ndreu me pietet të këngëtarit kushtrimtar, i ka kënduar edhe kryetrimit të Lumës e të Shqipërisë, luftëtarit të përkushtuar Elez Isufi, i cili “në malet e Lurës dhe të Korabit, fushën e mbushi me shapka të sërbit”.
Në këtë këngë historike i këndon bëmave të dy komandantëve popullorë, Elez Isufi dhe Isuf Xhelili, të cilët me malësorët dibranë e lumjanë u dolën para hordhive serbe e ruse, që po depërtonin nëpër malet e Shqipërisë, me qëllim për ta pushtuar e për ta shfarosur gjatë kohës së Luftërave Ballkanike. Edhe pse ishte një luftë krejt e pabarabartë, lumjanët e dibranët luftuan ashtu sikur spartanët dikur, meqë kishin Elez Isufin e Isuf Xhelilin.
Ka punuar me zell në fushën e historisë, ku ka dhënë kontribut të vyer në mbledhjen e të dhënave gojore e dokumentare për ngjarje të rëndësishme të luftërave popullore e figurative atdhetare me të cilat ka referuar në sesione shkencore e simpoziume brenda dhe jashtë vendit. Është ky pasurim i vlerave të tij kontribuese që përbëjnë njëkohësisht edhe një vlerë të shtuar të këtij personaliteti.
Një përcjellje origjinale të vlerave të tij të gjithanshme mund ta referojmë edhe tek ajo që kanë thënë për të personalitete të kulturës shqiptare
Dritëro Agolli: “Hazis Ndreu, miku im, mjeshtër i humorit dibran. Sot e kësaj dite si ai nuk gjen më. I papërsëritshëm, i papërtuar, modest dhe shpirtmirë”
Moikom Zeqo: “Hazisi është unik. I veçantë, i rrallë në çdo krijimtari të tij, ku ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve me mënyrën e veçantë të të rrëfyerit, duke qenë një nga pasuritë më të mëdha në rrafshin e ligjërimit, jo vetëm kombëtar, por ndoshta edhe europian”
Kolë Jakova: “Hazis Ndreu asht ngritë mbi rapsodët aktualë të Veriut..Ai e ka nda çiftelinë dhe shkruan në frymën e Fishtës. Madje në disa konceptime epike Ai ma shumë pin ujë në Eposin e Kreshnikëve”
Drago Siliqi: “…Ky Hazizi i Dibrës asht me kryet tek Eposi i Kreshnikëve dhe Lahuta e Fishtës”
Bujar Kapexhiu: Tek Hazis Ndreu arti gërshetohet në mënyrën më brilante. Ka shkelur në të gjitha gjinitë e tij dhe ka lënë gjurmë. Jeta e pasur artistike e ka veshur me pavdekësi këngëtarin, poetin, aktorin, rapsodin, historianin dhe etnografin Hazis Ndreu.
Shkrimtari Xhafer Martini, në librin e tij “Hazis Ndreu – Prsonaliteti, krijimtaria”, ndër të tjera shkruan se: “Te Hazizi vepronte si tek rrallë njerëz, teoria e kompensimit: Zoti i kishte mohuar ato që ua kishte dhënë të gjithëve, por nuk e kishte nxjerrë nga sytë: për të do të kujdesej si për të rrallët, do ta pajiste me talent dhe dhunti për shumë fusha. Një fjalë e urtë thotë: ‘Kur të do Zoti, nuk ke nevojë për të tjerët’. Megjithatë, Hazizin e kanë dashur edhe të tjerët. Kjo është meritë e tij”.
Krijimtaria e Hazis Ndreut është vlerësuar nga kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali, nga Artisti i Popullit, Luftar Paja, nga Behar Mera, Skënder Cala, Llesh Nikolla si dhe nga këngëtarët Arif Vladi, Lirie Rasha, Qerim Sula, Vera Laçi, Saje Poleshi…
“Ezopi i Dibrës” është një dedikim Haziz Ndreun. Ndoshta një emër i panjohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve, por për dibranët ka dhënë një kontribut të pazakontë në kulturë.
Çdo varg, këngë që këndohej në odat e dibranëve, sot gjendet në këtë libër po ashtu edhe folklori e poezia gjendet në mishëruar po në këtë emër. E nëse pyetjta është përse një emër i njohur vetëm në vendin e tij, sot duhet të jetë në një kopertinë?
Autori i “Ezopi i Dibrës”, Xhezair Abazi, ka thënë se Haziz Ndreu ka ruajtur me fanatizëm për 40 vjet në këto materiale dhe më pas dorëshkrimet e tij janë të përmbledhur në këtë libër, pra një person i kompletuar në të gjitha gjinitë e artit pa qënë rregullisht në shkollë.
Një panoramë e e tillë është një tregues i qartë i vlerave të tij të veçanta dhe rolin që ai ka patur në përfaqësimin e një kulturë dhe traditë, siç është ajo e Dibrës.
Kështu në harkun kohor të tri dekadave (1957-1987 ai kryen më së miri funksione të rëndësishme si: Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës Peshkopi; Drejtor i Estradës dhe Shtëpisë së Kulturës Peshkopi; Inspektor i Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Dibër, si aktor, orkestrant e koreograf në Estradën Profesioniste etj. Ndërkohë gjatë këtyre viteve merr pjesë në Festivalin e Rinisë Rinisë Botërore në Moskë, ku midis 103 grupeve konkuruese fiton çmimin e tretë si valltar (1957), fiton çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të Fjalës Artistike, me kryetar Jurie Kujtim Spahivoglin (1964) kur shkruan poemën “Dibrës time”; merr pjesë në turneun tre mujor të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Kinë (1967); merr çmimin e dytë në konkursin kombëtar për poemën satirike “Ma kadalë, or Kapidan” (1969).
Dhjetë vite më vonë më 1979 i jepet titulli “Artist i Merituar”; Më 1982 merr çmim të dytë për poezi satirike nga revista “Hosteni” dhe po atë vit, me Ansamblin “Kukësi i Ri” shkon në një turne një mujor në Kosovë, ku repertori i tij pati një pritje dhe jehonë të jashtëzakonshme.
Në vitet ’80-të Hazis Ndreu ka qenë pjesë e turneut të Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve në Turqi…
Haziz Ndreu, ka vdekur në vitin 2000 në moshë 65-vjeçare duke lënë pas një jetëshkrim të pasur, një veprimtari krijuese dhe interpretuese të pashoqe dhe një kontribut tepër të çmuar duke shenjuar emrin dhe veprën e tij në panteonin e personaliteteve të Dibrës.