Ambasada Amerikane ka reaguar pas takimit që Sekretari i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi me krerët e drejtësisë, teksa ka ndarë dhe mesazhin për kreun e SPAK ku shprehej se tashmë ka ardhur koha që të goditën të ‘paprekshmit’.
Ambasada Amerikane në Tiranë, në kuadër të përmbylljes së vizitës së Sekretarit Blinken në Tiranë, ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për reformën në drejtësi.
Përmes një mesazhi në faqen zyrtare, Ambasada shkruan se megjithëse reforma nuk është as e shpejtë, as e përsosur, as e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të marrin guximin dhe të ndëshkojnë ‘peshqit e mëdhenj’, duke nxitur në këtë mënyrë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit.
Sipas Ambasadës Amerikane, mbështetja e SHBA është e palëkundur.
“Sekretari Blinken ritheksoi angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri gjatë një takimi me krerët e drejtësisë sot.
Edhe pse reforma nuk është as e shpejtë, as e përsosur, as e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbeten të palëkundura në mbështetjen tonë”- thuhet në mesazh.
Vlen të theksohet se, në vizitën e tij të parë në Tiranë, Blinken zhvilloi një takim të veçantë me krerët e institucioneve të drejtësisë në vend, për t’i inkurajuar dhe treguar mbështetjen në punën që bëjnë.
Kujtojmë se në takimin që u zhvillua ditën e djeshme te Piramida në Tiranë morën pjesë kreu i SPAK Altin Dumani, kryetarja e gjykatës kushtetuese Holta Zaçaj, kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, si edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani.
Blinken zhvilloi dje, 15 shkurt, një vizitë në Tiranë, ku mesazhet më të rëndësishme i përqendroi te reforma në drejtësi kur tha se ajo po jep rezultatet dhe kështu duhet të vazhdojë, ndërsa vlerësoi rolin ndërkombëtar të Shqipërisë si një aleat i çmuar global i SHBA-ve.