Eksportet e kane nisur edhe vitin 2024 në vijim të tendencës rënëse që ishte e pranishme përgjatë pjesës më të madhe të 2023-shit.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se eksportet e mallrave arritën vlerën 29 mld lekë, duke u ulur me 29,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 20,7 %, në krahasim me Dhjetor 2023. Kjo është rënia më e madhe mujore që nga koha e pandemisë.
“Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, “Tekstile dhe këpucë”, dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” kanë qenë grupet që kanë ndikuar në tkurrjen e fortë të eksporteve.
Gjatë muajit Janar 2024, në uljen e eksporteve prej 29,2 %, kanë ndikuar kryesisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -19,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,0 pikë përqindje, dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,3 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,1 pikë përqindje.
Pas një tendence positive në 2022, viti 2023 ishte shumë negative për eksportet vendase për shkak të konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare, rënies së cmimeve në bursa dhe sidomos kursit të këmbimit, teksa zhvlerësimi I euros uli të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në lekë.
Industria e tekstileve e këpucëve ka qenë më e goditura, me kompanitë që tashmë kanë filluar shkurtimet e punonjësve, për shkak të rënies së porosive nga partnerët e huaj.
Këta të fundit po zhvendosin prodhimin drejt vendeve me kosto më të lira të punës.
Thellohet deficiti tregtar
Ndryshe nga eksportet, importet e mallrave janë rritur, duke përkeqësuar deficitin tregtar. Sipas INSTAT, Importet e mallrave arritën vlerën 60 mld lekë, duke u rritur me 3,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me -17,3 %, në krahasim me Dhjetor 2023. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 30 mld lekë, duke u rritur me 88,6 %, krahasuar me Janar 2024 dhe ulur me -13,5 %, në krahasim me Dhjetor 2023.
Bien eksportet drejt Italisë, Kosovës e Gjermanisë
Në muajin Janar 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2023 janë: Italia (7,6 %), Kosova (20,1 %) dhe Gjermania (34,7 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kroacia (59,3 %) dhe Austria (17,6 %).
Në muajin Janar 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia (2,7 %), Kina (2,1 %) dhe Greqia (36,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, në krahasim me Janar 2023 janë: Turqia (5,6 %), Spanja (16,4%), dhe Maqedonia e Veriut (5,1 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58,4 %, të gjithë tregtisë së mallrave. Në Janar 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 48,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë janë: Italia (29,7 %), Greqia (7,7 %) Turqia (7,6 %) dhe Gjermania (7,0 %) ./Monitor