Nga Emi Krosi
Tema: Autopsia e krimit, përmes rrëfimit dhe receptimit bashkëkohor, në romanin “Brenga e Prokurorit”, të Ahmet Prençi-t
Të shkruarit, përtej pasionit është edhe një dashuri, apo pse jo një çlirim, apo edhe dëshirë për të rrëfyer përtej vetvetes, kur “konflikti” brenda unit tënd, fillon dhe shpërndan energji të keqe. Saherë kthehesh nga vetja, për të shkruar, njeriu që mbin nga hiçi, bëhet hero, personazh, rrëfimtar, deputet, prokuror, biznesmen, vrasës, dhe rend përmes rrjeshtave në universin e shkrimtarisë si dokument. Sa për shkrimin si dokumnet, në universin letrar, pas suksesit të romanit “Anja”, Ahmet Prençi, ka shënjuar një tjetër gjetje, tashmë me titullin “Brenga e Prokurorit”.
Duket si një titull i huazuar nga Edit Durhan, “Brenga e Ballkanit”, por kohët letrare janë ndonjëherë edhe paralele, por në gjithërrokshmërinë e këtij rrëfimi, fabula “ngjiz” prokurorin Martin Çuni dhe Ariana Boja. Fije që lidhen dhe priten. Fije, që kalojnë nga e shkuara në të tashmen, duke përtërirë edhe mitologjinë: ku Ariana i duket një Rea, apo vetë Ariana (është pjesë e personazheve të mitologjisë), që fsheh diçka. Diskursi i errësisë së njeriut, duket si barku i thellë i një oqeani absurd: “një kalim i panatyrshëm”, nga kërcënimi: “nëse ti nuk ndryshon materialet në dosje, unë nuk do të flas me ty siç po flas sot”. Enigma për veten dhe (përtej)vetes e prokurorit, për vrasësin Marjan Bojën, e sfidon…Është vetëdija apo nënvetëdija që flet. Është e shkuara apo e tashmja. E njohura dhe e panjohura.
Vetja apo tjetri, që rrëfejnë dhe dëgjojnë, aty brenda “kullës” së rojës të ligjit, ku çdo gjë dëgjohet, pëshpëritet, ndihet, frymohet, heshtohet, shtangohet, frigohet, përgjohet…dhe fraza “kërcënuese” që mbështjell këmishën romanore: “bëje, para se unë do të flas përsëri, por nuk do të flas më si tani! Bëje dhe për veten tënde.” Kjo është dilema hamletiane. Ky është dyzimi. Kjo është brenga, kujtimi / dhembja / harresa / koha / rikthimi / rigjetja, që dekodon romanin përmes këtyre elementeve:
a) elemente të pranisë së tjetrit në kohën e shkuar,
b) elemente të nënvetëdijes dhe vetëdijes,
c) elemente të marrdhënies me njësinë e kohës së tashme,
d) elemente romanore policeske, të hetimit dhe kërkimit,
e) elemente mes rrëfimit real, imagjitativ dhe të përshkrimit,
f) elemente mitologjike, biblike dhe psikologjike.
Ndërthurja mes të shkuarës dhe të sotmes, është një meritë e autorit, ku sjell kohën kur njerëzit ndëshkoheshin pafaj. Rrëfimi i personazhit kryesor “endet” (përmes autorit/personazh të gjithëditur), koha na rikthen në kohën e ndëshkimeve të kota: “Rushanin e dënuan në atë kohë, e bënë shembull për të tjerët. Pas disa javësh e sollën në sheshin e vogël, fare pranë zyrës së Kryetarit të Këshillit, të lidhur me pranga”, intertekstualizmi brenda tekstit, jo vetëm si vazhdim përmes hetimeve, ku pretenca e një prokurori, thyen dykohësinë e diskursit të rrëfimit:
– distanca kohore,
– diskursi i intertekstualitetit letrar, mes dykohësh:
a) koha e rrëfimit romanor,
b) koha e rrëmifit historiko -realist, për fatin e Rushanit, por edhe rreth vrasjes së kolegut të tij polic Artur Rrasa. Futja e elementeve të kriminalistikës së ndërthurur me ato policeske, që joshin lexuesin, që në kohën reale rreket të sendërtojë imazhe filmash gjatë leximit. Por, ndiesia që të jep leximi ku ndërthuret presioni dhe frika, hakmarrja dhe vetëgjykimi, parimet dhe korrupsioni, besimi dhe nevoja, drejtësia dhe krimi, ndëshkimi dhe dënimi, janë katapultuar përmes një rrëfimi të rrjedhshëm, dinamik dhe të stukturuar mirë.
Ndërtimi i romanit me tregime që lidhen me fillin e fabulës përmes prokurorit, zbërthen edhe mënyrën e jetesës, komunikimit, organizimi i grupeve kriminale, janë realitet i përditshmërisë në shoqërinë shqiptare, ku stukturat e drejtësisë përballen me dosje të tëra, por edhe me presion nga bota e krimit kundër pandëshkueshmërisë. Rrëfimi jep përmasat e “anventurave” të vrasësve, duke zbërthyer dikotominë e psikologjisë së errët nënë-bir, Arjana/ Marjan Boja. Realizmi dhe “vërtetësia” në bashkohësi, na rrënqeth kur autori përshkon “narrativën” e të pafajshmëve si shitëset fshatare, që shesin nëpër trotuare, dhe janë viktima fatkeqe të plumbave “qorr” të vrasësve me pagesë rrugëve të Shqipërisë, apo edhe elementeve të vetë grupeve rivale të krimit, për “larje hesapesh”.
Ndërfutja apo vetëdija psikologjike e prokurorit, lidhur me të shkuarën, sipas Frojdit ka një “zhvendosje të rrëfimit”, duke shtresëzuar elementet e Egos përmes kujtimeve, pasi edhe ai (pra prokurori) është “viktimë” e “përdhunimit” të një gruaje, që i bën presion. Tashmë errësira e personazhit femëror, merr një aureolë, përmes gjuhës së thjeshtë, ku lexuesi risheh një film, me skedat e një vrasësi, apo edhe si një kronikë televizive, nga gazetarët e kronikës, ku padyshim autori, ka depërtuar deri në thellësi të krimit, që ka kaq kohë që ka mbërthyer, jo vetëm shoqërinë shqiptare, por mbarë shoqërinë botërore, përmes vrasjeve, shantazheve, presioneve, drogave duke dominuar jo vetëm botën e biznesit, por edhe politikën por, ata frikshëm si urithët, nën tokë mbjellin, frikë, panik, vdekje dhe vrasje, përmes pasazhit: “-po, i kemi. Shtetin dhe antishtetin, paqen dhe plumbat,- i ishte përgjigjur Martini. -Jemi bërë ashtu siç thoshte At Gjergj Fishta: “Tamam siç na don hasmi”. Njeriu shpiku shtetin që të ruhet nga e keqja e vet,- po mendonte me zë të lartë Martini, i cili ndihej pjesëz e shtetit dhe e rendit ligjor. Kujdes!Mund të ndodhë prapë, i vinte një zë. Liria mbetet gjithmonë e brishtë dhe lehtësisht e rrezikuar…”|
Marre nga fjalaelire.com https://www.fjalaelire.com/post/autopsia-e-krimit