BallinaOP EDËshtë koha kur nuk ka mirë kohë, as për kohën…

Është koha kur nuk ka mirë kohë, as për kohën…

spot_img
spot_img

NGA LUTFI DERVISHI  

Shqetësimi për “sharla tanët” në media është i drejtë, me kusht që me media të mos nënkuptojmë më veç gazetën, televizionin, radion, librin apo revistën…, pra median tradicionale. Dera e kësaj epoke ka nisur të mbyllet para 20 vjetësh me lindjen e “Facebook”-ut dhe po i vihet gozhda sot në epokën e “TikTok”-ut. Tashmë po jetojmë një kohë kur informacioni nuk prodhohet e filtrohet vetëm nga “profesionistët” e medias, gazetarët dhe komentatorët, por nga gjithkush, pasi sot i gjithë populli është vetë reporter.

Është koha kur një politikan është media, sepse komunikon drejtpërdrejt me “audiencën e vet” në rrjetet sociale. Është koha kur një biznesmen është vetë media, edhe pse nuk ka televizion, gazetë apo radio. Është koha kur një ‘showman/girl’ është vetë media pa pasur nevojë të jetë gazetare. Është koha kur një i krisur është vetë media, sepse të jep mend në “TikTok”…

Është koha kur një sharlatan është vetë media, madje media e madhe, sepse ka audiencë më shumë se të gjithë “intelektualët” e mbledhur bashkë. Është koha kur kushdo, me një celular në dorë bëhet media, duke prodhuar e shpërndarë informacion. Është koha e kakofonisë ku konkurron arsyeja, me budallallëkun, ku përplaset e vërteta me gënjeshtrën, propaganda me informacionin, dezinformimi me keqinformimin. Është koha kur gënjeshtra dhe propaganda jo vetëm përhapen, por edhe festohen, Është koha kur privatësia jo vetëm nuk mbrohet, por luftohet si një gjë demode.

Është koha kur absurdja bëhet normale dhe anasjellas. Është koha kur e paimagjinueshmja bëhet e pashmangshme dhe e papërfytyrueshmja bëhet rutinë. Është koha kur e pranueshmja shtyhet e shtyhet për të mbërritur në sferën e qesharakes. Është koha e rrjeteve sociale, aty ku realiteti ndërtohet dhe shkatërrohet si kështjellë prej rëre. Është koha kur çdokush që mund të belbëzojë marrina e shpall veten autoritet mbi të vërtetën.

Është koha kur neglizhohet mjeku me diplomë dhe dëgjohet “influencuesi”. Është koha kur dija matet me ndjekës, like dhe komente dhe jo me fakte. Është koha kur propaganda është oksigjen. Është koha kur më lehtë beson gënjeshtrën se ungjillin. Është koha kur qajmë, qahemi, shahemi, puthemi, ndahemi, bashkohemi dhe raportojmë njëkohësisht në kohë reale. Është koha kur bota ‘online’ është e mbushur me “informacion” që në rastin më të mirë shtrembëron perceptimin tonë për realitetin dhe në rastin më të keq, rrezikon jetë njeriu. Është koha të themi të vërtetën e madhe se nga përdorimi i rrjeteve sociale – kemi edhe viktima.

Është koha kur lufta më e madhe bëhet për vëmendje. Është koha e betejës me “smartphone” në llogoret e së cilit janë rreshtuar të gjithë nga mosha 7 deri në 77 vjeç. Është koha që më shumë se nga nikotina dhe hashashi, fëmijët/të rinjtë janë të varur nga droga e rrjeteve sociale. Është koha kur sharlatanët jo vetëm mikpriten, por u shtrohet tapeti i kuq. Është koha kur dezinformimi dhe tjetërsimi janë kthyer në model biznesi. Është koha kur shqip flasim e shqip nuk merremi vesh.

Është koha kur e vërteta është zhytur në detin e propagandës, gënjeshtrës, mashtrimit dhe marrëzisë në pritje të një like, share dhe koment për të dalë nga harresa. Është koha e lundrimit pa fund në oqeanin digjital për të mbërritur i rraskapitur aty ku ishe. Është koha të kuptohet që rrjetet sociale lindën me idenë për të bashkuar njerëzit dhe tani po i përleshin me njëri-tjetrin.

Është koha për të kuptuar se rrjetet sociale të afrojnë ata që ke larg dhe largojnë atë që ke pranë! Është koha e botës së re, kur arkitektë nuk janë njerëzit, por algoritmet që tërheqin fijet e vëmendjes sonë. Është koha kur këto “forca të padukshme” kurojnë dietën tonë dixhitale, duke na ushqyer me një rrjedhë të pandërprerë, që na mban gjithmonë të uritur jo për të na informuar dhe edukuar, por për të na mbajtur të varur….

Është koha për të pyetur veten: Do të ngremë sytë nga celulari dhe të shohim realitetin apo tashmë është vonë dhe kemi përfunduar në humnerën digjitale. Është koha kur mjafton të kesh “wireless” për të qenë media dhe i çmendur njëkohësisht për të kuptuar dhe jetuar me çmendinën.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular