E vërteta e protestës ka edhe një anë të “fshehtë”

0
268

Nga Fitim Zekthi

Protesta e mbajtur më 20 shkurt, një ditë më parë, nga ish-Kryeministri Sali Berisha u cilësua si një sukses i madh, si një protestë që pati pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, si një protestë që e zgjoi popullin dhe bëri që vendi të ketë opozitën e vërtetë përballë qeverisë, e cila tashmë duhet të ketë frikë sepse ditët e saj në pushtet po shkurtohen shumë. Gjuha me lëvdata për protestën dhe për suksesin e protestës ishte shumë e thekshme dhe veç përfaqësuesve politikë të “Foltores” që e thirrën atë, ajo u pa mbizotëruese edhe në mjaft programe televizive. Sfera publike te ne është një entitet i shkatërruar me kohë. Kjo dihet.  

Sfera publike ka për detyrë, është ideuar të luajë rolin e një hapësire midis politikës, midis sistemit politik dhe popullit në mënyrë që ky i fundit të kuptojë apo të ketë mundësinë të kuptojë të vërtetën. Sfera publike është ideuar si vendi ku në mënyrë racionale, me argumente logjike, pa pasione dhe pa gënjeshtra, pa orekse dhe pa manipulime të debatohet dhe të diskutohet realiteti politik dhe çdolloj gjëje që ka të bëjë me shoqërinë në mënyrë që shoqëria dhe njerëzit të kuptojnë të vërtetën jo siç e thotë sistemi politik, por siç ajo del nga ky debat racional dhe i pandikuar nga politika.

Në kushtet kur politika, sistemi politik flasin me lëvdata dhe hiperbola për protestën, në kohën kur politikanët dhe sistemi politik thonë se protesta ishte “madhështore, qytetare dhe trembi për vdekje qeverinë”, në kohën kur media dhe ata që drejtojnë programet në media përdorin gati të njëjtën gjuhë ose e mbrojnë qëndrimin e politikës atëherë sfera publike është shkatërruar dhe është shumë e vështirë të thuhen gjëra kundër kësaj atmosfere ose kundër kësaj së vërtete të dakordësuar midis sistemit politik (“Foltores” në këtë rast) dhe sferës publike. Kjo sëmundje e sferës publike është shumë më e rëndë kur diskutohet qeverisja apo natyra e qeverisjes së Kryeministrit Rama. Ramën është padyshim shumë I mbrojtur por kjo është një temë tjetër.

Gjithsesi, disa gjëra duhen thënë mbi protestën e 20 shkurtit. Shqipëria ka krijuar një traditë shumë të sëmurë të diskutimit mbi protestat dhe mbi natyrën e protestave. Shqipëria ka gati dy dekada që e ka bërë normale thirrjen e protestave nga partitë politike. Shqipëria ka mbi dy dekada që i sheh partitë si aktorë që thërrasin dhe që duhet të thërrasin protesta kundër qeverisë. Shqipëria ka mbi dy dekada që i gjykon protestat nga një numër standard pjesëmarrjeje, që do të thotë se një protestë quhet e madhe dhe e suksesshme në qoftë se ajo mbush me njerëz hapësirën nga dera e Kryeministrisë deri diku tek Ura e Lanës.

Protestat parimisht janë një mjet që u përket atyre që nuk kanë mundësi të jenë në Parlament, atyre që nuk kanë mundësi të flasin në media apo në televizione, atyre që nuk kanë mundësi të organizohen dhe të krijojnë grupe parlamentare duke hyrë në zgjedhje, i atyre që janë të dobët dhe pa mjetet politike për të shprehur apo kundërshtuar qeverinë dhe vendimmarrësit. Protestat parimisht u përkasin minatorëve, punëtorëve, mësuesve, studentëve, bujqve, të rinjve, të papunëve, të dhunuarve etj. Kur politika, partitë thërrasin protesta ato në thelb iu marrin një mjet atyre që në mënyrë të natyrshme e kanë mjetin e tyre. Pra si parim partitë politike nuk janë autore apo thirrëse protestash. Partitë te ne prej kohësh, por po themi pa hyrë në debate prej dy dekadash, kanë monopolizuar protestat. Partitë e kanë bërë këtë nga pafuqia për të luftuar politikisht, nga pafuqia të prodhojnë ide dhe ekipe, mendim dhe frymë, forcë tërheqëse që t’i bëjë njerëzit t’u besojnë dhe të entuziazmohen. Partitë në këto dekada kanë monopolizuar protestat sepse nuk duan të ndryshojnë, nuk duan të lëshojnë pushtet, nuk duan të hapin rrugë për njerëz të zotë dhe të rinj, për njerëz të aftë dhe të pakorruptuar që kanë ide dhe vokacion. Duke mos pasur fuqi për ndryshim, fuqi për lëshim pushteti, fuqi për tu tërhequr partitë rrinë dhe ngurtësohen dhe thërrasin protesta. Kjo sjellje polarizon në mënyrë ekstreme politikën, zhduk të vërtetën pasi në një konflikt dhe zhurmanjë të tillë e vërteta nuk merret vesh. Kjo sjellje i kthen partitë në organi zime që vegjetojë dhe që kalbëzohen dhe që presin që kalbëzimi i tjetrit të jetë më i madh në mënyrë që të fitojnë. Pikërisht për këtë shkak partitë aktivitetin e tyre kryesor kanë sharjen e tjetrit, denoncimin e tjetrit dhe protestat. Aq shumë e kanë ngulitur në mendjen e njerëzve këtë tipologji sa që mosthirrja e protestës është një blasfemi. Vetë njerëzit duke ua rrokanizur kokën prej dekadash me domosdoshmërinë protestës u kërkojnë partive protesta dhe partia është e mirë e fortë kur thotë do të kemi “protesta dhe vetëm protesta deri sa qeveria të bjerë”.

Pra, në këtë kuptim partitë e kanë gjetur protestën si një mjet për të fshehur pafuqinë, për të fshehur korrupsion moral apo politik (dhe fizik ndoshta) për të fshehur qëndrimin në vend dhe kalbëzimin. Pra, në njëfarë mënyre protesta është vetëm një mjet për të rregulluar jetën e brendshme të partisë. Kjo nevojë për të rregulluar jetën e brendshme të partisë shpeshherë është nevojë për të rregulluar edhe pozitën e kryetarit ose të atyre që udhëheqin partinë.

Kjo gjë është parë në protestat që bënte Rama pas zgjedhjeve të vitit 2009. Rama duke ngritur një çadër para Kryeministrisë dhe duke bërë grevë urie e dinte që nuk do ta rrëzonte kurrë qeverinë e Berishës, por e bënte sepse me protestën mbante partinë të karikuar dhe mbante vendin e tij në krye. E njëjta gjë edhe me protestën e 21 janarit. Rama kërkonte të karikonte bazën e dëshpëruar dhe të shfaqej si një lider i fortë dhe jo të rrëzonte qeverinë. E njëjta gjë edhe me protestat e paszgjedhjeve lokale të majit 2011 ku Rama përsëri kërkonte të mbronte pozitën e tij dhe të mbante partinë të bashkuar. Të gjitha protestat e PD-së pas 2013 deri tek ato të pasdjegies së mandateve nuk mund ta rrëzonin qeverinë Rama. Ato ishin protestat që kërkonin të mbanin partinë të karikuar dhe kompakte përballë humbjes së shpresës dhe besimit. Edhe protestat e Berishës në vitet 1998 e deri në vitin 2004 ishin po protesta me qëllim të rregullimit të jetës së brendshëm të partisë, për të kompaktësuar partinë, për të qëndruar të bashkuar rreth kryetarit dhe jo për të rrëzuar Nanon.. Një aspekt i rregullimit të jetës së brendshme është edhe ai i mosmbajtjes së përgjegjësisë. Duke dalë në protesta atëherë askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi sepse fajtori është armiku përballë dhe ai që kërkon përgjegjësi është me armikun.

Kësisoj protestat te ne u shndërruan gradualisht në mjete të rregullimit të jetës së brendshme të partive dhe sidomos të nevojave të kryetarit dhe më e keqja kjo u pranua në një farë mënyre nga shoqëria si diçka normale. Si diçka normale u pranua edhe pjesëmarrja. Mjafton që në shesh të dalin 10 mijë vetë dhe ajo quhet protestë e madhe madje madhështore. Po dolën më shumë është gjigante. Sheshi i bulevardit nga Kryeministria deri te Galeria Kombëtare është rreth 11 mijë metra katrorë dhe nëse ai do të mbushet plot dhe njerëzit do të jenë ngjeshur fare (d.m.th. 4 veta në një metër katror), atëherë aty do të jenë 44 mijë vetë. Rama, Berisha dhe Basha kurrë nuk e kanë mbushur atë shesh plot në 30 vite. Berisha në protestat “Nano ik” mund të ketë shkuar deri në 40 mijë në vitin 2004 dhe ajo mund të jetë protesta më e madhe. Rama (socialistët janë njerëz të celulave, por jo mitingjeve) me zor duhet të ketë nxjerrë 25 mijë vetë. Basha mund të ketë shkuar deri në 30 mijë vetë në një nga protestat e veta më të mëdha. Protesta e 20 shkurtit që ishte më vogël sesa të mëdhatë e Berishës në 2004, Bashës në 2019 apo Ramës në 2009, por ishte gjithsesi “e madhe” nga standardi i protestave partiake, ishte edhe më e vogël se sa protesta e Berishës në 7 korrik të vitit 2022 (ajo 7,7,7 e famshmja). Një protestë të tillë të “madhe” në një qytet me 500 mijë banorë dhe me njerëz që vijnë me autobusë dhe furgonë të mbledhur nga seksionet e partive në çdo degë do ta cilësonte të papranueshme si protestë të popullit çdo mendje normale. Partia demokratike dhe lëvizja e Foltores kanë së paku 7 mijë seksione, dmth 7 mijë kryetarë seksionesh dhe 7 mijë sekretarë seksionesh.  Këto janë disa të vërteta të dhimbshme për krizën e partive tona, të cilat kapen pas aktesh të tilla “protestash të mëdha”. Këta protesta që iu duhen partive jo vetëm që nuk i duhen popullit, por i bëjnë dëm atij sepse e bëjnë sistemin politik shumë më hipokrit.

Karry Ratingan, një profesor i universitetit të Armherst, thotë se një protestë që të ketë sukses duhet të plotësojë dy kushte. Ajo duhet të vazhdojë pa u ndërprerë dhe të rritet me kalimin e ditëve. Së dyti, ajo duhet ta bëjë qeverisjen të pamundur. Vetëm protesta të tilla janë ato që i rrëzojnë qeveritë. Çdolloj proteste tjetër është kot, është gënjeshtër dhe bëhet për qëllime të brendshme të partive. Giullia Pastorella e Lonndon School of Economics i quan protesta qesharake dhe thotë se në asnjë vend në Perëndim partitë nuk thërrasin protestat dhe t’i udhëheqin ato. Sigurisht, thotë ajo, që kurrë një protestë partie nuk e rrëzon qeverinë. Pra, që protesta e Foltores të rrëzojë qeverinë, ajo duhet që të mos ndërpritet, të bëhet më e madhe me kalimin e ditëve dhe ta bëjë qeverisjen të pamundur. Pra, duhet që ajo në datën 8 të rritej, të rritej edhe në datën 9 e kështu me radhë. Duhej gjithashtu që punëtorët e transportit, të shkollave, studentët, punëtorët e shërbimeve, mjekët, elektricistët etj., të linin punën dhe të bllokohej qeverisja. Pra, të ndodhte ajo që ndodhi në vitin 1991 me qeverinë Nano, ajo që ndodhi në Ukrainë në vitin 2008 me revolucionin portokalli, ajo që ndodhi me revolucion e karafilave në Portugali, ajo që ndodhi me përmbysjet në Çeki, në Poloni, në Rumani në vitet 1988-1990.

Kjo gjë nuk mund të ndodhë kurrë te ne në kushtet e sotme dhe protestat janë një gjë që u shërbejnë vetëm organizatorëve. Kjo është një histori e dhimbshme, e jona me protestat. Këtë herë, për herë të parë në këto 30 vite, protesta e datës 20 shkurt nevojën për të rregulluar jetën e saj e të brendshme e kishte tmerrësisht të hapur dhe gati të thënë ashiqare. Protesta këtë nevojë e shihte si luftë me kundërshtarin partiak brenda partisë dhe kundërshtarin jopartiak jashtë partisë. Protesta e datës 20 shkurt u bë si shumë herë të tjera për të mundur ata që kundërshtojnë Berishën dhe kërkojnë që Partia Demokratike të mos merret në mënyrë të paligjshme, me revolucion nga Berisha dhe të mos përfundojë në një organizatë të izoluar. Ky ishte armiku i brendshëm partiak. Armiku i jashtëm jopartiak ishin ambasada amerikane, vendimi i Departamentit të Shtetit që e shpall ish-Kryeministrin Berisha dhe reforma në drejtësi.

Si përherë në këto vite ishte protestë partiake për nevojë të brendshme duke “gënjyer” se po bëhet kundër Ramës. Është e drejtë absolute e mbështetësve të Foltores dhe e Berishës të bëjnë protesta, por duhet thënë e vërteta. Ajo ishte një protestë e mbledhur me sforco, e përgatitur për dy tre javë  javë rresht duke shkuar te çdo anëtar dhe duke sjellë me mund aq sa mundën njerëz me makina dhe autobusë nga çdo cep. Protesta u bë në kontekstin kur populli, si gjithmonë në këto dy tri dekada, rri në shtëpi apo në kafe në një qytet me 500 mijë banorë.