Nga Besart Logu
U bë e dyta apo e treta protestë kombëtare që mban Rithemelimi ku për nga organizimi, mbajtja dhe zhvillimi, duken si DejaVu i protestave të organizuara nga Lulzim Basha. Kjo mbase se gjithë ekipi drejtues i asaj kohe i është bashkuar lëvizjes së Berishës, duke pretenduar Rithemelimin e PD edhe pse janë të njejtët njerëz.
Një nga gabimet, me apo pa dashje, që PD ka bërë sa i përket protestave është ashpërsimi i retorikës çka ka sjellë rritjen e pritshmërive për pasojat që do të prodhojë protesta. E në mungesë të tyre, proporcionalisht rritet edhe zhgënjimi ndaj atyre që e thirrën protestën.
Një popull i dëshpëruar ngjan me atë të mbyturin i cili kapet edhe pas dallgës me shpresën se do ta shpëtojë. E njejta gjë ndodh edhe me popullin opozitar kur i flet për revoltë apo se Rama i ka ditët e numëruara. Të bindur se asgjë nuk do të ndryshojë nga protestat e mëparshme, ia stimulojnë vetes mendimin se dallga do shndërrohet në jelek shpëtimi.
“Fikja e protestave” fillimisht nisi të artikulohet si akuzë në periudhën kur PD mbante protestat e 2019, kohë kur u dogjën mandatet parlamentare. Vinte nga zëra të shoqërisë civile, që realisht nuk janë gjë tjetër veçse segmente të qeverisë. Struktura parapolitike që marrin përsipër misione të cilat PS si subjekt partiak nuk i përmbush dot. Propagandë që përgatitej nga zyrat e kryeministrisë për të goditur kundërshtarin politik dhe që artikulohej publikisht nga zëra, të pretenduar, të pavarur. Sulme me skenar të ngjashëm me atë të lobimit rus; njollosja e kundërshtarit me qëllim defaktorizimin e tij.
Të njëjtat akuza u morën dhe u riartikuluan nga Berisha gjatë tre muajve të Foltores. I kthyer tashmë edhe ai në kundërshtar politik të Lulzim Bashës, nisi procesin e përbaltjes duke folur ndaj kreut PD me gjuhën e Edi Ramës. Sipas tij, Lulzim Basha shkonte deri te dera e Kryeministrisë dhe më pas i tërhiqte demokratët. Dhe kjo vinte për shkak se ai ishte i shitur te Rama. Akuzë që i shkonte përshtat edhe narrativës së ngritur nga po ai, “besprerë – peng – zjarrfikës – përfitues”. Koha tregoi se besprerë nuk ishte sepse “non grata” doli qartazi vullnet i institucioneve amerikane. Peng nuk ishte sepse lobimi rus doli fluskë sapuni me dënimin e McGonigal. Zjarrfikës nuk ishte sepse po bën edhe Berisha të njëjtat protesta. As përfitues nuk doli sepse nuk provoi dot asnjë pasuri apo përfitim tjetër në emër të Lulzim Bashës.
Gjithsesi, tej baltës së hedhur të cilën koha e thau dhe Lulzim Basha e hoqi me një të shkundur të xhaketës, për fikjen e protestës së djeshme, apo dhe atë të 7 korrikut, nuk foli askush! Jo vetëm Rithemelimi, që në këtë rast është edhe akuzues edhe i akuzuar, por çuditërisht as ato zërat e pavarur të shoqërisë civile, bashkë me analistët, që çirreshin për fikje të protestave dhe se opozita nuk bind. Dystandartësia për të njejtin fenomen, atë të fikjes së protestave, është provë e gjallë e sistemit të kapur e të kalbur të Trekëndëshit të Bermudes.