Revista The Economist përmes një artikulli të publikuar së fundmi ka nënvizuar kërcënimet e Rusisë ndaj botës. Sipas revistës Kremlini zgjedh të frikësojë Perëndimin duke ngritur periodikisht çështjen e armëve bërthamore.
“Rusia po bëhet më e rrezikshme, Amerika është më pak e besueshme dhe Evropa mbetet e papërgatitur”, nis artikullin The Economist ku më tej fokusohet gjithashtu në nevojën për të mbrojtur Kontinentin e Vjetër në aspektin e mbrojtjes, në mënyrë që të mos “kapet në gjumë”.
Në kopertinën e saj, revista vendos Putinin në plan të parë, duke mbajtur dylbi dhe Donald Trump pranë tij pa iu dukur fytyra pasi është i pozicionuar me shpinë.
Udhëheqësit europianë duhet të braktisin urgjentisht vetëkënaqësinë e tyre post-sovjetike, thekson artikulli i Economist dhe shpjegon se kjo do të thotë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në një nivel që nuk është parë në dekada. Ai gjithashtu i referohet vdekjes së Alexei Navalny, duke thënë se vrasja e tij duhet të kishte zhbërë çdo iluzion të mbetur për sjelljen e pamëshirshme dhe të dhunshme të Vladimir Putin veçanërisht tani që Rusia po fiton në Ukrainë.
Duke cituar një deklaratë të ministrit të mbrojtjes të Danimarkës, Economist shkruan se brenda tre deri në pesë vjet, Putin mund të jetë gati të ngatërrohet me NATO-n, ndoshta duke nisur operacione hibride kundër një prej shteteve baltike. Revista përfundon, ndër të tjera se përparësia e Evropës duhet të jetë forcimi i aftësisë së saj për të luftuar.
“Putini ka kërcënuar me përshkallëzim për të parandaluar Perëndimin që t’i japë Ukrainës armë të avancuara. Pa frenimin e Amerikës, Evropa Lindore do të ishte e pambrojtur. A mund të ofrojnë garanci Britania dhe Franca e armatosur me armë bërthamore? A do ata?” theksohet në artikull.
“Disa, veçanërisht në Francë, argumentojnë se Kontinenti i Vjetër duhet të kërkojë autonomi strategjike nga Amerika sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë ideale përmes Bashkimit Evropian. Forcimi i rolit evropian brenda NATO-s ka kuptim sepse strukturat e nevojshme ushtarake tashmë ekzistojnë.
Rusia është shumë më e varfër se Evropa. Grabitjet e Putinit e bëjnë vendin e tij një fuqi në rënie. Por ariu ende mund të shkaktojë shkatërrim. Vendi më i mirë që Putini të ndalet është Ukraina. Megjithatë, edhe nëse kjo do të ketë sukses, Evropa do të duhet të mendojë shumë ndryshe për mbrojtjen,” thuhet më tej.