Wizz Air: Shqipëria, tregu me rritjen më të shpejtë në Europë, potenciali i turizmit

0
270

Wizz Air, operatori më i madh në vend i fluturimeve ajrore, në një prononcim për “Monitor” pohon se kompania ka luajtur një rol të rëndësishëm në drejtimin e industrisë së aviacionit, turizmit dhe ekonomisë shqiptare dhe vendosjen e Shqipërisë në hartën e turistëve, me mbi 50 linja të ofruara për dhe nga Tirana.

Wizz Air shton se në verën e vitit 2024 Wizz Air do të vendosë dy avionë shtesë në bazën e saj në Tiranë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të avionëve në 13.

Sipas kompaninë, potenciali për rritje është ende i lartë për shkak të turizmit.

Si do ta vlerësonit ecurinë e Wizz Air që nga hyrja e aktivitetit, në krahasim me pritshmëritë fillestare?

Shqipëria është vërtet një histori suksesi për ne.

Që me nisjen e aktivitetit në vitin 2017 dhe hapjen e bazës në 2020-ën, ne krijuam një urë lidhëse të drejtpërdrejtë mes Shqipërisë dhe vendeve të shumta në të gjithë Europën dhe Lindjen e Mesme, duke sjellë turistët për të eksploruar bukurinë e paprekur të natyrës së vendit si dhe duke u mundësuar shqiptarëve të udhëtojnë më lehtë dhe me çmim më të përballueshëm.

Në vitin 2022 ne kemi pasur rritje të trafikut ajror 13 herë më shumë, krahasuar me periudhën parapandemisë.

Vitin e shkuar transportuam 4.6 milionë pasagjerë drejt dhe nga Shqipëria, që është më shumë se gjysma e të gjithë trafikut ajror përmes Aeroportit të Tiranës. Aktualisht, më pak se 4 vjet më vonë, ne kemi 11 avionë në bazën tonë në Tiranë dhe dy të tjerë vijnë këtë verë, duke e çuar flotën totale në 13 avionë.

Wizz Air punëson drejtpërdrejt rreth 400 anëtarë të ekuipazhit në Shqipëri dhe procesi i rekrutimit akoma vazhdon.

Wizz Air ka përpunuar 10 milionë pasagjerë që nga fillimi i aktivitetit në vend, gjë që ka kontribuar në mbi 7500 vende pune indirekte në industrinë e turizmit.

Kemi luajtur një rol të rëndësishëm në drejtimin e industrisë së aviacionit, turizmit dhe ekonomisë shqiptare dhe vendosjen e Shqipërisë në hartën e turistëve, me mbi 50 linja të ofruara për dhe nga Tirana.

Nëse mund të bëni një vlerësim se sa ka qenë çmimi mesatar i biletave për vitin 2023 për udhëtimet e Wizz nga dhe në Rinas dhe si ka qene tendenca e tyre?

Në vitin 2023 klientët mund të udhëtonin për 9,99 euro në një drejtim me Wizz Air për dhe nga Tirana. Çmimet tona janë dinamike, që do të thotë se tarifat ndryshojnë gjatë gjithë kohës në varësi të faktorëve të shumtë, kryesisht ofertës dhe kërkesës.

Megjithatë, ne gjithmonë inkurajojmë pasagjerët të rezervojnë sa më shpejt që të jetë e mundur për të siguruar çmimin më të mirë për udhëtimin.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, në drejtim të zgjerimit të flotës dhe shtimit të destinacioneve?

Në verën e vitit 2024 Wizz Air do të vendosë dy avionë shtesë në bazën e saj në Tiranë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të avionëve në 13. Këta do të jenë avionët më efikasë dhe më të qëndrueshëm të klasit që i përkasin, avioni krejt i ri Airbus A321neo.

Wizz Air ka një flotë prej 200 avionësh dhe më shumë se gjysma e saj përbëhet nga Airbus A321neo.

Mosha e flotës tonë është një nga 3 flotat më të reja në botë, mesatarisht vetëm 4.2 vjeç. Këta avionë do të sjellin dy linja të reja: në Valencia (duke filluar nga 6 qershori) dhe Leipzig (nga 30 shtatori) si dhe rritje të frekuencës së aktivitetit në destinacione të njohura si Italia, Gjermania dhe Spanja.

Në krahasim me vendet e tjera ku operoni, si do ta vlerësoni tregun shqiptar dhe potencialin e tij në të ardhmen?

Pavarësisht se Shqipëria është tashmë tregu me rritjen më të shpejtë në Europë, ne ende shohim shumë potencial rritjeje aty. Industria e turizmit është zhvilluar me shpejtësi, duke sjellë më shumë vizitorë dhe ne presim që vetë shqiptarët të udhëtojnë gjithnjë e më shpesh.

Planet tona zhvilluese në vend e reflektojnë këtë. Aktualisht Shqipëria është e lidhur kryesisht me kontinentin evropian, pa destinacione të largëta, të cilat mund të jenë gjithashtu një nga pikat në rritje për vitet në vijim.