Sot pritet të dalin para Gjykatës së Durrësit tre fëmijët e Pëllumb Metës, burrit që u ekzekutua me katër plumba nga djali i madh i tij, Hyseni.
Ata do të përballen me faktet paraprake të mbledhura nga grupi hetimor, ndërkohë që dëshmitë e dhëna prej tyre kanë qenë kontradiktore që në krye të herës. Por përkundër mosdaljes ende në një konkluzion për shkakun real të ngjarjes, grupi hetimor ka nxjerrë në media të gjitha dëshmitë e protagonisteve të krimit horror të ndodhur më 10 shkurt.
Por janë një sërë të dhënash që shoqërojnë postarrestimin e fëmijëve të viktimës që bëjnë edhe më të ndërlikuar gjetjen e një motivi, që i ka shtyrë fëmijët të ndërmarrin një hap të tillë për ta vrarë dhe më pas për ta groposur të atin e tyre. Bashkëshortja në një dalje publike për mediat ka bërë me dije se Pëllumbi ishte i dhunshëm dhe se i kishte kërcënuar shumë herë se do t’i vriste dhe madje do t’i digjte me benzinë.
Po ashtu, ajo ka pretenduar se Pëllumbi e kishte dhunuar gjatë gjithë jetës atë dhe fëmijët ndërkohë që në fakt policia e Durrësit nuk ka bërë me dije që familja Meta ta kishte denoncuar ndonjëherë për dhunë kryefamiljarin. Po ashtu, bëhet me dije se familja e shkueses që donte të merrte vajzën për kunatin e saj kanë folur për mediat lokale, madje kanë deponuar edhe në prokurori për çka janë marrë në pyetje, duke mohuar të ishte e vërtetë ajo që thuhej nga fëmijët e Pëllumb Metës si shkak për vrasjen e tij. Ka qenë kunata e personit që u tha se ishte kërkuar vajza, që ka hedhur dritë mbi miqësinë me viktimën, pasi ajo e shihte të ndjerin çdo ditë që e sillte vajzën te stacioni i autobusëve në Durrës dhe pinte kafen në lokalin e saj.
FLET FAMILJA E SHKUESIT
Në kohën kur është ende mister motivi i vërtetë i vrasjes së Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit, bashkëshortja e tij në hetim dhe 3 fëmijët e arrestuar i qëndrojnë fort motivit të dhunës në familje dhe vendimit për të fejuar pa dëshirë vajzën 19- vjeçare. Po vendimi për ta fejuar pa dëshirë është hedhur poshtë nga familja që kishte shfaqur interes për këtë krushqi. Madje, sipas saj, edhe Blerina, nëna e vajzës, ashtu si babai i vrarë, kanë mbajtur të njëjtin qëndrim në lidhje me mundësinë e një fejese.
Ashtu si në dëshminë e dhënë në polici, edhe në një komunikim jashtë kamerave për mediat lokale, familja që kishte menduar për një lidhje krushqie me familjen e viktimës hedh poshtë pretendimin se Pëllumbi do e fejonte vajzën pa dëshirë. “Ai e kishte dritën e syve. Bënte gjithçka për të. I donte fëmijët e tij, familjen. Çdo ditë e dërgonte me makinën e vet vajzën deri në Durrës që të merrte autobusin e të shkonte në Tiranë se ishte studente e Gjuhëve të Huaja. Duke e njohur e krijuar respekt për të, se vinte çdo ditë tek lokali, rreth 4 muaj më parë, i thashë për kunatin tim që jeton në Itali, por më tha që vajza kishte filluar shkollën për Gjuhët e Huaja në Tiranë dhe s’bëhej ajo punë. Nuk e mendonin fejesën.
Megjithatë, nuk ma preu shkurt, por më tha: ‘Këto janë punë grash. Shko e fol njëherë me gruan’. Shkova dhe më priti shumë mirë, më qerasi, por edhe ajo më tha të njëjtën gjë dhe u mbyll ajo punë. Kaq qe”, – shprehet Xheni, që ndërhyri me dëshirën e mirë për të njohur e fejuar Hygertën me vëllain e burrit të saj.
“Ai po të kishte vendosur ta fejonte pa dëshirë, e kishte bërë dhe i thoshte do të fejohesh dhe mos shko në shkollë, por jo. Ne as nuk e dinim këtë gjë deri në momentin kur erdhi policia e pyeti. Ishte gjë e mbyllur. I kishte shkuar ndërmend nuses për djalin tjetër që kam në Itali. Ndaj ky si shkak për ta vrarë nuk ekziston, po edhe ai për dhunë nuk më bind. Ai i nxirrte shpesh për dreka, darka jashtë, në lokale fëmijët dhe gruan. I merrte me makinë. Para ca kohësh ishte i gëzuar se e bija i kishte dhënë makinës së tij nga Kruja deri në shtëpi dhe po mendonte t’i blinte një makinë që të shkonte e vinte nga shkolla. Madje, edhe e kishte porosi tur te pronari i makinave ku punonte.
Kështu më pat thënë”, – shton vjehrri i saj. Edhe i shoqi, O. Q. hedh poshtë motivin e deklaruar nga vajza e familjes Meta dhe i përforcuar më tej nga deklarimet e nënës dhe vëllezërve të saj se shkak i vrasjes ishte vendimi për ta fejuar pa dëshirë, dhuna e diktati i babait për të vendosur mbi fatet e fëmijëve të tij. Diskutimi për këtë fejesë ishte bërë dhe mbyllur që në vjeshtë, kur prindërit e Hygertës nuk kishin pranuar. “U habita kur policia që erdhi për të marrë pamjet e kamerave të sigurisë më pyeti nëse e kishim kërkuar vajzën për kunatin. Kujtova se më pyeti për vëllain e gruas, jo për timin. Im vëlla ka një vit pa ardhur dhe kur vjen, punon gjithë kohën. I sqaruam dhe çdo gjë është e qartë. Nuk kemi ç’të themi më për këtë. Shohim punën, hesapin tonë dhe as vajzën nuk e njohim, ajo lëvizte me makinë gjithnjë”, – tha bashkëshorti i Xhenit.
KAFEJA E FUNDIT E METËS
Për herë të fundit, në Shënavlash e kanë parë të shtunën e 10 shkurtit, ditën e vrasjes. Në lokalin ku ndalonte gjithnjë për të pirë një gotë raki dhe kafe. “Ishte në lokal. Piu një kafe e raki dhe u largua rreth orës 13:05. Tha se atë të shtunë nuk do të punonte. Do e bënte pushim dhe iku në shtëpi me makinë. Tha se ndjehej ca i lodhur dhe se mund të kthehej pasdite, por nuk ndodhi”
Ashtu si në polici dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me ta, motivi kryesor i dhënë si shkak për krimin rrëzohet. Në Shënavlash, Blerinën, gruan e viktimës e njohin si grua me shkollë që deri vonë ka bërë në shtëpi kurse të gjuhës së huaj, anglisht, për fëmijët.
“Nëse do të ishte grua e dhunuar, siç thotë, zor se do e linte burri të fuste njeri në shtëpi. Nuk di ç’mund të ketë ndodhur, por e rëndë shumë është. E sa për t’u bërtitur fëmijëve, e bëjmë të gjithë. Këta krutanët ndoshta pak më shumë se mbahen për fanatikë dhe autoritarë, por jo të vrasësh babën. Ai për ata thoshte se jetonte e punonte. Pëllumbi më dukej liberal me djemtë. Të voglin e kishte punëtor, punonte në servis, ndërsa të madhin e çoi njëherë me 13 mijë euro në Angli. Shpenzoi për të, por nuk i eci dhe u kthye. Pastaj shkoi në Itali dhe tani u kthye për të vrarë babën. S’di ç’të them…”, – thotë një tjetër bashkëfshatar i viktimës. Hija e rëndë e krimit rëndon mbi Shënavlash fshatin që konsiderohet pjesë e qytetit të Durrësit për shkak të afërsisë me të. Janë disa persona që kanë pasur njohje me Pëllumb Metën, të cilët mohojnë në mënyrë kategorike që ai të ishte i tillë në familje. Madje, sipas rrëfimeve të tyre që kanë bërë për mediat ata kanë treguar edhe detaje që i dinin nga lidhjet e tij me fëmijët, kryesisht me vajzën që thuhet se ishte edhe kundërshtarja më e madhe e tij në lidhje me një fejesë që nuk dihet se si ka qenë e vërtet. Policia dhe prokuroria vijojnë mbledhjen e fakteve dhe të provave, ndërkohë priten të merren në pyetje edhe njerëz të afërt të familjes të viktimës.