Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Durrës, në lagjen nr.4.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se shpërthimi ka ndodhur në banesën e Ilir Koçiljas, i cili pak ditë më parë vrau me thikë Halil Kokën.
Nga ngjarja nuk ka mbetur asnjë i lënduar, pasi anjë anëtar i familjes nuk ndodhej në banesë.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikim dhe kapjen e autorit/ve
“Më datë 26.02.2024, rreth orës 19:55, në lagjen nr.4, Durrës, në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit I. K., në të cilën nuk banon njeri, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e ngjarjes identifikim dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia.
Kujtojmë se për ngjarjen e ndodhur të mërkurën e 14 shkurtit, Ilir Kocilja ka pranuar krimin
Gjatë marrjes në pyetje, 35-vjeçari është shprehur se sherri kishte nisur para disa ditësh për një vend parkimi në rrugicën e lagjes.
Ndërsa mesditën e mërkurës ai e priti fqinjin sapo doli nga pallati dhe e ndoqi me thikë në dorë derisa i mori jetën.
“Me Halilin ishim fqinj. Nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që të mos e linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi. S’i ktheva përgjigje. Kur dola ditën tjetër e pashë makinën, po prapë të parkuar aty. Nga inati, ia gërvishta me thikë në pjesën e derës se pasagjerit dhe ika. Prapë ditën tjetër e kishte lënë aty dhe unë prapë ia gërvishta. Erdhi më kapi një ditë dhe më tha ti e ke gërvishtur makinën time . Po i thashë “unë ta gërvishta”. Mos e lër më aty i thashë.
Aty debatuam, kush je ti, kush jam unë. Nisi të më kërcënonte. Do të vras, do të fus në bagazh. Unë e kisha thikën me vete. E pashë që doli nga lagja në rrugë kryesore. Iu afrova dhe i thashë “ti do më marrësh zvarrë mua dhe do më futesh ne bagazh”. Ai më shau. Aty m’u errësuan sytë dhe e qëllova me thikë. Më pas u largova dhe u fsheha për disa orë te lagja 11 deri sa më kapet ju.
Nuk e dija se kishte vdekur. Mendova se e plagosa. Nuk kam asnjë konflikt tjetër me atë. As i kisha borxh para dhe as më kishte. Me vjen shumë keq për atë që ndodhi, jam penduar. Po konfliktin e nisi Halili”, – ka deklaruar ndër të tjera Ilir Koçilja.