BallinaAktualitetAksesi në drejtësi, raporti: Të rishikohet metodologjia për ndihmën juridike falas

Aksesi në drejtësi, raporti: Të rishikohet metodologjia për ndihmën juridike falas

spot_img
spot_img

Përfitimi i ndihmës juridike falas nga qytetarët që kanë të pamundur ta marrin atë kundrejt pagesës për shkak të kufizimeve të tyre financiare nuk njihet gjerësisht.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance që ndalet në këtë tematikë nënvizon që ky mekanizëm që u jep akses në drejtësi grupeve që përbuzshin kriteret duhet të ketë një rishikim të metodologjisë që përcakton ato por edhe ndërgjegjësim më të gjerë mbi njohjen.

“Ndihma juridike e garantuar nga shteti është një nga format më thelbësore të aksesit në drejtësi. Me qëllim që ky mekanizëm të konsiderohet efecient dhe efektiv është i nevojshëm ndërgjegjësimi i qytetarëve lidhur me këtë të drejtë. Kryesisht fushatat sensibilizuese duhet të orientohen tek grupet e margjinalizuara, të cilët janë edhe potencial për të qenë përfitues të skemës juridike falas. Këto target grupe kanë nivel mjaft të ulët të njohurive për të drejtat e garantuara nga shteti, prandaj, është e rëndësishme që nëpërmjet fushatave, takimeve dhe aktiviteteve të zhvilluara nga DNJF të arrihet informimi i këtyre qytetarëve lidhur me të drejtat që ata gëzojnë” vlerëson KLSH.

I njëjti auditim ka bërë disa rekomandime kur ndër të tjera që Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike të kryejnë një analizë të mirëfilltë, për përcaktimin e kriterit të pamjaftueshmërisë financiare dhe përfitimit të ndihmës juridike falas

“Drejtoria e Ndihmës Juridike të propozojë pranë Ministrisë së Drejtësisë rishikimin e metodologjisë dhe kritereve të vlerësimit të cilësisë së dhënies së shërbimeve të ndihmës ligjore. Menjëherë Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas të shqyrtojë mundësinë e riorganizimit të Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Standardeve të Ofrimit të Shërbimeve të Ndihmës Juridike, me qëllim rritjen e efektivitetit të monitorimeve dhe garantimit të cilësisë së shërbimit” rekomandon KLSH.

Ndihma juridike parësore dhe dytësore

Ndihma juridike falas ofrohet si parësore dhe dytësore. E para sipas KLSH ofrohet në disa qendra dhe OJF të autorizuara nga Ministria ku prezenca e numrit të juristëve në raste specifike është e kufizuar.

“Gjatë kryerjes së auditimit u zhvilluan vizita në terren përkatësisht në QSHNJP-të Tiranë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Lezhë. Problemet kryesore që u konstatuan nga vizitat e zhvilluara lidhen me përshtatshmërinë e zyrave, si dhe numrin e vogël të stafit që ofron shërbim në QSHNJP-të, të cilat funksionojnë me 1 ose në rastin më të mirë 2 juristë.

Në disa zyra (p.sh. Lezhë) nuk respektohet privatësia e qytetarit duke qenë se shërbimi ofrohet në ambiente të pa izoluara nga mjedisi përreth, apo zyrat pritëse ndajnë ambientet me punonjës të institucioneve të tjera (Fier). Gjithashtu, zyra e Tiranës nuk është e pajisur me një rampë, për të mundësuar aksesin e qytetarëve me aftësi të kufizuara. Këto mangësi cenojnë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarit në drejtim të ofrimit të ndihmës juridike parësore”, thuhet në raportin e KLSH.

Sa i takon ndihmës juridike dytësore ajo ofrohet nga avokatët që autorizohen nga Dhoma e Avokatisë. Numri i avokatëve që e ofrojnë këtë sipas KLSH është rritur duke shkuar nga 68 avokatë në vitin 2020 në 160 në vitin 2023.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular