Nga Halil Teodori.
Nuk është befasues fakti se besimi te shkencëtarët në Shqipëri është në një nivel kritik, sepse gjithçka që ndodh në këtë vend, madje edhe lëvrimi i mendimit shkencor duhet të valëvisë flamur politik, për të qenë i besueshëm, për t’u trajtuar me konsideratë dhe merituar privilegje.
“Zërit të Amerikës” ka publikuar se “Në një studim të drejtuar nga dy profesorë Dr. Viktoria Kologna dhe Dr. Niels G. Mede përkatësisht nga Universiteti i Harvardit dhe Zyrihut për besimin e publikut te shkenca dhe shkencëtarët, Shqipëria renditet e fundit, krah Bolivisë dhe Kazakistanit për besimin e ulët te shkencëtarët. Nivelin më të lartë e kanë Egjipti dhe India. Studimi u shtri në 67 vende të botës, dhe analizoi përgjigjet e afro 71 mijë e 500 individëve.”
Kërkuesja për Shqipërinë Ani Bajrami, një nga 239 pjesëmarrës të këtij studimi bashkë me Renata Tokrri” i tha “Zërit të Amerikës”, se shkaqet lidhen me mangësitë në komunikimin e shkencëtarëve me publikun si dhe pjesëmarrjen e tyre të ulët në hartimin e politikave të ndryshme në vend me ndikim në jetën shoqërore. Qytetarët në këtë studim janë shprehur se do të donin një ndikim më të madh të shkencëtarëve për uljen e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së shëndetit.
Duke vijuar ajo ka sqaruar se “Nga shpjegimet që mundëm të jepnim në artikull, shkencëtarët në Shqipëri, nuk realizojnë dy hallka të rëndësishme në procesin shkencor, komunikimin me publikun mbi rezultatet shkencore dhe pjesëmarjen e tyre aktive në politikbërje”.
Ndoshta zonja Brahimaj duhet ta dijë gjithashtu se mendimi shkencor duhet prezantuar dhe promovuar, përmes palëve të interesuara për ta bërë këtë, si në krijimin e një opinioni në media për probleme të ndryshme, ashtu edhe te hapësira që duhet t’u jepet atyre në politikbërje, sepse teknokratët kanë gjithnjë zgjidhje për ngërçe të ndryshme. Ndoshta një shkencëtari nuk ka se çfarë ti duhet tesera e partisë për të përmbushur qëllimet dhe ambiciet shkencore, por pa një teser partie dhe rolin i marionetës partiake, gjenialiteti i tij është i destinuar marrë fund.
Arsye të tjera thelbësore se pse vendi ynë renditet në fund të listës për besueshmërinë ndaj shkencëtarëve, ka lidhje mbi mënyrën se si vetë shteti e trajton shkencën dhe si institucionet dhe botëkuptimi shoqëror injoron personalitetet e shkencës. Trishtues është fakti se ekzitojnë fare pak ose aspak nisma kërkimore shkencore të suportuara nga institute apo hallka shtetërore. Media dhe televizionet kanë një interes periferik për njerëzit e shkencës, autoritetet shkencore dhe veprimtarët e vizioneve progresiste. Sot për sot, Shqipëria është jo vetëm një vend që ka besueshmëri më të ulët në botë për shkencëtarët, por është ndoshta vendi i vetëm ku mendjet e ndritura kanë më pak vlerë se sa sharlatanët që uzurpojnë televizionet dhe dominojnë mendimin kompetent. Shkencëtarët nuk i njeh askush, sepse ndërkohë që ata merren me studime dhe përpiqen natë e ditë për t’i dhënë Shqipërisë një vend nderi në botën e shkencës, mitomanët dhe mediokrit partiakë bëhen përvetësues dhe sundues të të mirave materiale dhe përfitimeve financiare, ngjitin podiumet populiste të partisë-shtet, nderohen me tituj e dekorata dhe shpërblehen me përfitime dhe privilegje.
Në një vend si Shqipëri ku çdo gjë kalon me doemos nga zyra e kryepartiakëve, nuk mund të presësh jo vetëm një besueshmëri më pozitive të qytetarëve ndaj shkencëtarëve, por edhe produktivitet shkencor. Politika dhe drejtuesit e saj “vizionarë” kanë kurajën, në mos mbylljen e institucioneve si Akademia e Studimeve Albanologjike, lënia e tyre në mëshirë të fatit, ose sundimi i tyre nga persona partiak dhe politik, si rasti i Akademisë së Shkencave.
Nxitja e mendimit shkencor, idetë novatore, zëri i autoriteteve shkencore, promovimi i eksponentëve, nxitja e ambicies krijuese, trajtimi i gjenive të shkencës si asete kombëtare, dhe shumë e shumë komponentë të tjerë, duke gjetur një mundësi më të favorshme, duke u trajtuar përmes një konsideromi të veçantë, bëjnë të mundur korrigjimin e besueshmërisë që opinioni ynë ka ndaj shkencëtarëve dhe i japin vendit tonë shanset të ketë një rezervim nderi në panteonin e mendimtarëve dhe veprimtarëve shkencorë.
Mosvlerësimi dhe mostrajtimi me privilegj të merituar të atyre që promovojnë mundin dhe talentin e tyre, pasurojnë shkencën shqiptare të fushave dhe disiplinave të ndryshme, e kanë shtyrë njeriun e shkencës të kërkojë veten e tij dhe të shpërblehet për arritjet e tija në një vend të huaj. Dhe nuk janë vetëm ata që aspirojnë për një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre, ata që ikin, duke e braktisur Shqipërinë, janë edhe profesionistët e fushave të ndryshme, janë edhe shkencëtarët, kryesisht ato të shëndetësisë. Shteti në vend që të reformojë mentalitetin dhe të riformatojë kapacitetet financiare si mënyrë stimulimi dhe vlerësimi për këtë pasuri, nxiton të sajojë ligje diktati dhe të shantazhojë, duke pretenduar se do ti mbajë në këmbë institucionet shëndetësore me mjete imponimi.
Dhe kjo politikë me njerëzit apolitik, prezantohet si “kalë beteje” politike në një realitet tejet të polarizuar politikisht. Dhe fundi është më se i qartë, besueshmëria e ulët te shkencëtarët. Rrjedhimisht mbetet i papajtueshëm mosvlerësimi sa dhe si duhet i njerëzve të shkencës, i atyre që përmes aftësive që ofrojnë, garantojnë shanse për një botëkuptim më të shëndoshë, bëhen premisë e përmirësimit të politikbërjes dhe pasurimit cilësor të jetës.
Sa kohë që politika kërkon të jetë gjithçka, jo vetëm besueshmëria ndaj shkencëtarëve do të jetë e ulët dhe mendimi shkencor do të duhet të gjej veten në një vend të huaj, por edhe e sotmja e shoqërisë është e kërcënuar dhe e ardhmja mbetet e paqartë dhe e pasigurt.