Lista e barnave të rimbursueshme dhe e pajisjeve mjekësore është një nga paketat e rëndësishme, që financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Skema e ilaçeve të rimbursuara është një ndihmë për shumë kategori, sidomos për pensionistët. Por funksionimi le shumë për të dëshiruar. Për shkak të marrëdhënieve klienteliste, Lista e Rimbursimit të Barnave ka dy vite që nuk është publikuar edhe pse duhet të bëhet çdo vit.
Mosndryshimi i kësaj liste bën që vetëm një medikament të rimbursohet, duke krijuar kështu monopol në këtë treg. Rezulton se kompania Delta Farma është e përkëdhelura e Ministrisë së Shëndetësisë.
Për shembull Xarelto 15-20 mg nga kompania Bayer, me distributor Delta Farma, është regjistruar në listën e rimbursimit dhe çmimi për një kuti është 35.44 euro.
Për një vit, Fondi ka rimbursuar 100 000 kuti Xarelto. Por, nëse do të ishte rifreskuar lista e rimbursimit, në treg do të kishte edhe alternativa të Xareltos, ku më i liri, kushton 14.2 Euro. Në këtë mënyrë buxhetit të shtetit do t’i ishin kursyer 2.5 milionë Euro në vit vetëm me këtë medikament./Marrë nga Tv Klan