BallinaOP EDPreç Zogaj: Kur bashkimi zvogëlon dhe pluralja rrit

Preç Zogaj: Kur bashkimi zvogëlon dhe pluralja rrit

spot_img
spot_img

Nga Prec Zogaj

Ndërsa zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm shfaqen gjithnjë e më afër në horizont, për opozitën shqiptare ka gjithnjë e më pak kohë për t’u organizuar rreth një formule politike fituese që do të mundësonte rrotacionin e pushtetit në vend, pas dominimit dymbëdhjetë vjeçar të Partisë Socialiste të Ramës.

Sfida është e vështirë, arsyet janë në dritë të diellit. Por jo e pamundur, nëse do të ketë vullnet, vizion, sakrifica, gadishmëri të secilit prej subjekteve opozitare për t’ju përshtatur reapolitikës së periudhës, duke përqafuar zgjidhje që vënë interesin e rrotacionit të pushtetit mbi interesa të ngushta palësh e personash.

Një premisë për fitore – jo vetë fitorja – do të kishte qenë tërheqja e Berishës pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendore të majit të vitit të kaluar për t’i dhënë mundësi Partisë Demokratike të bashkohet përmes një procesi zgjedhor gjithpërfshirës dhe me një lidership të ri.

Përveçse një utopi në kushtet kur Berisha e mbështet mbi një mori fallesh me vartësi botërore të ardhmen e Rithemelimit të drejtuar prej tij, kjo zgjidhje, ndërsa koha shkon, bëhet gjithnjë e më pak efektive në raport me zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Megjithatë, le të mos ua presim kokën befasive.

Për momentin, në vend të një bashkimi si ky që treguam më lart, ka marrë jetë ideja e Fedaratës së opozitës. Ajo ka në qendër grupin e Rithemelimit, rreth të cilit janë mbledhur disa parti të vogla opozitare, ku spikasin Partia e Lirisë e Ilir Metës dhe natyrisht PR e Fatmir Mediut dhe PPA e Agron Dukës, si nismëtarë të saj.

Asnjë kontribut nuk duhet paragjykuar. Përkundrazi. Respekt për këdo që vret mendjen si mund të dilet nga impasi politik. Por e vërteta duhet thënë siç është. Nga përbërja, përtej etiketave, Federata apo Konfederata është Opozita e zgjedhjeve të vitit 2021 minus PD-në zyrtare të Bashës, LZHK-në e Dashamir Shehit dhe PDIU-në e Shpëtim Idrizit. Me kryetar Sali Berishën kësaj radhe. Si e tillë kjo Federatë është votuar në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, në zgjedhjet për kandidatët për kryetarë bashkie në vendoret kombëtare të majit 2023 dhe në zgjedhjet e pjesshme në Bashkitë Kukës dhe Rrogozhinë po gjatë vitit 2023. Rezultatet dihen.

Në pikpamje të numrave, Federata thjesht celebroi zmadhimin e numrit të deputetëve të Rithemelimit me deputetët e grupit të Gazmend Bardhit. Që kishte ndodhur më parë ‘de fakto’ në një seri qëndrimesh e veprimesh në parlament e jashtë tij. Por u evidentua edhe si një operacion propagandistik (PR-je), i suksesshëm do thosha, në prag të protestës së 20 shkurtit.

Bashkimi në diversitet është një vlerë e partive të djathta. Një identitet politik përforcohet përmes mosdakortësive, shkruan filozofi i shquar konservator, Roger Scruton në librin e tij “Si të bëhesh i djathtë”. Në të njëjtin libër ai lartëson vlerën dhe rolin e pazëvendësueshëm të individit mendimtar, duke pohuar se e drejta shpeshherë është në anën e tij dhe jo të shumicës konformiste. Po t’i kishte mbajtur parasysh me kohë këto postulate dhe plot vlera të tjera si këto, Partia Demokratike nuk do të kishte rënë në krizën ku ndodhet prej vitesh dhe nuk do të kishte mundësuar ngulitjen kaq masive në pushtet të partisë me prejardhje nga Partia e Punës.

Një vlerë duhet të jetë e vërtetë në zbatim, përndryshe nuk ngjit, bëhet demagogjike. Bashkimi në diversitet mbetet thjesht një slogan nëse nuk gjen shprehje në vetë statutin e subjektit politik, ku sanksionohet me rregulla të qarta dhe matës të qartë përfaqësimi i fraksionit në forume, në grupin parlamentar dhe në qeverinë eventuale të partisë përkatëse.

Ndërkaq, ndërsa deputetët janë lirë të shkojnë nga një grup në tjetrin, të krijojnë grup me vete, apo të rrinë të pavarur, bashkimi politik ka sens kur është fjala për subjekte të ndara, secili në hesap të vet, që janë votuar si subjekte ose presin të votohen në zgjedhjet e ardhshshme. Në pjesën e opozitarizmit që ka mbuluar PD-ja para ndarjes, të tilla janë Rithemelimi i Berishës dhe PD zyrtare e Bashës. Bashkimi i tyre në kushtet e disa vijave ndarëse të pakalueshme që e kanë krijuar ndarjen dhe janë ende në fuqi, ka kuptimin që PD e Bashës i bashkohet dhe njësohet “në diversitet” me Rithemelimin. Po të bëhej real, ky akt hipotetik nuk mund të kalonte pa çmimin që paguan në publik denatyrimi i skajshëm. Rrjedhimisht, nuk do të kishte efektet e pritshme.

Situata, fragmentarizmi, vetë mënyra e të bërit opozitë, qëndrimet diametralisht të kundërta për shumë çeshtje, siç janë ato për SPAK dhe drejtësinë e re për shembull, janë të tilla që shkojnë përtej diversitetit normal brenda një subjekti politik. Bashkimi në injorim të këtyre realiteteve do të ishte mekanik, për interesa kryesisht meskine të grupeve të vogla, të njërit dhe tjetrit drejtues. Ndërkaq, nuk duhet harruar se subjektet e arqipelagut opozitar, nga e madhja te më e vogla, nuk kanë bërë rrotacion pothuajse kurrë në drejtimin e tyre. Ato kanë namin e partive private të krerëve të përjetshëm. Alternativa përmes së cilës mendojnë të rivijnë në pushtet është mërzitja e qytetarëve me qeverisjen afatgjatë të kundërshtarit. E shëmtuar sa s’ka si alternativë. Që ka funksinuar një a dy herë por nuk ka gjasa të funksionojë më. Jo më kot shumica e gjashtëdhjetë përqind të qytetarëve që janë kundër qeverisë së Ramës nuk janë me asnjërin prej subjekteve dhe drejtuesëve opozitarë. Nëse këta të fundit ua kanë zënë kokën me derë “o na votoni ne, ose vrisni vetën”, ata të fyer nga ky cinizëm i skajshëm, rrinë mënjanë, presin, ikin nga Shqipëria.

Në këto kushte bashkimi i subjekteve politike opozitare kështu siç janë nuk e rrit opozitën. Në rastin më të mirë e lë në vendnumëro. Rama i ka edhe në kuti zgjedhësit e pakicës që mbështesin qeverinë. Që bëhen shumicë nga hallakatjet, djerrjet dhe abstenimi i zgjedhësve të shumicës antiqeveritare. Sfida e opozitës është të çojë në zgjedhje dhe në kuti votën e shumicën faktike të popullit opozitar.

Unë mendoj se formula me më shumë mundësi për t’ja dalë kësaj sfide është institucionalizimi i opozitës plurale. Apo thënë ndryshe, njohja e realitetit të opozitës plurale nga vetë subjektet e spektrit opzitar.
Me fjalën institucionalizim kuptoj kalimin nga gjendja e luftës në gjendjen e konkurencës së shëndetshme brenda spektrit, ku çdo subjekt rritet në vetvete, duke patur si objektiv të përbashkët të shpallur rrotacionin e pushtetit; dakordësinë për pikat kryesore të ndryshimeve në kodin zgjedhor, dakordësinë për mënyrën e konkurimit në zgjedhje në funksion të valorizimit të çdo vote, dakordësinë për një kandidat të gjithëpranuar për kryeministër që do të jetë edhe boshti koagulues i qasjeve programore të subjekteve.

Institucionalzimi do të pasuronte me elementë të tjerë të vlefshëm opozitën plurale. Mes shembujve të shumtë të fitores së zgjedhjeve përmes opozitës plurale, nga historia dhe aktulaliteti, le të sjellin në vemendje kualicionin e Ullirit në Itali, që u bashkua rreth emrit të të mirënjohurit Romano Prodi si kandidat për kryeministër.

E gjithë kjo përpjekje nënkupton ndërkaq një plan B të secilit prej dy grupimeve të PD-së, në respekt apo si pasojë e vendimit të Gjykatës së Apelit për logon.
Opozitarimi popullor në Shqipëri, shumicë në numra, përfaqëson një larmi qasjesh dhe preferencash për mënyrën e të bërit opozitë. Opozita plurale do të ishte pasqyra e kësaj larmie. Si e tillë, në shumaren e numrave, ajo vetëm e rrit opozitën, vetëm i rrit votat në kuti. Me fjalë të tjera, ka shanse reale ta bëjë fituese.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular