Rama mbledh kabinetin qeveritar dhe kryebashkiakët socialistë në Shkodër, ja çfarë pritet të diskutohet

0
149

Kryeministri Edi Rama mbledh në fundjavë për një analizë të thelluar kabinetin qeveritar, por edhe drejtuesit politikë dhe krerët socialistë të bashkive.

Parashikohet që kjo analizë, e cila me gjasë do të jetë periodike deri në zgjedhje, do të hërbejë për të verifikuar të gjitha problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por edhe një raportim të plotë e të detajuar të punës organizative në Partinë Socialiste.

Kabineti qeveritar, zëvendësministra, drejtues institucionesh, por edhe të deleguarit e qarqeve janë mblidhur në Shkodër, ndërsa pritet që ata të diskutojnë me kryeministrin Rama përmbushjen e detyrave të caktuara nga analiza e shkuar, që u mbajt në Shëngjin në janar.

Në këtë analizë, që ndahet në disa panele, diskutohet edhe për angazhimin direkt në terren të strukturave socialiste për rigjallërimin e bazës së partisë deri në zgjedhjet e përgjithshme dhe kongresit të jashtëzakonshëm zgjedhor.

Prej disa javësh socialistët kanë zbritur në bazë, në takime me strukturat dhe kanë nisur procesin e zgjerimit në parti dhe fushatën reale të anëtarësimeve të reja.

I përzgjedhur si vendi për mbajtjen e kësaj mbledhje është stadiumi “Loro Borici”. Në orën 10.00 takimin do e hapë kryeministri Edi Rama me fjalën e tij që parashikohet se do të zgjasë 30 minuta. Më pas fjalën do e marrë ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbian Mazniku.

9 tryeza pune do të bëjnë bashkë ministra, zv/ministra dhe kryebashkiakë me fokus diskutimesh të sektorëve kryesore. Takimi mbyllet me fjalën e kryeministrit Rama që nis në orën 17.30 dhe me kohëzgjatje 60 minuta.­