Ekonomia e Shqipërisë është e “uritur” për punonjës që kanë aftësi elementare, kryesisht që përdorin forcën dhe jo mendjen gjatë orëve të punës.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në 3-mujorin e fundit të vitit punonjësit me profesione elementare kishin rritjen më të madhe të pagës nominale mujore bruto me rreth 16% në tremujorin e fundit të vitit 2023 në krahasim me tre-mujorin e fundit të vitit 2022.
Rritjet më të larta me ritme dyshifrore të pagave ishin edhe në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve me rreth 15%. Në këto sektor pjesa më e madhe e punonjësve përfaqësohet nga shitësit në tregtinë me pakicë dhe nga punonjësit e hoteleve dhe restoranteve kryesisht kamarierë, banakierë dhe pastrues.
Më tej rritja më e lartë ka qenë e pranishme në sektorin e industrisë automative dhe në sektorin e bujqësisë me mbi 13% nga tremujori i katërt 2022 në të katërtin e 2023.
Në të kundërt pagat e punonjësve me arsim të lartë dhe profesionisteve u rriten në të njëjtën periudhë me 11%, ndërsa pagat në sektorin u ushtrisë kishin rritje më të ulët me rreth 10.6 për qind. Pagat në forcat e armatosura kishin një rritje më të lartë në vitin 2022.
Me rritjen e numrit të turistëve dy vitet e fundit është shtuar ndjeshëm kërkesa për punonjës shërbimesh dhe kryesisht pastrues dhe të tjera profesione që lidhen me hotelerinë. Në disa raste nevojat po përballohen duke importuar punonjës të huaj nga Azia dhe Afrika.
Ekonomia e Shqipërisë në të gjithë periudhën e tranzicionit u orientua drejt një modeli që nuk kërkon aftësi, të tillë si teknologjia dhe investimet e huaja që ofrojnë punë cilësore. Për shkak të ofertës së limituar për vende të mira pune, një profesionit i mirë-kualifikuar e ka të vështirë të integrohet në tregun e punës.
Në të kundërt kërkesa e lartë për punonjës me aftësi elementare ka ushtruar presion për rritjen e pagave ndaj tyre.
Në ndryshimin e pagave për profesionet elementare ka ndikuar edhe rritja e pagave minimale nga 34 mijë lekë në prill 2023 në 40 mijë lekë.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.
Aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe informacioni dhe Komunikacioni.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2023 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 16,2%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 4,5%./B.Hoxha