Emocione dhe dramë në “Wanda Metropolitano”, me Atletico Madrid që u kualifikua në çerekfinalen e Champions League, pasi eliminoi Interin me penallti. Gjigandët spanjollë fituan 2-1, mes spektaklit, ndërsa ndeshjen e parë e kishin humbur 1-0. Los Colchoneros, të shtyrë edhe nga brohorimat e jashtëzakonshme të tifozëve në tribuna, e nisën ndeshjen “zjarr”. Që në minutën e pestë, të besuarit e Simeones iu afruan golit, teksa Sommer i tha Jo Lino-s. Një aksion i shpejtë i zikaltërve në minutën e 13-të nuk u finalizua si duhet nga Dumfries, me mbrojtësin që pavarësisht sprintit, nuk kaloi dot Oblak.
Në minutën e 28-të, Morata provoi me kokë, pa rezultat. Për të ardhur te goli i parë i takimit, Interi ndëshkoi Atletico në të 32-tën’ me Dimarco, nëpërmjet një aksioni me shumë pasime. E menjëhershme ishte përgjigja e vendasve. Topi përfundoi mrekullisht te këmbët e Griezmann që nga fare pranë portës, pas një rrotullimi fantastik, të vendosë ekuilibrat.
Në minutën e 75-të, Thuram mund të kishte mbyllur një herë e mirrë çështjen e kualifikimit, por sulmuesi francez gaboi përballë “gardianit” Oblak. Ankth në fund, shtylla shpëtoi Interin, gjithsesi goli i Depay pak më vonë dërgoi ndeshjen në shtesë.
Shtesa nuk prodhoi gola ndërsa nga penalltitë më e saktë u tregua Atletico.
Një biletë për në çerekfinale e ka prerë edhe Dortmund. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë ndaj PSV, sonte verdhezinjtë triumfuan 2-0, me golat e Sancho dhe Reus.
Rezultatet:
Atletico Madrid 2-1 Inter
Dortmund 2-0 PSV