Është rindërtuar skema e vrasjes së ish-policit, Gentjan Bejtja, prapa ekzekutimit të të cilit dyshohet se fshihet “ushtari” i Ervis Martinajt, Elion Hato.
Sipas provave të mbledhura dhe dëshmitarëve, atentatorët kanë qenë 4 persona të cilët kanë lëvizur me një fuoristradë tip “Land Rover”.
Mësohet se ekzekutorët kanë ndjekur Genjtjan Bejtjan, i cili deri në orën 16.25 të pasdites së të premtes ka qenë tek banesa e prindërve, të cilët jetonin pranë tij dhe më pas është kthyer në vilën e tij.
Në këto momente, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tij dhe për të shpëtuar, Gentjan Bejtjaj ka vrapuar drejt serës, tek dera e së cilës mbeti i vdekur.
Pas ekzekutimit të ish-policit, atentatorët janë laguar drejt Thumanës me automjetin tip Land Rover që u gjet i djegur në fshatin Hasan të Fushë-Krujës, së bashku me armët e krimit brenda.
Pak para se të ndodhte krimi, në zonë ishte ndërprerë energjia elektrike dhe për pasojë as kamerat e sigurisë nuk kanë funksionuar gjatë momenteve të atentatit.
Policia po heton disa pista, por ende nuk ka identifikuar autorët e krimit. Sipas gazetares Klodiana Lala, i dyshuar për këtë ngjarje është edhe Elion Hato, ku policia zhvilloi një operacion për arrestimin e tij ndaj atentatit mafioz të Gentjan Bejtjas.
Gjetja e makinës së kushëririt të Ervis Martinajt:
Gjatë kontrolleve të uniformave blu për kapjen e mikut të Ervis Martinajt është gjetur një automjet i parkuar në Sauk, brenda së cilës kishte 2 armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), me krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh.
Automjeti u gjet në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër në parkingun e një pallati. Makinë rezulton në pronësi të 28-vjeçarit Emiljano Nina, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë, por dyshohet se përdorej nga 37-vjeçari Olsi Gjoshi.
Armët, municioni luftarak dhe bllokuesi i valëve të gjetur në mjetin e djalit të hallës së Ervis Martinajt janë në cilësinë e provës materiale.
Emiljano Nina u arrestua më 12 tetor 2023, pasi një aksidenti “të çmendur” tek diga e Liqenit Artificial të Tiranës.
Më 22 gusht 2023, automjeti luksoz duke lëvizur me shpejtësi të lartë nga “Rruga e Kosovarëve” hyri mes për mes një rrugë automobilistike me trotuar, më pas është ngjitur më shumë se 15 m skarpate nga ana e pishinave, duke marrë para pemë e shtylla, për të përfunduar në pedonale mbi digën e liqenit, ku dhe muri i digës e ka ndaluar të përfundonte në liqen.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon operacioni mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Goditet, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, një rast i armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), me krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh, që u gjetën në një automjet të parkuar, në Sauk.
Punohet për kapjen e një 37-vjeçari, i cili dyshohet se përdorte automjetin, si dhe u referuan materialet në Prokurori, për pronarin e tij.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat:
▪️Në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E. N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë), i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi O. Gj., 37 vjeç.
Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. N., dhe po punohet për kapjen e shtetasit O. Gj.