BallinaKultureNana jeme paska kenë gruaja ma e bukur në botë e unë...

Nana jeme paska kenë gruaja ma e bukur në botë e unë se paska dijtë!

spot_img
spot_img

Nanë, dje nadje kur shkuem me ba mjetet e reja te identifikimit, a e vune oroe si ndejta tuj të pa kur hoqe syzet, e tentove me rregullu paksa floket e pakta që të mbulojnë ballin.

Nga Liridon Mulaj

Unë tu afrova, t’i hoqa syzet e para se me të thanë diçka, të pashë me vëmendje. Vërejta sytë e tu e u mahnita me ngjyrën e tyne të bukur, jeshile e hapun. Të kundrova lëkurën e bardhë akull e mes nji habie e lumtunie të fshehun, zbulova se ti ishe kaq e bukur.
Marre me e thanë këtë gja, se ti sot mbush 72 vjeç e me i heq vitet kur kam qenë i pavetëdijshëm, ne kena jetu së bashku plot 30 vjet.
Çfarë idioti që nuk ta paskam vnue oroe kurrë bukurinë tande.
Kur isha i vogël, mendoja se nanat janë të mira po asnjiherë të bukura. Gratë e bukura i shikonim vetëm në televizor, ulun para nji tavoline tuj dhanë lajmet apo në sfilata mode. Nana asokohe nuk ishte kurrë e bukur. E mirë po! Punëtore e përulun.
Ti mbaje nji beze lidhun për brezi e prej nadje deri në darkë, nuk të pushonte shtati.
Ti mbaj mend duart e mbshtjelluna me brum buke e thembrat e plasarituna si kanale në tokë të thatë.
Në përfytyrimet e mija me kujtoheshe vetem tuj fshi ballin me djersë apo tuj kjajt nën sy, me dorën vendosun mbi ball tuj dashtë me u msheh prej nesh.
Heh, mu më ke pasë thanë:- Burrat nuk kjajnë! Burrneshë,a e di sa ke kjajt a jo?
Kur të shihja njashtu me pëllambën nën ballë, shpesh më shkonte ndërmend me marrë një gotë uji e me ta dhanë se mendoja se po shterresh, fëmijë hesapi.
Ke kjajt për mu kur s’më doli shkolla që deshta. Ke kjajt për motrën kur u martua. Ke kjajt për vëllain që ishte emigrant, biles kjaje kur vinte, nga gëzimi, kjaje kur mendoje se do ikte, e prapë kur ikte prejmend.
E unë ta besoj, se jeta jote ka qenë nji gjysë hapi në prag tuj prit e përcjell fëmijtë. Mandej kur e mblidhje veten, ti ishe e sertë, ironike e heshtun.
Jam ba 33 vjeç pa më thanë nji herë zemra e nanës apo shpirti i nanës por këto thanie lojcake kurrë nuk me banë me dyshu në dashninë tande.
U gëzojsha fort kur baba të merrte n’grykë e tentonte me të puth e ti tuj u përpush si ariu në qark i britshe : Ik he i marrë andej!
Po vetmeveti të qeshte buza, se njeri ishe dhe ti, grua ishe dhe ti e gruaja e ka të pamundun mos me iu gëzu dashnisë së burrit.
Ti e di qe baba të ka dashtë fort. Atë natë qe u rrëzove në mes te shpisë prej hemorragjisë e ne menduem se ike prej kësaj jete, baba asht mbështet në shpinore të divanit, e tuj dihat ka brit : Medet për mue çka më gjet!
E tmerrshme nanë me e përmend, po aty e kam kuptue se ç’vend kishe ti në zemrën e tij paj karakteri yt i fortë, e pak zakonet e malësisë sonë ta ndalnin hovin.
Por baba te ka dashtë nanë, se ti ke qene e bukur, gjaja ndoshta ma e bukur që më kane pa sytë.
E prej çudisë këtë e vuna oroe dje, para atij objektivi kur ti preka flokët, e syte e mi ta puthën lëkurën e bardhë te fytyrës tande. E vërejte atë objektiv e kjeshe, po bash si fëmijë i vogël a si nji vajzë e re që lazdrohet para pasqyre.
Ti nanë ishe mahnitëse. Mandej kur të prita në makinë, u nise me kalu rrugën e me nji hap të lehtë si pupël, tregove nji anë tjetër të tanden, hijeshinë e nji femne plot klas që kushedi pse në kaq vite e ke mbajt për veti, ndrye në shpirtin e brengat e tua.
Kam dashtë me të pyet sa herë a je krenare për mua? Edhe pse ti sa herë flas për librat ndërron temë, ndoshta prej faktit se prej vitesh nuk shikon mirë e kjo të ka pengue të lexosh diçka prej librave të mi. E di se ndihesh ne faj, ashtu siç e di se nanat janë të dijtuna e nuk knaqen kollaj për bijtë e tyne. E tillë ke qene dhe ti, e sertë, stoike ! Njashtu jam dhe une, si ti.
Ti sot ke ditëlindjen e i mbush 72 vjeç.Të imagjinoj ty e vedin kur të zgjohem në nadje e nisem kah ti me të urue me nji përqafim. Duart e tua të shtrime ne formë refuzimi e ty që tuj kjesh nan za më thue: -Nuk due me m’urue jo, veç te kem shnetin…
Unë nuk e di nanë në kaq shumë vite jetë , çka të ka ba me u gëzue prejmend? Përtej sëmundjeve tua të përhershme a ka pasë nji çast kur i ke thanë vedi: -Sot jam e lumtun! Gjithsesi sot në këtë datëlindje, due me të thanë se të kam dashtë gjithmonë e do të due edhe n’se kjo do të thotë mos me e ndie kurrë fjalën zemër prej teje, a ti prej meje.
Na të dy kena kodet tona të dashnisë, te cilat nuk jane fjalë as puthje.
Ato jane valë të shpirtit qe si frekuenca të njejta, gjejnë njena -tjetrën ne momente të veçanta të jetës, në ato momente kur prejmend ndjehem biri yt, i vogli yt.
Njashtu si sot, kur prej marres teme a ndoshta fajit tand nanë, zbulova se nana jeme, paska kenë gruaja ma e bukur në botë e unë se paskam dijtë.
Gëzuar ditëlindjen nanë. U bafsh aq sa të do zemra…

ObserverKult

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular