Përfaqësuesja e Gjermanisë do përpiqet të vendosë “nderin në vend” pas dështimeve të njëpasnjëshme në kompeticionet madhore. Triumfi në Botërorin “Brazil 2014” ka mbetur kujtimi i fundit që tifozët e “pancerave” mburren, por që prej asaj etape gjithçka ka marrë për poshtë.
Julian Naglesman i është caktuar detyra e vështirë në “timonin” e Gjermanisë, rikthimin e lavdisë dhe besimin e tifozëve. Lotar Mateus në rubrikën e tij te mediumi “Sky Sport.de” ka ndryshuar “pllakën” në lidhje me ecurinë e 4-herë kampionëve të Botës, i cili fillimisht nuk besonte. Më tej, 62-vjeçari e hedh këtë tezën e suksesit mbi bazë të ideve se kush lojtarë duhet të jetë protagonist në formacionin kryesorë, duke i dhënë kredite edhe të rikthyerit Toni Kros:
PARASHIKIMI I MATEUS –“Kur vështroj me imtësi gjendjen e lojtarëve gjermanë, më jep shpresë se ne do të jemi ndër favoritët e ‘Euro 2024’. Gjithmonë nëse do i japim kohën dhe hapësirën e nevojshme futbollistëve më në formë të sezonit, duke lënë mënjanë emrat e rëndë. Manul Nojer po prezanton formë të shkëlqyer dhe e meriton të jetë numri 1 në kuadrat. Nuk kemi arsye përse të zhvendosim rreshtimin taktik 4-2-3-1.
Gjermania është identifikuar nga moduli në fjalë dhe ka arritur triumfe botërore. Mbrojtjen i besoj Tah dhe Rydiger, ndërsa Kimish në të djathtë. Raum dhe Henriks janë në balotazh për vendin e titullarit në korsin e majtë, gjithsesi preferoi më shumë Raum. Eksperienca e Kros dhe Gyndoan nuk vihet në diskutim. Pavarësisht moshës, ata po prezantojnë rendiment të lartë në klubet respektive. Florian Virc është lojtari më i mirë i Bundesligës në sezonin 2023-2024 dhe ai së bashku me Xhamal Musialën janë “arma” kryesore e ekipit të Nagelsmanit.
Fenomenal në ndërtimin e lojës, krijimin e rasteve të pastra dhe finalizime. Talente në të gjitha dimensionet. Kai Haverc kompleton në qasjen time 11- tëshen që e ka potencialin të korri suksese”, përfundoi Lotar Mateus.
Sipas rreshtimit nga “rekordmeni” gjermanë, Tomas Myler, Leon Gorecka, Serzh Gnabri, Mats Humels dhe Ter Shtegen do të rezultonin humbësit më të mëdhenj, pa harruar edhe të “pafatin” Marko Rojs.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI