Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme (18 mars) më Tapizë, ku një nënë 42-vjeçare lindi në shtëpi foshnjën e saj dhe më e pas mblodhi me qese dhe e hodhi në lumë.
Në lidhje me ngjarjen ka folur edhe mjeku i qendrës shëndetësore në Nikël, i cili është shprehur se nuk kishin asnjë dijeni për rastin dhe se gruaja nuk ishte paraqitur asnjëherë në qendrën shëndetësore për kontrolle gjatë kohës që ka qenë shtatzënë.
“Rastin e kemi marrë vesh nga mediat. E njohim për familje të mirë. Familja ka 5 fëmijë që ndiqen tek ne. Për foshnjën nuk kemi pasur dijeni, madje nuk është hapur asnjë kartelë për gruan për ndjekjen e shtatzënisë”, tha ai.
Ngjarja është mësuar pasi Leta Koçi ka shkuar në një spital në Tiranë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe më pas është zbuluar se ajo ka kryer një lindje.
Në polici 42-vjeçarja ka thënë se nuk e dinte ku ekzaktësisht e kishte hedhur foshnjën, duke e rrëfyer atë pas insistimit të policisë, që gjetën beben e sapolindur të gjinisë vajzë në bregun e lumit Tapizë brenda një qeseje. Hetuesit e kanë me rezerva deklaratën e nënës se fëmija ka lindur i vdekur dhe për këtë arsye po hetohet për veprën penale të vrasjes.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë me marrjen e dëshmive, ndërkohë që gruaja i ka qëndruar faktit se fëmijën e ka hedhur ngaqë ka menduar se është i vdekur. Do të analizohen shkaqet, po ashtu edhe gjendja ekonomike dhe psikike e gruas.