Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara e kanë lënë në fuqi një ligj në Teksas, të mbështetur prej republikanëve, që u mundëson autoriteteve t’i arrestojnë dhe burgosin personat që dyshohet se e kanë kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë.
Kështu, Gjykata Supreme – e përbërë prej gjashtë konservatorëve dhe tre liberalëve – e ka refuzuar kërkesën e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, derisa çështjet që lidhen me statutin e ligjit të procedohen në gjykatat tjera.
Sipas administratës së Bidenit, ligj shkel Kushtetutën amerikane dhe ligjin federal, duke u përzier në detyrat qeveritare për të rregulluar çështjet e imigrimit.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott e ka nënshkruar ligjin, të njohur si SB4, në dhjetor të vitit të kaluar, duke i autorizuar autoritetet për zbatim të ligjit që t’i arrestojnë personat e dyshuar për hyrje në SHBA në mënyrë të paligjshme dhe u jep zyrtarëve lokalë kompetencat që deri më tani i ka pasur Qeveria amerikane.
Abbott pati thënë se ligji është i domosdoshëm për shkak të dështimit të Bidenit për t’i zbatuar ligjet federale që e bëjnë vepër penale hyrjen ose rihyrjen ilegale brenda shtetit.
Sipas tij, mosveprimet e Bidenit e kanë detyruar Teksasin që ta mbrojë veten.
Ndëshkimet për të arrestuarit dallojnë prej gjobave në deri 2.000 dollarë e deri te burgimi.
Për ata që kanë rihyrë në Teksas, pasi fillimisht janë dëbuar, ndëshkimi mund të shkojë në 20 vjet burgim, varësisht prej historikut.
Mënyra se si e ka menaxhuar Bideni numrin rekord të migrantëve që kanë hyrë prej kufirit meksikan në SHBA, është kritikuar ashpër prej republikanëve.
Abbott dhe disa republikanë tjerë kanë thënë se Biden është dashur të zbatojë politikat e ashpra të ish-presidentit amerikan, Donld Trump, kandidatit të partisë për t’i fituar zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit./REL