Nga Namir Lapardhaja
Ilir Meta është politikani i vetëm i tranzicionit shqiptar që është kapur me bllok në dorë, me zë dhe figurë, duke kërkuar pjesën e tij prej 7%, në një aferë të madhe korruptive.
Njeriu me bllok në dorë, që sot del e sulmon kreun e PD-së, Lulzim Basha, është i njëjti që sulmonte nga foltorja e Parlamentit Sali Berishën dhe familjen e tij, ndërsa sot i qëndron në krah si aleat dhe bën ironi me të parin.
Është i njëjti që sulmonte Edi Ramën dhe në 2013, pasi përdori pushtetin e demokratëve, i çoi votat te Rama, duke bërë në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve ndryshimet e njëanshme të Reformës Territoriale etj.
Ilir Meta është politikani që partia e të cilit është treguar më agresive dhe më e dhunshme me demokratët gjatë kohës që ai ka qenë në qeverisje, duke e shpërdoruar dhe shkallmuar administratën shtetërore, sipas parimit “merr nga dhitë e bëj zabitë, mjafton që të jesh me LSI-në”.
Ilir Meta është politikani i fundit në Shqipëri që mund të akuzojë të tjerët për pazare, sepse pazari i tij më i madh është keqpërdorimi i pushtetit të PD-së në interesin e tij korruptiv dhe të Edi Ramës, siç u dëshmua për vite me radhë.
I frikësuar nga SPAK-u dhe nga drejtësia, ai nuk e ka problem të mohojë bashkëshorten, fëmijët apo njerëz të tjerë të afërt, mjafton që në fund t’ia hedhë pa lagur. Ashtu siç ka bërë vazhdimisht në daljet e fundit.
Pavarësisht se ka marrë malet dhe pataks çdo mëngjes njerëzit nga majat e hekurave, prokurorët e SPAK-ut janë duke e kopsitur dosjen e tij.
Koha kur Prokurori i Përgjithësh i shkonte në zyrë dhe i qante hallet se si do t’ia bënin me ata që e kanë akuzuar, ka marrë fund një herë dhe përgjithmonë.
Njerëzit presin që Meta të paraqitet përpara drejtësisë.
Në dallim nga aleati Berisha, ditën që do të ndodhë një gjë e tillë, poshtë ballkonit të tij nuk do ketë asnjë njeri.