Guvernatori i Bankës Kombëtare të Kroacisë, Boris Vujçiç, zhvilloi ditën e djeshme një vizitë zyrtare në Bankën e Shqipërisë.
Gjatë takimit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh se, pavarësisht situatave sfiduese, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet dhe të shënojë progres në thuajse të gjithë treguesit e stabilitetit ekonomik dhe financiar.
Në veçanti, inflacioni tashmë qëndron pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe ka qëndruar në vazhdimësi ndër nivelet më të ulëta të rajonit. Po ashtu, sektori bankar shfaqet me parametra solidë aktiviteti, gëzon bilance të shëndetshme financiare dhe një rezistencë të lartë ndaj goditjeve potenciale, si dhe po furnizon gjithnjë e më shumë me kredi ekonominë shqiptare.
Në këtë kontekst, guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në këtë tablo zhvillimesh, nëpërmjet politikës së saj të kujdesshme monetare, rregullimit rigoroz dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të sektorit bankar, si dhe nxitjes së zhvillimit të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave. Ky investim institucional i ka mundësuar ekonomisë shqiptare një stabilitet të kënaqshëm monetar dhe financiar.
Në një plan më afatgjatë, regjimi i shënjestrimit të inflacionit dhe ai i kursit të lirë të këmbimit, kanë funksionuar më së miri dhe kanë ndihmuar vendin në përballimin e goditjeve dhe në përshpejtimin e procesit të konvergjencës. Gjithashtu, Guvernatori Sejko vlerësoi se konsolidimi fiskal dhe konvergjenca midis politikave makroekonomike mbeten faktorë përcaktues në zhvillimin e vendeve të rajonit. Nga ana e tij, guvernatori Vujçiç vlerësoi se aftësia e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht e Shqipërisë, në përballimin e krizave ka qenë mbresëlënëse. Ai theksoi se këto zhvillime inkurajuese ofrojnë një platformë solide për rritjen ekonomike dhe procesin e konvergjencës me Bashkimin Evropian.
Dy guvernatorët nënvizuan se pjesa më e madhe e vendeve në rajon, përshirë Shqipërinë, janë të lidhura ekonomikisht me Eurozonën dhe financiarisht janë të ekspozuara ndaj saj. Ciklet ekonomike janë të sinkronizuara me ato të Eurozonës dhe sistemet financiare kanë një shkallë të lartë integrimi dhe varësie nga politikat monetare, mbikëqyrëse e rregullatore të ndjekura në Eurozonë. Duke vlerësuar progresin e bërë deri tani, guvernatori Vujçiç theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm midis rregullatorëve ekonomikë dhe ofroi mbështetjen e Bankës së Kroacisë për ngritjen e këtij dialogu në një plan më të lartë.
Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Banka e Shqipërisë organizoi gjithashtu një tryezë me përfaqësues të sistemit bankar dhe drejtues të lartë të Bankës së Shqipërisë, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit ekonomike, inflacioni në rajon dhe BE, euroizimi i ekonomisë dhe sfidat që sjell ai, si dhe çështje të tjera me rëndësi për sistemin bankar si masat mbikëqyrëse dhe rregullatore të vendosura nga Banka Qendrore Evropiane dhe modernizimi i sistemeve të pagesave.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, z. Vujçiç bëri një përshkrim të zhvillimeve të fundit në tregjet financiare të Eurozonës dhe të sektorit bankar, duke u përqendruar në tendencat aktuale të politikës monetare, në ecurinë e tregjeve financiare në Eurozonë, si dhe në ndikimet e tyre potenciale në vendet e rajonit.
Gjithashtu, ai bëri një përshkrim të përvojës së Bankës Kombëtare të Kroacisë, lidhur me të gjitha fazat e anëtarësimit të saj në Eurozonë, më 1 janar 2023, duke u përqendruar veçanërisht në reformat e ndërmarra për fuqizimin e kapaciteteve institucionale, me qëllim përballimin me sukses të sfidave që rrjedhin nga anëtarësimi. Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e angazhimit të bankave në kuadër të digjitalizimit të sistemit të pagesave, duke i ftuar ato të jenë të gatshme për të kontribuuar jo vetëm për shkurtimin e kohës së pritjes së qytetarëve në sportelet e bankave, por edhe për uljen e kostove të ofrimit të shërbimeve.