Nga Ervis Iljazaj
Sa herë që politika shqiptare ulet të bëjë një marrëveshje jo transparente, ajo që vuan është demokracia dhe drejtësia e vendit tonë. Historikisht, palët politike në Shqipëri kanë bërë marrëveshje antidemokratike dhe vetëm në favor të pushtetit të tyre personal. Marrëveshja e 2008-s është më flagrantja ndër to. Një marrëveshje e cila ka shkatërruar totalisht mekanizmat kushtetues dhe demokratik të sistemit qeverisës në Shqipëri duke instaluar njëherë e përgjithmonë pushtetin e njëshit.
Edhe kësaj here, nuk mund të ndodhte ndryshe. Të gjithë u çuditën se përse kjo maxhorancë ndryshoi kursin politik dhe legjitimoi rithemelimin si opozitën me të cilën do të bashkëpunonte pas dy vitesh që e konsideronte si një forcë politike non-grata. Me sa duket, përfitimi dhe interesi i të dyja palëve paska qenë i madh. Politika shqiptare përpara interesit të saj të ngushtë është e gatshme të bëjë çdo gjë kundër drejtësisë, parimeve, vlerave dhe demokracisë në tërësi.
Përfitimi është i qartë. Rithemelimi u njoh si opozita legjitime nga pushteti, ndërsa ky i fundit përfitoi amnistinë e turpshme që do të votohet në parlament. Për ta bërë më të thjeshtë për lexuesin dhe publikun, nga amnistia e sotshme që pritet të votohet nga rithemelimi dhe PS do të përftojnë të gjithë ata që kanë kryer korrupsion shtetëror, pasiv apo aktiv. Nëse amnistia votohet gjatë ditës së sotshme ashtu sikurse është paraqitur në parlament, përfitojnë nga ajo të gjithë funksionarët e shtetit që akuzohen për korrupsion, nga sekretarët e përgjithshëm të ministrive e deri të specialisti më i thjeshtë.
Kjo është një goditje e fortë që klasa politike shqiptare i jep drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe luftës ndaj korrupsionit, plagës më të madhe të shoqërisë shqiptare në 34 vite tranzicion. Është e qartë se politika tashmë është bashkuar në një luftë kundër organeve të reja të drejtësisë, sidomos SPAK.
Amnistia e sotme është një mënyrë djallëzore e politikës për të luftuar aktivitetin e SPAK dhe luftës ndaj korrupsionin që ky institucion ka ndërmarrë kohët e fundit. Të trembur deri në palcë nga korrupsioni galopant që kanë bërë, ashtu sikurse tregojë lajmet që publikohen nga mediat çdo ditë, kanë bashkuar forcat për ta ndaluar këtë aktivitet ose për të minimizuar rëndësinë e tij. Dhe amnistia e sotme është pikërisht një nga instrumentet që po përdorin. Dhe nuk është instrument i fundit. Sigurisht që kanë ndërmend të përdorin dhe mjete të tjera kundër drejtësisë së re. Koha do ta tregojë se çfarë .
Por një gjë është e sigurt, lufta e klasës politike ndaj SPAK sapo ka filluar dhe do të vazhdojë gjatë.
Është e turpshme se si një opozitë, e cila e quan vetën ‘’opozitë të vërtetë’’, flet gjithë ditën kundër korrupsionit ndërkohë që voton një ligj që amniston të gjithë të korruptuarit e administratës shtetërore. Është e turpshme dhe e pamoralshme të akuzosh çdo ditë pushtetin për tenderë të vjedhur dhe të votosh për të amnistuar ata që po vjedhin këto tendera.
Korrupsioni në Shqipëri është një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare në 34 vite tranzicion. Korrupsioni i administratës shtetërore ka vjedhur paratë e shqiptarëve, ka bërë që shqiptarët të marrin malet dhe detet e të braktisin këtë vend që po tkurret gjithmonë e më shumë. Korrupsioni shtetëror ka bërë që të rinjtë shqiptarë të humbin shpresën se mund t’ja dalin në këtë vend dhe të jetojnë me dinjitet. Korrupsioni është një vepër penale që prek të gjithë shoqërinë. Dhe ta amnistosh në këtë mënyrë, patjetër që duhet të jesh i verbër nga interesat personale meskine të politikës. Të amnistosh një drejtor drejtorie në bashki që ka vjedhur miliona euro, të amnistosh një gjyqtar që ka marrë ryshfet për një çështje gjyqësori është të vrasësh të ardhmen e këtij vendi.
Por më e keqja në të gjithë këtë histori, është mesazhi që pushteti do të japë te e gjithë administrata publike. Mesazhi është i qartë, firmosni, mund edhe të bëni korrupsion, ne do t’ju lirojmë me amnistinë e radhës. Nga frika e luftës kundër korrupsionit që po bënë SPAK shumë funksionar publik janë të trembur dhe nuk po zbatojnë porositë e shefave. Dhe mesazhi që shefat duan të japin me amnistinë është pikërisht kurajimi që ata të vazhdojnë aktivitetin e tyre korruptiv. Dhe të gjithë këtë, pushteti po e bënë me ndihmën e ‘’opozitës të vërtetë’’.