Të agjërosh në emër të Zotit është një nga shtyllat themelore të besimit islam e sidomos në këto ditë të fundit të Ramazanit, mes të cilave “fshihet” edhe Nata e shenjtë e Kadrit, shpërblimi hyjnor është edhe më i madh për besimtarin.
Një i tillë, i devotshëm në maksimum, gjendet në Elbasan, Rexhep Xhafa është 76 vjeç dhe agjëron prej dekadash. Nuk ka asnjë vështirësi, edhe pse në moshë të thyer.
“Ramazani është muaji i adhurimit muaji i bereqetit, është gjë e madhe sepse Ramazani është i fshehtë. Zoti për madhninë e vet atë e ka bërë të fshehtë, ke lidhje direkt me Zotin, asnjë njëri nuk e di”, thotë ai
Por edhe pse Ramazani në komunizëm ishte mision i vështirë, besimtari rrëfen se ka agjëruar që në shkollë fillore.
“Kam që ku është prishur sistemi dhe mbrapa s’e kam prishur asnjëherë, e kam mbajtur. Në kohën e monizmit unë isha dhe kuadër në fakt, por edhe agjëroja shumë herë tinëz, vetëm kur kishim mbledhje nuk agjëroja. Në kohën e monizmit ishte e ndaluar pastaj si u hap unë dhe i dija në fakt ato rregullat dhe lexoja dhe kuranin”, shprehet 76-vjeçare.
Ndonëse ai sistem nuk ofronte asnjë mundësi orientimi për oraret e çeljes dhe iftarit, kush donte të besonte e gjente rrugën, tregon Xhafa, ndërsa ve theksin tek rëndësia e Natës së Kadrit.
Pas këtij muaji sakrifice, edhe 76-vjeçari nga Elbasani do të festojë Fitër Bajramin, me shpresën se Zoti do t’ia ketë pranuar përkushtimin e tij, ashtu siç dëshirojnë miliona e miliona besimtarë në të gjithë botën