Një bandë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike është goditur nga autoritetet spanjolle, duke çuar në arrestimin e disa shtetasve shqiptarë, holandezë e lituanezë.
Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, anëtarët e kësaj organizate kriminale importonin lëndën narkotike në përmes porteve spanjolle.
Në kuadër të aksionit policor, agjentët arrestuan pesë persona, të cilët dyshohet se janë anëtarë të bandës, e specializuar në trafikun e drogës në shkallë të gjerë përmes përdorimit të kontejnerëve.
Mësohet se gjatë këtij operacioni anti-drogë, autoritetet spanjolle sekuestruan 16 ton pelet për ngrohje, i cili në përbërje kishte lëndë narkotike. Për ta bërë këtë, anëtarët kanë përdorur metoda shumë të sofistikuara fshehjeje, duke kamufluar drogën në materiale të ndryshme për të vështirësuar zbulimin e tyre.
Gjatë testit rezultoi se peleti kishte përmbajtje kokaine, ndërsa janë sekuestruar 920 thasë me këtë produkt, me peshë 18 kilogramë secili, në total 16560 kilogramë.
Po ashtu, raportohet se organizata kishte dy magazina industriale në Reus (Tarragona). Magazina e parë kishte për qëllim ruajtjen dhe ftohjen e lëndës, ndërsa e dyta përdorej për paketimin, mbylljen dhe ruajtjen e drogës pasi nxirrej nga materiali në të cilin ishte kamufluar, ku janë gjetur edhe mjete si presivë hidraulike, prese industriale, izolues termik, makineri ambalazhimi dhe tharëse.
Nga kontrollet e kryera janë sekuestruar 5 kilogramë drogë sintetike, speed dhe MDMA, 3965 euro cash, material për prodhimin e lëndëve narkotike, një kamion dhe një automjet.