VIKTOR GJIKOLAJ
Artani, që punon me tim bir, emigrant në Gjermani, më qe lutur jo pak herë që të shkonim bashkë në Lurë. Dhe ja, ketë fillimpranvere kishte ardhur momenti i duhur. U nisëm herët në mëngjes nga Lezha…
Në hyrje të Rrëshenit është bërë kohët e fundit Unaza. Unë ia bëj me shenjë që të vijojmë drejt. Tek agjencia e vjetër do ndalemi pak (ndryshe selitasit i thoshin “te lisat e Jakut” prej do lisave që ishin përballë agjencisë.
Shoferi kërkonte më kot për to, tani nuk janë më. Agjencia ka mote, por edhe lisat nuk janë. Hija e tyre, jo e jo.
Ata të brezit tim, sa herë kanë vënë në provë durimin, duke pritur ndonjë automjet transporti për Kurbnesh, në verë, në dimër… Vrikthi më vijnë në mend episode pa cak. Semiotika e pritjeve shënonte, deri këtu më përcillnin letrarët e qytetit të vogël. Shpesh qëndronim gjatë bashkë. Herë të tjera gjendesha fillikat. Një agjent faqekuq dilte dhe largohej për në qytet. Thuajse përherë para largimit vinte një copë letër në xham, ku shkruaj me një nëndialektore: “Buletat për sunte (sonte) marutën (mbaruan)”! Në të djathtë ishte një shtëpi përtrollëse, ku jetonin të internuarit. Aty në një karrige të vjetër lexonte libra një grua në moshë. E dija që ishte shkrimtarja e viteve ‘40 Musine Kokalari. I kthente shpinën diellit dhe lexonte…
Kurrë s’më kishte qëlluar të flisja, as ta përshëndesja, por sa herë e shihja aty, ndjeja dhimbje e trishtim.
Artani vuri re hutimin tim dhe ma bëri me dorë që të niseshim për në Lurë. Makina me targa gjermane u nis disi shpejt.
-Lura nuk asht fort larg prej këtej, – i thashë vozitësit. – Pastaj më keni marr si udhërrëfyes. Ky segment nuk është as 60 km. Ka dy vite që ka nisur një projekt, por histori shqiptare, – plotësova fjalinë. Sot do të flas për anashudhë. Anashuudhë? Në dy anët e kësaj udhe ke ç’të shohësh. Pasi kemi ecur një kilometër, në të djathtë është kantina e verës “Arbëri”, e ngritur në fillim të këtij shekulli. Rrushi vjen nga ato vise ku u zbulue stema e Arbrit, ndaj dhe emri është i gjetur.
-Ja, shiko majtas!
-Po këto gërmadha? Punishte, frigoriferi i madh, ngritur në vitet ‘80 të shekullit të kaluar. Rreth pesëdhjetë vjet më parë.
Duke folur rreth shumë objekteve që nuk u administruan mirë, ne kemi arritur përballë urës së Tarazhit.
-Ja edhe kjo, kot! Këso veprash kushtojnë shumë. Ja pra, hekurudha që do shkonte në Mat, u ndërpre. Mbi këtë urë që duhet të kalonte treni me mallra dhe udhëtarë, kanë kaluar vetëm era dhe zogjtë. Po ka mendime se mund të kthehet në një destinacion turistik.
-Edhe mirë do bahet, tha Artani.
Në Prosek na duhet të ecim ngadalë e me kujdes të madh.
-Kjo nuk është rrugë – tha shoferi. – Rruga dihet, copë-copë, prandaj janë boshatisur ato vise që natyra u ka falur bukuri e pasuri.
Unë të thashë kryeherë se sot do të të flas për anashudhë dhe vijova të bëj rrëfimtarin.
-Këtu jemi në Bojtinë. I gjithë ky masiv pyjor është shpallur park rajonal.
Ka edhe projekte përmirësimi. Ja, këtu te pishat është ngritur një agrobiznes. Është resorti ku inxhinier Dodë Pjetraj ka kompozuar me elemente substanciale të tipit kullë. Por nëse kjo quhet kulla ‘Duka’, vetëm disa kilometra më lart, është ngritur kështjella ‘Duka’. Pronarët kanë një mbiemër e janë të një fisi të hershëm të Thkellës.
-Bukur! – tha Artani, – por kjo rrugë?! I thashë se te Livadhi i Turkut, aty ku ndahen rruga për Burrel, vazhdon drejt, ndërsa majtas për Lurë. Ja dhe tabela ku shënohet investitori, firma ndërtuese, gjatësia e rrugës dhe fondi (i shkreti!).
Ka dy vite që kanë nisur punimet, por nuk kanë bitis. Normalisht rruga duhej të kishte përfunduar. Janë bërë zgjerimet deri në Lurë. Do ta shohim…
Mes Parkut Rajonal Kthella dhe Parkut Kombëtar të Lurës, anashudhët të shpalojnë peizazhe mahnitës, që ndërthuren me ndërtimet tradicionale, me monumente natyrore e historike me mbetje të ngrehinave të industrisë se bakrit. Perlati ishte ndër vendburimet e reja të Mirditës. Minierë me rezerva të konsiderueshme. Duken edhe sot në të djathtë të udhës. Rrenjolla një tjetër vendburim, gjithashtu në atë krah. Për të shkuar në Kurbnesh udha vijon mes përmes pyjesh të rinj. Sapo dalim në Qafën e Pëllumbthit, duket se aty hapet një perde madhështore. Të parat të shfaqen tri bjeshkët e Selitës; Mulli, Didhja,Valmori e më tej, Kunora e Lurës, më e larta maje e këtyre viseve.
-Qafa e Pëllumbit a e Pëllumbthit – më pyet Artani
-E pëllumbthit. Ndoshta këtu qenë mbledhur pleqtë urtakë për të bërë një pajtim a zgjidh ndonjë ngatërresë mes lagjeve a fiseve. Mundet që palët nuk i kanë qëndruar plotësisht pleqësimit dhe e kanë vlerësuar si një paqe të vogël. Jo e pëllumbit, por e pëllumbthit.
Ai nuk po e kuptonte se unë thjesht po hamendësoja etimologjinë e këtij toponimi interesant. Nga këtu, ai që udhëton herën e parë nuk e përfytyron dot se kur të ulesh teposhtës për në luginën e Urakës, ka qenë njëra ndër minierat metalore më të mëdha të industrisë së bakrit. Bashkëfolësi im nxjerr aparatin dhe kërkon një pozicion që të fusë në fokus të tri bjeshkët. I duhet të spostohet nga Maja e Banës, për të marrë jo vetëm Gurin Gjon, por edhe Gurin Burgj, që ndodhet në të majtë, në hyrje të bjeshkës së Mullit. Edhe të vetmin Monument Kulture në Selitë, Kullën e Dod Nikoll Gjikolës, ku shkohet vetëm në udhë këmbësore. Kureshtjes së tij për emrat e gurëve i përgjigjem shkurt: Nuk është tani momenti. Në librin tim të ri, do të gjesh gojëdhënat.
Këto vite pyjet e reja kanë marr një hov drejt qiellit. Teposhtës për në Kurbnesh nuk pata nevojë t’i them se ku ndodhet miniera, pasi përballë të shfaqet një pllakë me një dedikim të qëlluar: “Mineral nxorët një jetë. Florini ishit ju vetë”!
-Bukur – pëshpëriti Artani. Ja, atje, majtas kësaj udhe, në vitin 1955 u hap miniera. Ata që punuan aty ishin heronj. Në fund viteve ‘70-të miniera mbajti (dhe ende e mban) emrin e “Heroit të Punës”, Frrok Kaçorri.
Udhëtojmë drejt Luginës e diku duken gjurmët e dekovilit. Minerali nga miniera transportohej me elektrovoz për te fabrika e pasurimit. Mirë do të ishte po të ruhej! Sa bukur do të ishte për vizitorët e huaj! Fabrikën e montuan specialistët gjermano-lindorë, por tani as një pllakë ku të shkruhej: “Këtu ishte Fabrika e Pasurimit të Bakrit Kurbnesh”. Ndërsa shoferi ul shpejtësinë për të parë nga ish-fabrika, mua më vjen ndërmend një reportazh i vitit 1959, “Kurbneshi i Rilindur”, shkruar nga Vangjush Gambeta. Aty është edhe një foto e specialistëve gjermanë dhe e ishkryetarit të fshatit, Zef Biba.
Shoh qytezën e rrënuar në brigjet jugore të Urakës dhe unë që u rrita bashkë me të ndjej trishtim, por shumë kujtime më zgjohen. Artanit, që e trishton ky rrënim i them:
A e di se këtu kishte kinema, shtëpi kulture, bibliotekë, librari, bile edhe pistë për të vallëzuar. Në makinën e ndalur të Ura e Kurbneshit pllakos heshtja. Qyteza është zbrazur. Mbi urë nuk lëviz njeri. 1300 banorë kishte më 1992. Eh, sot kam dhimbje ta them, këtu kanë jetuar e punuar dhe janë internuar mjaft emra të njohur të kohës.
Këtu punoi kryeinxhinier i minierës Frako Krroqi, që sfidoi Presidentin Ramiz Alia në zgjedhjet e para pluraliste, botuesi e politikani i njohur Fatmir Toçi kaloi këtu shumë vite të fëmijërisë. Po kështu, publicisti dhe politikani Luan Mersin Rama, ish-ministri Kulturës, i Mbrojtjes dhe i Brendshëm dhe për disa legjislatura, edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe ish-ministri tjetër i Brendshëm, Sandër Lleshi, këtu ka lindur e është rritur. Këtu kaluan shumë vite internimi familja Theodhosi, Hazbiu, Balluku, Rrusho etj.. Edhe familja e Ihsan Budos jetoi mbi tridhjetë e ca vite internim këtu. Pa përmendur këtu specialistë shqiptarë e të huaj që punuan në industrinë e bakrit.
Ecim. Këtë paradite prilli ende lagjja “Xhuxhër” është në hijen e Gurit Gjon, një monument natyror, me legjendën e tij interesant. E veç pak hapa në Perëndim të tij, Shpella e Fatmirave për të cilën gojëdhënat nuk flasin, por poetika që ka toponimi (të kenë qenë kaq poetë gjyshërit e mi!).
Kalojmë përballë kanionit të Sheut. I them se, edhe ky kanion është Monument Natyror.
-Po shumë paska këndej – thotë Arbeni.
-Ehuuu, vetëm në 6 km rrugë, kemi 5 monumente dhe i tregoj shpellën e Ndue Gjonit, në Grykën e Selitës, Shutrrenë, lumin e nëndheshëm. Pastaj shpella e Mërkuthit, e paeksploruar. Ndodhet vetëm pak metra anash, në të majtë kur shkon te Kroi i Bardhë, vendburimi i ujit kurues, i frekuentuar gjithmonë e më tepër. Adresë e turizmit kurativ, i vetmi në Mirditë. Kroi i Bardhë që sjell shëndet e bardhësi. I fillikatshëm!
Qafa e Mërkurthit është kufiri që e ndan Selitën me Lurën dhe Qarkun e Lezhës me atë të Dibrës. Fusha e Krejës ka filluar të blerojë dhe pamja është mbresëlënëse. Krej (kreu) i Lurës është vendlindja e Dom Nikoll Kaçorrit, nënkryetarit të Qeverisë së Vlorës. Kalojmë Zabelin e Nikës dhe para nesh shfaqet Lura. Në të djathtë rruga vijon drejt shtatë liqeneve të saj, që kaq bukur u këndoi “Mjeshtri i Madh”, biri i këtyre viseve, Hilmi Kolgjegja me nxënësin e tij, “Mjeshtrin e Madh” të këngës shqipe Arif Vladi.
Në qendër të Njësisë Administrative të Lurës, përpos objekteve të kultit, gjendet edhe busti i “Heroit të Popullit”, Gjokë Doçi dhe një obelisk kushtuar bijve të shquar të Lurës. Gjithë ajo bukuri, ai peizazh i pashoq, si mund të braktiset kështu?! Ndjen trishtim. Më kujtohet sakaq gojëdhëna e tre prilleve që nuk erdhën në Lurë, e lurasit u dyndën në vise të tjera më të buta, për t’u kthyer ma vonë e për ta vijuar jetën ashtu si e ka thënë poeti: “Lurasit u kthyen me prillin bashkë. E te Carani rindezën zjarre. Pastaj te zalli fytyrat i panë. Që atëbotë lumit i thërrasin: Mall”. E pritën lurasit prillin e sivjetshëm më shpejt se herët tjera. Menduan se bashkë me prillin, do të vinin nëpër rrugën e asfaltuar e të filluar ka dy vite… Vetë kryeministri ua premtoi, bash në Lurë. Po Lura prillet prapë i ka të bukur. Presin…!